Kërko

Gesù nella casa di Maria e Marta di Betania Gesù nella casa di Maria e Marta di Betania

Fjala e Zotit e Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Lutja dhe veprimi, dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe shërbimi konkret ndaj të afërmit, nuk janë përmasa që i kundërvihen njëra-tjetrës, por aspekte themelore për jetën tonë në fe. Marta e Maria, protagoniste të Ungjillit të kësaj së diele, na mësojnë si duhet jetuar jeta e të krishterit, na ftojnë të reflektojmë sa për mënyrën si punojmë, aq edhe për kohën, që ia kushtojmë kundrimit të Fjalës së Zotit

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Fjala e Zotit e Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Mikpritja është një virtyt i krishterë që shpërblehet gjithmonë nga Hyji. Leximi I nga  Libri i Zanafillës dhe fragmenti i Ungjillit nga Luka tregojnë për mikpritjen e Abrahamit dhe të Martës. Ngjarja që u ka ndodhur atyre na tregon se Zoti troket pareshtur në derën tonë. Kështu jemi të ftuar të gjejmë mënyrën më të mirë për ta pritur e përbujtur Zotin në realitetin tonë të përditshëm.

Lutja dhe veprimi, dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe shërbimi konkret ndaj të afërmit, nuk janë përmasa, që i kundërvihen njëra-tjetrës, por aspekte themelore për jetën tonë në fe: këtë pohon Fjala e Zotit e kёsaj sё diele tё 16-tё gjatё vitit kishtar.

Në qendër të reflektimit të pjesës së Ungjillit të kësaj së diele nga Luka, janë dy motrat, Marta e Maria. Nësa Zoti Jezus ishte mik në shtëpinë e tyre. Marta merrej me punët e shtëpisë e Maria, tek këmbët e Jezusit, dëgjonte fjalën e Tij. Marta i ankohet Jezusit, duke i kërkuar ta qortojë Marinë, që s’luan vendit, edhe pse ajo ka nevojë për ndihmë. Po Jezu Krishtit i përgjigjet ëmbëlsisht dhe i kujton se “vetëm një gjë është e nevojshme”.

Këtu nuk është fjala për kundërvënie ndërmjet dy mënyrave të sjelljes: dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe shërbimi konkret, nuk janë dy sjellje të kundërta, përkundrazi, janë dy aspekte, që nuk duhen ndarë kurrë, por duhen jetuar në bashkim dhe harmoni të thellë.

Po atëherë, pyesim, pse Jezusi e qorton, ndonëse ëmbëlsisht, Martën? Sepse ajo e shikon si themelore, atë që po bënte, krejt e thithur dhe e shqetësuar nga punët e shumta. Për të krishterin, veprat e shërbimit e të bamirësisë nuk shkëputen kurrë nga burimi kryesor i veprimtarisë sonë: domethënë, nga dëgjimi i Fjalës së Zotit, nga ndenja, si Maria, tek këmbët e Jezusit, me vëmendjen e dishepullit. 

Prej këndej, nxitja e Kishёs qё edhe në jetën tonë të krishterë, lutja dhe veprimtaria janë gjithnjë thellësisht të bashkuara. Lutja, që nuk sjell veprimin konkret ndaj vëllait të varfër, të sëmurë, nevojtar për ndihmë, vëllait në vështirësi, është lutje shterpë, e paplotë. Por, në të njëjtën mënyrë, kur në shërbimin tonë i kushton vëmendje kryesisht sendeve, funksioneve, strukturave, harrojmë se në qendër është Krishti dhe, nëse nuk i lëm pak kohë dialogut me Të në lutje, rrezikohemi t’i shërbejmë vetvetes e jo Zotit, të pranishëm në vëllain nevojtar.

Shën Benedikti, abat, e përmblidhte stilin e jetës, që dëshironte për murgjërit e tij, në dy fjalë të vetme: “ora et labora”- “lutu e puno!”. E nga kundrimi, nga lidhja e fortë e miqësisë tonë me Zotin, lind në ne aftësia për ta jetuar e për t’ua çuar dashurinë e Zotit, mëshirën, dhembshurinë e Tij edhe të tjerëve. E edhe puna jonë me vëllain-njeri nevojtar, puna jonë bamirëse në veprat njerëzore, na e sjell Zotin pranë, sepse ne shikojmë pikërisht Zotin në vëllain e motrën, që kanë nevojë pёr ndihmën tonё. Kështu, Marta e Maria, protagoniste të Ungjillit të kësaj së diele, na mësojnë si duhet jetuar jeta e të krishterit, “të dashuruarit me Zotin”, në vend të parë Fjala e Zotit, sepse pa dashuri asgjë nuk ka vlerë.

