Kërko

Shenjtërorja e Zarvanytsia, mikpritja e refugjatëve Shenjtërorja e Zarvanytsia, mikpritja e refugjatëve 

Ukrainë: Shenjtërorja, që fshin lotët

“Nuk duam ta shikojmë Kishën vetëm duke përsëritur Atynën e Falemimërinë! Duam të shikojmë Kishën Nënë, që shërben, atje ku e thërret zëri i Zotit, ku kërkohet jeta e vdiset në mënyra nga më të ndryshmet”. Me këtë frymë punohet në vendin më të njohur të adhurimit të Zotit në Ukrainë, qendër për të mirëpritur “endacakët” e luftës dhe për t’iu përgjigjur kërkesave nga më të ndryshmet

R.SH. - Vatikan

“Bëjmë çmos që të shpërngulurit që mbërrijnë këtu, të mos mbyllen në vetvete, të mos i humbasin shpresat, por ta ndjejnë se në këtë tragjedi, në këtë fatkeqësi, në këtë mënxyrë, nuk janë vetëm, të braktisur. Ka kush ua shtrin dorën! Kisha është gjithnjë pranë tyre” - kështu shprehet dom Ivan Sichkaryk, prifti greko-katolik i kryeheparkisë së Ternopil-Zboriv (Ukraina perëndimore), duke folur për mirëpritjen e të shpërngulurve në tempullin marian të Zarvanitsia, një nga më të famshmit jo vetëm në Ukrainë. Pikërisht këtu, më 25 mars, në ditën kur Papa Françesku ia kushtoi njerëzimin, veçanërisht Ukrainën dhe Rusinë, Zemrës së Papërlyer të Marisë, kreu i Kishës Greko-Katolike, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, shqiptoi të njëjtat fjalë të aktit të kushtimit, duke u lidhur me Bazilikën e Shën Pjetrit dhe shenjtëroret e tjera në botë.

Më 31 maj, kleri dhe besimtarët u mblodhën në këtë faltore për t’u lidhur në transmetim me Rruzaren për paqen, kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. E ndërsa para luftës, Zarvanytsia mirëpriste shtegtarët, për t’u ofruar ushqim shpirtëror, në më shumë se katër muajt e fundit, ky vend i hapi krahët për të gjithë ata, që ikin nga lindja, veriu dhe jugu i Ukrainës - viset më të prekura nga pushtimi rus. Këtu zakonisht strehohen  mbi 500 vetë: disa rrinë më gjatë, të tjerë, pas një periudhe të shkurtër, vazhdojnë shtegtimin në vise të tjera, në perëndim të vendit ose jashtë tij!

Mirëpritja e refugjatëve ukrainas
Mirëpritja e refugjatëve ukrainas

Kisha ndihmon për të kapërcyer

“Këtu vijnë ata që kanë humbur çdo shpresë, e gjejnë strehë, ushqim, veshmbathje, ilaçe… - shpjegon Dom Ivan. - Nëse kanë nevojë, u telefonojmë edhe mjekëve. E nëse ndokush ka probleme më serioze, e shoqërojmë në spitalet aty pranë. Shumë njerëz erdhën këtu, pasi kaluan disa javë në strehime të rastit, në të ftohtë. Të ngarkuar me probleme shëndetësore.

Dom Ivan kujton se në ditët e para pas mbërritjes së tyre, të shpërngulurit janë aq të tronditur, sa kanë harruar edhe të flasin: kanë humbur gjithçka dhe nuk e kuptojnë pse! Duhet të kalojë një javë - vazhdon prifti, - që ata të fillojnë të tregojnë çka ndodhi në jetën e tyre. Vetëm atëhere mund t’u propozojmë të flasin me priftërinjtë e me psikologët, të kërkojnë ndihmë. Bëjmë gjithçka është e mundur, që ata të mos mbyllen në vetvete, të  mos i humbasin shpresat, ta ndiejnë se në këtë tragjedi, në këtë zezonë, nuk janë vetëm, të braktisur. Kisha është aty për  t’ua shtrirë dorën.

