Kërko

Shkollë në Liban Shkollë në Liban 

NDKV mbledh fonde për të siguruar mbijetesën e shkollave katolike

Fondacioni “Ndihmë për Kishën që Vuan” nisi një fushatë, gjatë së cilës po mbledh fonde për mbijetesën e 61 shkollave katolike libaneze

R. SH. - Vatikan

Ndihmë për Kishën që Vuan nisi një fushatë të re! Po mbledh fonde për mbijetesën e 61 shkollave katolike libaneze. Në veçanti, do të mbulohen kostot strukturore - rritur 15 herë në dy vitet e fundit - do të jepen bursa për studentët më të varfër dhe më të mirë dhe do të mbështeten 1280 mësues të cilët, me paga rreth 50 dollarë, nuk janë më në gjendje as t’i mbajnë gjallë familjet e tyre. Strukturat ndodhen në zona periferike ose fshatarake dhe u janë besuar urdhrave fetare femërore, kryesisht Motrave të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, Motrave Antoniane, Motrave të Familjes së Shenjtë, Bijave të Bamirësisë dhe Motrave të Zojës së Papërlyer të Ivresë.

Më shumë se 300 shkollat ​​katolike në Liban, që përfaqësojnë 70% të objekteve arsimore të vendit, janë të hapura për nxënës të të gjitha feve, sigurojnë një nivel të shkëlqyer mësimdhënieje dhe, megjithëse nuk përfitojnë nga ndihma shtetërore, janë vendimtare për të gjithë sistemin e libanez të arsimit, e, sidomos, për fëmijët e krishterë, sepse cilësia e këtij edukimi garanton të ardhmen e tyre në një mjedis gjithnjë e më shumë islamik. Me pasojë fenomenin e emigrimit, para së gjithash në Evropë.

“Varfëria peshon rëndë mbi bashkësitë tona! Besimtarët tanë jetojnë si të dënuar me vdekje për shkak të korrupsionit të shfrenuar. Përballë kësaj situate dramatike, të gjithë përpiqen të shpëtojnë: mjekët, profesorët e universitetit, artizanët, të rinjtë dhe ata që kanë mundësi ta bëjnë këtë”- shkruan imzot Charbel Abdallah, Kryeipeshkëv Maronit i Tirit, në një letër dërguar mbi 16,000 dashamirësve të Ndihmës për Kishën që Vuan. “Si mund të vazhdojmë të jetojmë me një pagë, që nuk e kalon mesatarisht vlerën e 40 dollarëve? Ne jetojmë si njerëz të paracaktuar të vdesin, sepse nuk kemi më mundësi të paguajmë as ilaçet për sëmundjet kronike, as shtrimin në spital, as energjinë elektrike, as gazin butan. Ç’të bëjnë familjet që nuk kanë as ushqimet bazë? Që u mungon dhe qumështi për fëmijët e vegjël?” - pyet prelati. Kisha “me mjetet e saj modeste, përpiqet të kryejë detyrat e pakryera të shtetit, që di vetëm ta bëjë sehir  veprimtarinë e spitaleve dhe shkollave në pronësi të kongregacioneve fetare. Por, për fat të keq, edhe këto institucione po vuajnë nga kriza ekonomike. E atëhere lind pyetja dramatike: “Deri kur do të mund të rezistojnë duke pasur parasysh mungesën e fondeve dhe largimin e mësuesve, mjekëve, infermierëve…?”.

E dioqezat, të cilat nuk kanë të ardhura, por gjithsesi duhet të ndihmojnë çdo ditë familjet e varfra, si mund ta vazhdojnë misionin e tyre?”.

Përgjigjen mund ta japë vetëm mbledhja e fondeve për mbijetesën! Po deri kur?

20 korrik 2022, 12:19