                                               Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 18, 1-10

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dalë para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt. Do t’u sillet pak ujë dhe lani këmbët tuaja e pushoni nën hije të trungut. Po ju sjell një kafshore bukë që ta merrni veten para se të vazhdoni udhën. Ju po i bini kah dera shërbëtorit tuaj!” 
Ata i thanë: “Bëj, pra, si the!” Abrahami shpejtoi në tendë te Sara e i tha: “Shpejto e përziej tri masë të miellit më të mirë dhe na i bëj do kuleç.” Ai vetë vrapoi në vathë dhe prej andej e nxori një viç të ri e të majmë dhe ia dha shërbëtorit. Ai e përgatiti me të shpejtë. Mori edhe mazë, qumësht dhe viçin që e kishte pjekur dhe ua shtroi përpara, ndërsa ai vetë, derisa ata ngrënin, rrinte pranë tyre në këmbë rrëzë trungut. Ata i thanë: “Ku është Sara, gruaja jote?” Ai përgjigji: “Qe, është në tendë!” Ai i tha: “Do të kthehem dhe do të vijë te ti pasi të kalojë koha e shtatzënësisë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë djalë.” Fjala e Zotit.

Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër 
do të banojnë në shtëpinë e Zotit

----- ----- -----
O Zot, e kush do të guxojë 
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
----- ----- -----
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
----- ----- -----
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë nuk do tëluhatet.
----- ----- -----

Leximi i dytë Kol 1, 24-28

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij, Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të vet. Këtyre Hyji deshi t’ua njoftojë lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë, domethënë: Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush t’ia arrijë përsosmërisë në Krishtin.  Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.

Fjala jote, o Zot, është e Vërtetë:
na shenjtëro në të Vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Lk 10, 38-42ù

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi hyri në një fshat dhe në grua, me emër Martë, e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul te këmbët e Zotërisë dhe dëgjonte fjalën e tij. Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!” Iu përgjigj Zotëria: “Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret”. Fjala e Zotit.

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XVI GJATË VITIT: MARIA ZGJODHI PJESËN MË TË MIRËN,QË NUK DO T’I MERRET.

(Zan 18, 1-10; Ps 15 (14); Kol 1, 24-28; Lk 10, 38-42)

Në traditën hebraike, mikpritja nuk shihej vetëm si një fenomen shoqëror, por kishte lidhje edhe me një bindje të madhe që ushqehej nga besimi në Hyjin: zemërgjerësia që duhej treguar ndaj mikut, ishte e nxitur nga zemërgjerësia që Hyji kishte treguar gjithnjë ndaj popullit të vet. Do të thotë se mikpritja çmohej si një akt i shenjtë, si diçka që të vë në sintoni me Hyjin. E, duke qenë e tillë, do të thotë se është edhe njëri prej vendeve në të cilat Hyji mund ta bëjë të pranishme veten e Tij më së miri. Për këtë arsye Shën Pali u thoshte të krishterëve të parë: «Ushtroni mikpritjen!» (Rom 12, 13).

Para se të kalojmë tek kundrimi i pjesëve të sotme biblike, le të shohim pikësëpari bukurinë e pakrahasueshme të miqësisë. E dimë të gjithë se miku besnik dhe i painteres ta zbukuron jetën. Miku i vërtetë ta lehtëson zemrën kur je ngusht e, pa thënë asgjë, të bën të ndihesh ngusht kur ke filluar të bësh një jetë me gabime. Kur ke një mik të mirë, gjithmonë do ta kesh diku një derë të hapur për ty: «Miku i mirë, në ditë të vështirë», thotë proverbi ynë. Në librin e Siracidit thuhet: «Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, gjen një thesar» (6, 14).

Sa bukur është ta kultivosh miqësinë! Shpesh thuhet se miqësia nuk egziston, duke u justifikuar se të vetmit që të duan vërtet janë njerëzit e gjakut tënd. Por miqtë e sinqertë ekzistojnë. Ata janë si puna e atyre viganëve të përrallave që dalin nga strehat e tyre kur dëgjojnë se je në hall. Dalin, të ndihmojnë dhe kthehen përsëri në heshtjen e tyre. Pa kërkuar asgjë e pa të bërë të ndihesh as në borxh për nderën që të bënë. Miqësi të tilla ta zgjasin jetën e, këtë miqësi, Hyji e bekon me praninë e vet.

Tani mund t’i kthehemi leximeve të sotme, sepse do të shohim se personazhet që përmenden aty, duke e ushtruar mikpritjen me çiltërsi, mikpritën vetë Zotin në shtëpitë e tyre.

