Kërko

Kishë e krishterë e shkatërruar në Mianmar Kishë e krishterë e shkatërruar në Mianmar 

Mianmar. Thirrja e Kryeipeshkvit të Mandalay për respektimin e jetës njerëzore

Të trondisin fjalët e imzot Marco Tin Win, që kërkon respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të pronës private, përballë sulmeve gjithnjë më të shpeshta të juntës ushtarake kundër fshatrave katolike në rajonin qendror të Sagaing. Këto sulme i detyrojnë mijëra njerëz të ikin nga shtëpitë dhe të strehohen në xhungël e në zona të tjera të sigurta

R.SH. - Vatikan

“Është vërtet i madh dëshpërimi, kur shikon vuajtjet e mijëra njerëzve, veçanërisht në fshatrat katolike, me shtëpi të djegura, prona të plaçkitura,    njerëz të mbetur në rrugë të madhe, të zhvendosur, pa ushqim e pa strehë”. Për ta foli me dhimbje të thellë kryeipeshkvi Tin Win, më 17 korrikun e kaluar, në një video-mesazh transmetuar nga UCA News. Prelati, duke përshkruar fshatrat e shndërruara “në pluhur e hi, pa shtëpi, pa pemë, pa zogj”, shprehu dhimbjen e tij për mijëra vëllezër e motra, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të jetojnë ku t’i zërë nata, të lodhur, të uritur, të pashpresë”. Ushqimi, veshmbathja, strehimi dhe kujdesi shëndetësor janë të drejta themelore të të gjitha qenieve njerëzore, ndaj duhet të konsiderohen si përparësi”, nënvizon kryeipeshkvi, i cili në vijim i bën thirrje juntës ushtarake “të mos i djegë e as të mos i shkatërrojë shtëpitë e civilëve si dhe t’i respektojnë pronat e tyre”.

Sulmet e vazhdueshme kundër fshatrave katolike

Mesazhi i prelatit është pasojë e shpeshimit të sulmeve ajrore dhe të bombardimeve të ushtrisë mbi disa fshatra, në përpjekje për të shtypur rezistencën në rritje të forcave të mbrojtjes popullore. I panjohur, numri i të vdekurve dhe i dëmtimeve të shtëpive. Kryeipeshkvi Tin Win shprehu shqetësimin për personat e zhdukur dhe të vrarë në rajone të ndryshme të vendit. “Sipas mësimeve të Kishës - përfundoi ai - jeta dhe dinjiteti njerëzor duhet respektuar”.

Fshatrat katolike të prekura - Monhla, Chaung Yoe dhe Chan Thar - janë pjesë e Kryedioqezës së Mandalay dhe njihen si fshatrat Bayingyi, ku njerëzit pretendojnë se janë me prejardhje portugeze. Në këto fshatra kanë lindur shumë njerëz të mirënjohur të Kishës. Edhe kardinali Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangon, ka lindur në Monhla, vend historik, ku budistët dhe katolikët kanë jetuar gjithnjë së bashku, e gjithnjë në paqe!

Thirrje nga Kisha

Kisha vijon të kërkojë respektimin e jetës dhe të pronës njerëzore. Kohët e fundit, ipeshkvijtë katolikë bëjnë vazhdimisht thirrje që të respektohen jeta njerëzore e vendet e adhurimit, spitalet e shkollat dhe gjithçka tjetër që ka shpëtuar ​​në kombin e shkatërruar nga konflikti i Azisë Juglindore. Por, megjithëse kardinali Bo u takua dhjetorin e kaluar me liderin e juntës ushtarake, Min Aung Hlaing, regjimi i tij vazhdoi sulmet mbi civilët dhe mbi kishat në shtetet Kayah dhe Chin, duke i vrarë e duke arrestuar meshtarët katolikë dhe pastorët protestantë. Që nga grushti i shtetit nga forcat e armatosura birmaneze, në shkurt 2021, që përmbysi qeverinë e Aung San Suu Kyi, afro 2,100 njerëz, ndërmjet të cilëve 100 fëmijë, u vranë, ndërsa më se 1,400, u arrestuan.

20 korrik 2022, 14:53