Kërko

Bijat e Zellit Hyjnor nisin Kapitullin e Përgjithshëm

Kongregata e motrave, themeluar nga Shën Annibale Maria i Francës, e përhapur në shumë vende anembanë botës, mblidhet në Romë për të vlerësuar karizmën themelore dhe për të zgjedhur organet e reja drejtuese

R.SH. - Vatikan

Kongregata e grave, themeluar nga Shën Annibale Maria i Francës, e përhapur në shumë vende anembanë botës, mblidhet në Romë për të vlerësuar karizmën themelore dhe për të zgjedhur organet e reja drejtuese. Motra Anna Diana, sekretare e përgjithshme, pohon: “Për herë të parë do të diskutojmë edhe për mbrojtjen e krijimit, siç na porosit Papa Françesku”. Punimet do të mbyllen më 31 korrikun e ardhshëm.

Të varfra, për të varfrit

Me pjesëmarrjen e 44 delegateve nga Brazili, Koreja e Jugut, Filipinet, India, Italia, Meksika, Ruanda, Spanja dhe Vietnami, u hap dje në Romë Kapitulli XIV i Përgjithshëm i Zakonshëm i Bijave të Zellit Hyjnor. Karizma e kongregatës së motrave, themeluar nga Shën Annibale Maria i Francës, më 1887, kërkon nga çdo anëtare t’i ndihmojë të varfërit, të lutet çdo ditë për thirrjet në Kishë dhe për ata, që i kushtohen përhapjes së Ungjillit në mbarë botën.

Zgjedhje nga poshtë, lart

Tema e zgjedhur për këtë kapitull të ri të përgjithshëm, i cili do të përfundojë më 31 korrik, është “Bijat e Zellit Hyjnor, dëshmitare të Krishtit e kujdestare të njeriut dhe të krijimit”. “Tema nuk u zgjodh nga kreu i kongregatës, por me vendim kolegjial, ​​që nisi nga poshtë”, shpjegon motra Anna Diana, sekretare e përgjithshme. “Para se të zgjidhnim temën - vazhdon ajo - u këshilluam me motrat tona nga të gjitha vendet ku jemi të pranishme. Vihej kështu vërtet në jetë vëllazëria”.

Programi i jetës

Kjo temë, që do të diskutohet gjatë të gjitha sesioneve të punës së Kapitullit përfaqëson - thotë motra Diana - një program të vërtetë jetësor: “Para së gjithash, të kujton karizmën tonë themeluese. Më pas, na shtyn të thellojmë problemet, që kanë të bëjnë me kujdesin për njeriun dhe mbrojtjen e krijimit, siç nënvizon Papa Françesku në enciklikën “Laudato Sì’”.

Dëgjimi i Shpirtit

“Kapitulli i Përgjithshëm i Zakonshëm do të thirret gjithashtu për të kuptuar çka na këshillon Shpirti Shenjt, për ta bërë karizmën tonë gjithnjë e më aktuale” - shton Motra Diana. Në përfundim të punimeve, do të zgjidhet Nëna e re dhe Këshilli i ri.

07 korrik 2022, 12:16