Leximi i parë sot na tregon se si Abrahamit i kalojnë përpara tendës së vet tre burra të panjohur. Abrahami do të zbulojë se këta miq të panjohur ishin shumë të veçantë, sepse prej tyre do të merrte lajmin që, së shpejti, do të kishte një djalë, lajm të cilin e priste me afsh të zemrës. Do t’u jepte miqve, por më shumë do të merrte prej tyre, siç ndodhë në çdo miqësi të sinqertë. Autori i Letrës së drejtuar Hebrenjve, në lidhje me këtë detaj, merrte shkas t’i këshillonte të krishterët e parë: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa e ditur, i pritën miq engjëjt!» (13, 2). Tradita e mëvonshme e krishterë është shtyrë edhe më tej, duke parë në këtë tekst të Besëlidhjes së Vjetër një zbulim të Hyjit Njiní e Triní.

Ungjilli na flet për mikpritjen që i bënë Jezusit dy motra, Marta dhe Maria, të cilat, me sa duket, kishin miqësi të thellë me Të. Por, përballë mikut që u vjen në shtëpi, ato reagojnë në mënyra mjaft të ndryshme: njëra, Maria, i lë të gjitha shqetësimet e tjera mënjanë e ulet te këmbët e Jezusit për ta dëgjuar Atë, kurse tjetra, Marta, e ka mendjen tek punët e shumta që kërkonte mikpritja.

Përpjekja më e pavend që mund të bënim në këtë rast do të ishte që të përpiqeshim të kuptonim se cila prej dy motrave është më e mirë, cila prej tyre u soll mirë e cila keq. Na vjen spontane ta dënojmë Martën e shkretë, duke qenë se edhe Jezusi e korrigjoi pak, por të mos harrojmë se edhe Martën Kisha e mban për shenjtëreshë, përkujtimi i së cilës bie më 29 korrik. E punët që u duhej të bënin atë ditë duhet të kenë qenë vërtet të shumta, sepse, me shumë siguri, Jezusi nuk u kishte shkuar i vetëm në shtëpi. Zakonisht Jezusi kishte pas vetes edhe dymbëdhjetë apostujt në lëvizjet e Tij të atyre viteve. Imagjinojeni, pra, se si fillon puna për gratë e shtëpisë kur të vijnë trembëdhjetë miq përnjëheri për bukë.

E, me gjithë këto punë që duheshin bërë, Maria shkon e i ulet Jezusit tek këmbët e nuk bën asgjë. Plus kësaj, nuk ishte as në zakonet e vendit që një grua të ulej tek këmbët e Mësuesve të Ligjit e të dë­gjonte, por vetëm burrat. Gratë e kishin shumë të qartë vendin që u takonte në këso rastesh. Prandaj Marta jo vetëm që e pretendon ndihmën e Marisë, por duket sikur është edhe e turbulluar nga fakti se Jezusi e pranoi thyerjen e këtij rregulli shumë të qartë për një Mësues: «Zotëri, a nuk po të duket rëndë?».

E rrëmbyer nga punët e shumta e, me siguri e rrëmbyer edhe emocionalisht nga një tolerim i tillë nga ana e Jezusit, Marta nuk nguron deri edhe të mendojë se Jezusit i duhet dhënë urdhër: «Thuaji, pra, të më ndihmojë!». Mund ta imagjinojmë lehtësisht Jezu­sin që buzëqesh përballë gjithë këtij rrëmbimi nga ana e mikeshës së Tij të sinqertë. E, pikërisht se e kishte mikeshë, shumë dasha­mirësisht ia kupton mundin e madh që po bënte, por e fton edhe që të kuptojë se vlera e vërtetë e mikpritjes është miku e jo ajo që bën për mikun: «Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra e, pra, e nevojshme është vetëm një. Vërtet Maria zgjodhi pjesën më të mirën, që nuk do t’i merret».

Në korrigjimin e Jezusit bërë Martës, mund të shohim edhe një korrigjim që patjetër i duhet bërë një lloj teprie në shpenzimet e shumë mikpritjeve tona: aq shumë shpenzohet kot nëpër disa festa e disa dasma, saqë vërtet të vjen të pyesësh nëse qëllimi kryesor aty është të gëzohet me miqtë e pranishëm, apo aty fshihet dëshira për t’u dukur e për t’u mburrur.

Por t’i kthehemi pjesës ungjillore. «Shtëpia është e Zotit dhe e mikut», thotë proverbi ynë. Është prekëse ta mendosh se, atë ditë, në shtëpinë e këtyre dy motrave, Zoti e miku ishin e njëjta gjë. Punët e shumta nuk duhej lejuar që ta shpërqëndronin Martën nga kjo e vërtetë. Pastaj një proverb yni tjetër thotë: «Mikut i lëshohet vendi e i dëgjohet kuvendi». Maria pikërisht këtë po bënte. Aq më tepër ngaqë kishte kuptuar se «kuvendi», pra biseda e këtij miku ishte e një vlere të pashoqe. Maria është shumë e vetëdijshme se kishte shumë për të marrë prej këtij Miku, ndërkohë që Marta ishte e përhumbur nga «brengosja» se kishte shumë për t’i dhënë Atij.

