Kërko

Kelshenjti me Gjakun e Krishtit Kelshenjti me Gjakun e Krishtit 

Ky është gjaku im i besëlidhjes!

Të meditojmë! Vijon muaji korrik, kushtuar Gjakut të Krishtit, “Peng i dashurisë besnike të Zotit për njerëzimin”, që na mbron e na shpëton nga të gjitha forcat e së keqes.

R. SH. - Vatikan

“Ky është gjaku im i besëlidhjes” - na kujton Krishti! – “Gjaku im është pengu i dashurisë besnike të Zotit për njerëzimin. Duke ngulur sytë mbi gjakun që kullon nga plagët e Kryqit, çdo njeri, edhe në kushtet e mjerimit të skajshëm moral, mund të thotë: “Zoti nuk më ka braktisur, më do, dha jetën për mua”. Gjaku, si mbartës i jetës, është tejet i çmuar nga të gjithë popujt. Në Besëlidhjen e Vjetër, spërkatja me gjakun e kafshëve të flijuara ishte shprehje e vulës së besës lidhur ndërmjet Zotit dhe popullit të zgjedhur: “Atëherë Moisiu mori gjakun dhe spërkati popullin, duke thënë: ‘Ja gjaku i besës, që lidhi Zoti me ju"." (Dal. 24,8)

 E Jezusi në Darkën e Mbrame, kur lidhi besën e re dhe të amshuar, mori kelkun, ua dha dishepujve e tha: “... ky është gjaku im i besëlidhjes, i derdhur për ju e për shumëkënd, për faljen e mëkateve”. (Mt 26,28). Në Besëlidhjen e Vjetër gjaku simbolik i qengjit ka forcë të pamposhtur shpëtimtare. Kur faraoni nuk e lejoi popullin e Izraelit të largohej nga Egjipti, një vend ku hebrenjtë kishin jetuar në skllavëri për shekuj, Moisiu parafoli vdekjen e çdo të parëlinduri egjiptian. Për t’i mbrojtur izraelitët, Zoti e urdhëroi Moisiun të merrte një qengj, pa të meta, mashkull, një viti, ta flijonte, të lyente me gjakun e tij arkitrarët dhe shtalkat e shtëpive. Në këtë mënyrë u kursyen njerëzit e zgjedhur dhe u hap rruga për “Daljen”.

Në Besëlidhjen e Re, Gjon Pagëzuesi e quan Jezusin: “Qengji i Zotit, Ai që shlyen mëkatet e botës" (Gjn 1.29).

Zoti derdhi gjakun e tij të pafajshëm mbi drurin e kryqit për shëlbimin e të gjithë njerëzve, të të gjitha kohërave.

Në tempullin e Jeruzalemit, gjatë kremtimit të Pashkëve hebreje,  flijoheshin 18.000 qengja, gjaku i të cilëve rridhte nëpër lumenj!

Qengji i vetëm i Zotit, pa të meta, në Kalvar, dha jetën e Tij deri në pikën e fundit të gjakut për të mposhtur përfundimisht Shejtanin, gjarpërin e lashtë dhe për të na çliruar përgjithmonë nga skllavëria e mëkatit. Shën Toma i Akuinit, në himnin e tij të famshëm “Të adhuroj me devocion”, shkruan se edhe një pikë e vetme e këtij gjaku të çmuar do të mjaftonte për shpëtim. Që nga çasti kur Longinis shpoi me shtizë brinjën e Shëlbuesit dhe nga kjo plagë doli gjak e ujë, gjaku i paçmueshëm i Jezusit nuk ka pushuar kurrë së rrjedhuri si burim jete për Kishën e për secilin prej nesh!

20 korrik 2022, 11:52