Kërko

Bazilika Sainte Anne de Beaupré Bazilika Sainte Anne de Beaupré

Bazilika e Sainte-Anne-de-Beaupré, mrekulli e mrekullive

Bazilika e Sainte-Anne-de-Beaupré, e vendosur në komunën me të njëjtin emër, përgjatë lumit Saint Lawrence, vetëm 30 km nga Québec City, është vendi më i lashtë i shtegtimit në Amerikën e Veriut. Këtu e kremton sot Papa Françesku meshën kushtuar pajtimit, në praninë e kardinalit Gérald Cyprien Lacroix, kryeipeshkëv i Québec-ut dhe me pjesëmarrjen e popullsive indigjene

Bazilika e Sainte-Anne-de-Beaupré, e vendosur në komunën me të njëjtin emër, përgjatë lumit Saint Lawrence, vetëm 30 km nga Québec City, është vendi më i lashtë i shtegtimit në Amerikën e Veriut. Këtu e kremton sot Papa Françesku meshën kushtuar pajtimit, në praninë e kardinalit Gérald Cyprien Lacroix, kryeipeshkëv i Québec-ut dhe me pjesëmarrjen e popullsive indigjene. Kisha, e shpallur kombëtare, mirëpret rreth një milion vizitorë çdo vit. Kushtuar Shën Anës, Shenjtores pajtore të provincës kanadeze, kisha e parë u ndërtua në 1658, për të vendosur aty shtatoren e mrekullueshme të Shën Anës. Më pas u zgjerua dhe u përtëri disa herë. Në vitin 1922, ndërtesa u shkatërrua nga zjarri. Ndërtimi i kishës së sotme nisi në vitet '20, bazuar mbi projektin e arkitektit parizian Maxime Roisin. U shugurua zyrtarisht në vitin 1976 nga Kardinali Maurice Roy.

Shenjtërorja e Sainte-Anne-de-Beaupré
Shenjtërorja e Sainte-Anne-de-Beaupré

Mrekullia e parë

Historia tregon se një nga ndërtuesit e parë të kishës, që vuante nga skolioza e rëndë, nisi të ecte pa paterica në fund të punimeve të ndërtimit, në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Qe shëruar. E kjo ishte mrekullia e parë e Shën Anës, që do të pasohej nga shumë e shumë të tjera, që vijojnë…


Vend shtegtimi e shërimesh…

 Bazilika është vend shtegtimi e shërimesh të mrekullueshme. Shumë nga vizitorët e sotëm e përkujtojnë mrekullinë e parë duke lënë një patericë përskaj derës së hyrjes.

Shenjtërorja e Sainte-Anne-de-Beaupré
Shenjtërorja e Sainte-Anne-de-Beaupré

Bazilikë e stolisur me kryevepra arti

Ndërtesa, me pesë navata në formë kryqi latin, e stilit neoromanik, ka, ndërmjet dy kumbonareve simetrike, shtatoren e Shën Anës, e cila shpëtoi mrekullisht nga zjarri, që e bëri pluhur e hi bazilikën e vjetër e, përbrenda, në tavan, një mozaik që paraqet jetën e Nënës së Marisë. Pastaj aty mund të soditësh 240 vetratat ngjyra-ngjyra dhe një mori pikturash realizuar nga artistë evropianë e kanadezë. Ndërmjet tyre spikasin: shtatorja e mrekullueshme e gjyshes së Jezusit, skalitur në dru lisi. Shenjtorja Pajtore, që paraqitet me të bijën, Marinë, ndër krahë, është e kurorëzuar me një kurorë ari, stolisur me diamante, rubinë e margaritarë, të duket si një nga kopjet më të bukura të Pieta-së së Mikelanxhelos, që ruhet në Shën Pjetër.

Para bazilikës, shtegtarët prehen një copë herë pranë një shatërvani të bukur, realizuar në vitin 2008, me rastin e kremtimit të Shenjtërore. Mbi vaskën prej bronzi lartohet një shtatore, që paraqet Shën Anën me të bijën, Marinë, vepër e skulptorit kanadez Émile Brunet.

Shenjtërorja e Sainte-Anne-de-Beaupré
Shenjtërorja e Sainte-Anne-de-Beaupré

Këtu nuk ka fund bukuria

Këtu nuk ka fund bukuria. Ndaj bazilika është gjithnjë plot me besimtarë e jo besimtarë, me njerëz që përhumben në lutje para gjithë këtyre mrekullive e të tjerë, që mahniten nga arti, i cili të flet me gjuhën qiellore, për bukurinë e shenjtërinë!

Në bazilikë mund të soditësh edhe kapela të tjera, një udhë Kryqi dhe një kopje të Shkallës Shenjte, që ndodhet në Romë e që këtu arriti rreth vitit 1890. Janë 28 këmbë shkalle, ngjitur nga Jezusi para se të dënohej nga Ponci Pilat. Në shenjtore mund të gjunjëzohsh edhe para tri relikeve të Shën Anës, njëra nga të cilat qe dhuruar nga Papa Leoni XIII, në vitin 1892.

Vend shenjt, që meriton të vizitohet, kjo Bazilikë shumë e përmendur për mrekulli shpirti e arti!

28 korrik 2022, 11:37