Kërko

Gjaku i Krishtit në meshë Gjaku i Krishtit në meshë 

Çelësi i fjalëve të Kishës: pse korriku i kushtohet Gjakut të Krishtit

Kur Papa ishte në mërgim, iu lut Gjakut të Krishtit për të marrë forcë prej tij

R.SH. – Vatikan

Një devocion i veçantë në Kishën Katolike, që lidhet me Mundimet e Jezu Krishtit, është nderimi i Gjakut të tij të Paçmueshëm. Besimtarët dëshmojnë kështu se e njohin flijimin e Krishtit, i cili derdhi Gjakun për shpëtimin e njerëzimit. Ky Gjak bëhet i pranishëm përmes dhuratës së Eukaristisë dhe mund ta marrim në meshë së bashku me Korpin e Krishtit, në lëndët e bukës dhe të verës.

Me kalimin e kohës, Kisha ka caktuar të kremte të ndryshme të Gjakut të Krishtit, por vetëm në shekullin e 19-të u themelua një festë universale për këtë. Gjatë Luftës së parë italiane të Pavarësisë, Papa Piu IX shkoi në mërgim në Gaeta së bashku me dom Giovanni Merlinin, eprorin e tretë të përgjithshëm të Etërve të Gjakut të Paçmueshëm të Krishtit. Ndërsa vazhdonte lufta, dom Merlini i sugjeroi Papës të vendoste një festë universale të Gjakut të Krishtit për t’i kërkuar ndihmë Hyjit që t’i jepte fund luftës dhe të rivendoste paqen në Romë. Më 30 qershor 1849, Piu IX e shprehu botërisht synimin për të themeluar një të kremte për nder të Gjakut të Krishtit. Lufta përfundoi shpejt dhe Papa u kthye në Romë pak më vonë.

Më 10 gusht, ai e zyrtarizoi këtë qëllim dhe njoftoi se e diela e parë e korrikut do t'i kushtohej Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit. Më vonë, Papa Piu X caktoi 1 korrikun si datë për këtë festë. Pas Koncilit II të Vatikanit, festa u hoq nga kalendari, por u vendos një meshë kushtimi për nder të Gjakut të Krishtit, që duhej kremtuar gjatë muajit korrik, por edhe në pjesën më të madhe të muajve të tjerë të vitit.

Për këtë arsye, i gjithë muaji korrik i kushtohet tradicionalisht Gjakut të Krishtit dhe katolikët nxiten të meditojnë mbi flijimin e Jezusit e mbi gjakun e derdhur për shumë vetë, siç thuhet në Ungjill. Lutja, që thuhet në fillim të meshës kushtuese është kjo:

O Atë, që me Gjakun e Paçmueshëm të Birit tënd të vetëm shëlbove gjithë njerëzit, ruaje në shpirtin tonë veprën e mëshirës sate, që duke kremtuar këto mistere të shenjta, të fitojmë frytin e shëlbimit tonë. Për Krishtin, Zotin tonë. Amen.

E ja edhe një tjetër lutje, që mund të përdoret për meditim personal gjatë muajit korrik:

Të pranuar në tryezën tënde shenjte, o Zot, kemi marrë me gëzim ujë nga gurra e Shëlbuesit. Po të lutemi që Gjaku i tij të bëhet brenda nesh burim uji, që na çon drejt jetës së pasosur.

07 korrik 2022, 09:27