Katedralja e Pekinit u rihap pas gjashtë muajsh mbyllje për Covid
R.SH. - Vatikan
Besimtarë të moshuar dhe të rinj u rreshtuan të emocionuar para portës së Kishёs katedrale të Pekinit. Kjo është skena që, para agimit të 16 korrikut, i parapriu një dite plot momente prekëse për komunitetin katolik kinez. Lutja përpara shpellës së Zojës së Lourdes dhe lutja përpara altarit për të falënderuar Zotin shënuan këtë ditë të veçantë. Jo vetëm për rihapjen e Katedrales - pas gjashtë muajsh mbylljeje sipas dispozitave të qeverisë për të frenuar pandeminë - por edhe për kremtimin solemn të Sakramenteve të para të krishterë për 101 katekumenë, kryesisht të rritur. Këngët liturgjike, lutjet, buzëqeshjet, zërat e fëmijëve i mbushen edhe një herë hapësirat e Kishës, oborrin dhe sakristinë.
“Fidanët e rinj” të komunitetit
Pasdite, njofton agjencia Fides, pjesëmarrësit në kursin e 53-të të katekizmit u pagëzuan dhe morën Sakramentet e para të fesё sё krishterë, do tё thotё Pagёzimin, Përforcimin a Krezmimin dhe Eukaristinë, nga Imzot Jozef Li Shan, kryeipeshkёv i Pekinit. Fytyrave të emocionuara të tё krishterëve qё morën Sakramentet e para iu shtuan ato tё katekistëve, priftërinjve, murgeshave dhe vullnetarëve laikë që i shoqëruan katekumenët në udhëtimin e fesё gjatë pandemisë. Famullitari i Katedrales, At Jozef Zhao, i falënderoi tё gjithё ata që kontribuuan për të vazhduar në këtë rrugë. Dhe kërkoi nga të gjithë që të vazhdojnë t'i mbrojnë këto "fidane të reja" të komunitetit, që të rriten së bashku në Kishë, në rrugën e sinodalitetit.