Maria e donte vërtetë shumë Jezusin. Sipas Ungjillit të Gjonit (12, 1-8), në një prej vizitave të Jezusit në shtëpinë e tyre, ajo i kishte zbrazur Jezusit një herë mbi kokë një parfum që kushtonte sa rroga e një viti, plot treqind denarë. Ndokush ka komentuar se mbase ato para ishin kursimet e Marisë për pajën e saj. Edhe në atë rast Maria e shkretë kishte qenë qortuar nga Juda, por u mbrojt menjëherë nga Jezusi.

Me shumë siguri mendohet se kjo Mari është ajo mëkatarja e falur që, me lotët e saj, i kishte larë këmbët Jezusit dhe ia kishte tharë me flokët e saj e, pas këtij gjesti, Jezusi i kishte thënë: «Iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe» (Lk 7, 47). Po kjo pjesë e Ungjillit të Lukës thotë se ajo grua «ishte mëkatare e njohur në qytet». Kështu e kuptojmë se, për Marinë, prania e Jezusit ishte tejet e çmuar, duke qenë se Ai i kishte ndryshuar jetën dhe i kishte rikthyer asaj dinjitetin e humbur nga mëkatet. Plus kësaj, nga Ungjilli i Gjonit, dimë se Jezusi i kishte rikthyer në jetë edhe vëllain e saj të dashur, Lazrin. Si të mos ndihej e rrëmbyer në shpirt, pra, Maria nga prania e Jezusit në shtëpinë e saj?!  «Disa miq arrijnë të lënë një gjurmë aq të bukur në jetën tënde, aq sa ti me vështirësi e kujton se si ka qenë jeta jote pa ta», shkruante Ana Tejlor, poetja angleze e shekullit XIX. E Marisë i kishte ndodhur pikërisht kështu.

Por Marta, me prakticitetin e saj, e kishte mjegulluar bukurinë e gjithë kësaj së vërtete. Prandaj Jezusi ia kujton se cila është gjëja më e rëndësishme, gjëja që nuk «të merret» më kurrë nga askush: miqësia në shpirt me Jezusin.

U futën një herë disa komunistë në shtëpinë e një plake e ia hoqën të gjitha fuguret e shenjta që kishte nëpër mure. Me tallje pastaj iu drejtuan asaj: «Ja, ta hoqëm fenë tënde». «Ju më hoqët fuguret nëpër mure, por këtë nuk mund të ma hiqni», u tha plaka ndërkohë që po bënte shenjën e kryqit pa i bërë syri tërt. Komunistët ikën, sepse nuk donin të flitej se kishin dhunuar deri edhe një plakë.

Miqësia në shpirt me Krishtin nuk mund të na merret prej askujt. Fillon në tokë e vazhdon në amshim.

Shkrimtarët shpirtërorë, nga ana tjetër, e kanë pyetur veten nëse Jezusi kështu ka vlerësuar më shumë jetën e lutjes e të soditjes sesa jetën aktive. Por nuk është ashtu. Veprimtaria njerëzore është gjith­monë e shenjtë, poaq e shenjtë sa edhe lutja. Jezusi këtu qorton atë lloj ­veprimtarie njerëzore që bëhet pa frymën e Hyjit. Lujta dhe ve­prim­­taria duhet të shkojnë bashkë. Duhet të kemi shpirtin e Marisë, por edhe të Martës. Kur të lutemi, të mos i harrojmë përgjegjësitë që kemi përballë jetës e, kur të punojmë, të mos i harrojmë fjalët që dëgjuam te këmbët e Jezusit në uratë e meditim. Një i krishterë nuk duhet të thotë: «Në Kishë jam i krishterë, kurse në punë kam përparësi të tjera». Politikani, doktori, bujku, tregtari, profesori, ejt., duhet ta brumosin e shenjtërojnë veprimtarinë e tyre me atë që kanë dëgjuar te këmbët e Jezusit në lutje. E thënë më shkurt: shpirti i Marisë duhet ta përshkojë tërë veprimtarinë e Martës.

Le ta praktikojmë, pra, miqësinë, sepse aty bëhet i pranishëm Zoti. E, mbi të gjitha, ta ruajmë miqësinë me Jezusin, si në lutje, ashtu edhe në veprim. Jezusi është «pjesa më e mirë». Miqësia me Jezusin «kurrë nuk do të na merret», sepse fillon këtu e zgjat në përjetësi. Jezusi është «Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, gjen një thesar».

Dom Dritan Ndoci

16 korrik 2022, 09:14