Kërko

Shenjtërimi i Shën Françeskut të 'Asizit , nga Giotto Shenjtërimi i Shën Françeskut të 'Asizit , nga Giotto 

16 korrik 1228: Françesku, i Vobegti i Asizit, shenjt!

Kanë kaluar 794 vjet nga shenjtërimi i Shën Françeskut të Asizit, Pajtor i Italisë. Po e rijetojmë atë ditë përmes përshkrimit të biografit të tij, Tommaso da Celano

R. SH. - Vatikan

Është 16 korriku i vitit 1228: në Asizi Shën Françesku shpallet shenjt nga Papa Gregori IX vetëm dy vjet pas vdekjes. Shën Bonaventura, biograf i Françeskut, shkruan se Papa, për të qenë sa më objektiv, ua besoi vlerësimin e jetës dhe të mrekullive të Varfanjakut të Asizit “kardinajve, që dukeshin më pak të favorshëm”. Biografi tjetër i asizjanit, Tommaso da Celano, na e përshkruan kështu skenën e shenjtërimit:

“Kardinajtë, abatët dhe prelatët ardhur nga viset më të largëta të tokës, nxitojnë të mblidhen. Ndërmjet tyre, një mbret dhe një turmë e madhe kontash dhe pasanikësh (...) Në qendër, Papa me kokën e kurorëzuar në shenjë lumnie e shenjtërie”. Turma merr pjesë, në heshtje, në këtë ngjarje të papërsëritshme. Papa, ‘me duart e ngritura drejt qiellit, shqipton me zë bubullues formulën e shenjtërimit e, më pas, së bashku me kardinajtë, intonon Te Deum’”. (...) Turma - shkruan Tommaso da Celano - përgjigjet duke i kënduar lavde Zotit në kor. Vendi tundet nga mijëra zëra, ajri mbushet me himne lavdie, toka laget me lot”. Menjëherë pas shenjtërimit, Papa Gregori IX kërkon që, për nder të Shenjtit të ri, të ngrihej një bazilikë kushtuar Shën Françeskut në Asizi, për të ruajtur eshtrat e tij mortore.  Në vitin 1230, Papa urdhëroi që trupi i Shenjtit të mbartej nga kisha e Shën Gjergjit, në Bazilikën e re.

Kujtojmë se skena e treguar nga Tommaso da Celano, mund të soditet në një nga afresket e jetës së Shenjtit, realizuar nga piktori i famshëm italian, Giotto. Në këtë skenë, titulluar “Shenjtërimi i Françeskut nga Gregori IX” shohim turmën e gjunjëzuar dhe një strehë të madhe prej druri që mbulon Papën. Është kaq e gjallë kjo skenë, sa na duket se jemi duke marrë pjesë në atë kremtim të jashtëzakonshëm, historik, 749 vjet më parë…

16 korrik 2022, 11:59