Në punë për organizimin e mikpritjes së refugjatëve ukrainas
Në punë për organizimin e mikpritjes së refugjatëve ukrainas

 Njëheresh me korpin, edhe shërimi i shpirtit

Zarvanytsia ka qenë gjithmonë e hapur për shtegtarët e konfesioneve të ndryshme. Edhe tani, mikpriten të gjithë ata, që kanë nevojë. “Na dhimbsen këta njerëz - pohon Dom Ivan Sichkaryk - dhe bëjmë çmos që këtu, përmes përvojës së drejtpërdrejtë, të zbulojnë se ky është vërtet vend i shenjtë. Ne organizojmë edhe kurse të ndryshme, udhëtime, ekskursione  për t’i ndihmuar të harrojnë për disa çaste mendimin shtypës se kanë humbur gjithçka: të afërmit, shtëpinë, punën, mjetet e jetesës. Të harrojnë se lufta, në një mënyrë jashtëzakonisht brutale, shkatërron pasuritë njerëzore. Për këtë arsye psikologët dhe priftërinjtë përpiqen t’i ndihmojnë  ta kapërcejnë këtë çast dramatik dhe të rizbulojnë se jeta vazhdon, se nuk i kanë humbur të gjitha shpresat, se Zoti vazhdon të na prijë përmes njerëzve të caktuar dhe rrethanave të caktuara. Ne duam që ata të jenë në gjendje ta shohin Kishën jo vetëm “si vend i lutjes, ku thuhet Atyna dhe Falemimëria, por të kuptojnë se Kisha është nënë, që mirëpret, që shërben, që ndihmon në mënyra të ndryshme".

Prifti greko-katolik kujton se disa refugjatë morën pjesë në Rruzaren për paqe në lidhje me Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Disa çifte me kurorë civile, pas periudhës së përgatitjes, vendosën të marrin sakramentin e martesës, të tjerë kërkuan pagëzimin për fëmijët e tyre. “Këtu shumë njerëz rizbuluan vlerën e marrëdhënieve njerëzore, të jetës dhe të bekimit të Zotit  - kujton Dom Ivani - Qëndrimi i tyre në një vend të shenjtë i ndihmon jo vetëm të sigurojnë strehim, ushqim etj.etj., por edhe të provojnë  dashurinë e Zotit, përmes shërbimit që u ofrojmë”.

Mbështetja mjekësore për refugjatët
Mbështetja mjekësore për refugjatët

Në vuajtje, Shkrimi i Shenjtë tregon rrugën

“Ne, të krishterët, që jemi njerëz të fesë, ose të paktën përpiqemi të jemi - shpjegon prifti - morëm zotimin e shpëtimit nëpërmjet sakramentit të Pagëzimit. Në jetë, ka situata të ngjashme me atë që jetoi Moisiu me njerëzit e zgjedhur, përballë Detit të Kuq: perpara është deti, mbrapa - ushtria e faraonit: nuk ka rrugëdalje. Edhe të krishteret janë njerez që e shohin gjendjen e rendë e u duket se gjithcka ka marrë fund, por nga zemra, nëpërmjet fesë, i drejtohen Zotit me lutje: “Unë besoj se Ti do të na ndihmosh edhe në këtë situatë dhe do të na shpëtosh”. Prandaj është kaq e rëndësishme ta ndjejmë praninë e gjallë të Zotit në jetën tonë, përmes lutjes. Sepse asgjë nuk ndodh rastësisht! Historinë e drejton Zoti e Atij të Lumit ia besojme jeten. Prandaj shpresa na shtyn te bëjmë gjëra konkrete, t’i ndihmojmë të tjerët. Sa shume njerëz në këto ngjarje dramatike zbuluan se mund të jenë te dobishëm, se mund të shërbejnë, të bëjnë diçka që duket fare e vogël, por që më pas bëhet diçka e madhe, e domosdoshme”.

27 qershor 2022, 15:52