Ukraina na mëson vlerën e durimit
R.SH. - Vatikan
Sot, në Videomesazhin e ri të Kishës Katolike Greke, Ukraina na mëson vlerën e durimit, fryt i Shpirtit Shenjt. Videomesazhi i ri i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, na kujton se kur flasim për vlerën e durimit si fryt i Shpirtit Shenjt, shohim fytyrën e Zotit. Flasim me Zotin tonë, që është durimtar i madh me njeriun! Zoti nuk e do vdekjen e mëkatarit, e di të presë gjatë, të krijojë kohën e hapësirën e nevojshme, që mëkatari të pendohet, të heqë dorë nga ligësia e tij, nga mëkati i tij e të nisë e të jetojë. Duhet kujtuar edhe se durimi është fryt i Shpirtit Shenjt, e, prej këndej, tipar i të krishterit! Të jesh i durueshëm me të ligshtit, nuk do të thotë ta lavdërosh mëkatin a të keqen. Do të thotë të kesh mëshirë për ta e të bësh çmos t’i shërosh nga mëkati. Po ky durim, si fryt i Shpirtit Shenjt, ka edhe një karakteristikë tjetër.
Në jetën e krishterë ka shumë rëndësi të ngulësh këmbë në të mirën. E kjo vlen edhe për ne, sepse shpesh duam ta kuptojmë gjithçka me një frymë. Një i ri thoshte: “Nuk e di se çka dua, por e dua menjëherë!”.
Por menjëherë nuk mund të bëhet asgjë. Vetëm durimi e ndihmon njeriun ta kapërcejë çdo rrezik e vështirësi!
E sa nevojë kemi sot për këtë virtyt. Sepse kështu mund ta vijojmë udhën tonë shpirtërore, profesionale. E mund ta vijojmë me të njëjtin durim edhe luftën tonë. Do të ishte një tip i fitores, i ngadhënjimit mbi të keqen, mbi pushtuesin rus!
Sot themi: “Zot, të falënderojmë që po na jep durim. Me ligështitë tona. Edhe me pabesinë e kërcënimin. Na ndihmo të jemi të mirë deri në vdekje. O Zot, na jep forcë në luftën për lirinë e Atmes sonë!”.
Zoti e bekoftë Ukrainën, e bekoftë ushtrinë ukrainase! Zot, na jep durimin të presim ditën e fitores!