Kërko

2022.06.06 Vescovo Pavlo Honcharuk 2022.06.06 Vescovo Pavlo Honcharuk

Ukraina, ipeshkvi i Kharkiv: në mes tmerreve të luftës, Feja na ngushëllon si përqafim

Njëra nga dioqezat më të mëdha në vend është ndër zonat më të prekura nga konflikti dhe pjesërisht e pushtuar nga trupat ruse. Imzot Pavlo Honcharuk, në të kaluarën kapelan ushtarak, që i njeh mirë vuajtjet e shkaktuara nga lufta, tregon sesi po jeton popullata këto ditë, ndërmjet nevojave materiale dhe nevojës për të harruar për një ças tmerret që e rrethojnë: “Ndonjëherë mjafton të përqafohemi dhe të kujtojmë se Zoti është pranë nesh”

R.SH. - Vatikan

“Dioqeza ime është shumë e gjerë, me sipërfaqe prej 196 mijë km². Një pjesë e madhe e saj tashmë është e pushtuar nga trupat ruse” - me këto fjalë na pret imzot Pavlo Honcharuk, ipeshkëv i dioqezës latine të Kharkiv-Zaporizhia, në vijën e frontit. Një zonë që përfshin shtatë, nga njëzet e pesë rajonet e Ukrainës. Kuria dioqezane ndodhet në Kharkiv dhe konkatedralja, në Zaporizhia, ku banon ipeshkvi- ndihmës Jan Sobilo. Dy qytete kyçe në konfliktin, që vijon prej më shumë se njëqind ditësh. “Në zonat e pushtuara nuk ka priftërinj - shpjegon prelati - ndërsa   në pjesët e papushtuara, misioni më i rëndësishëm i meshtarëve është të jenë pranë njerëzve, të komunikojnë, të luten me ta. Këtë shërbim presin nga Kisha”.

Por, të dëgjojmë intervistën me Imzot Pavlo Honcharuk:

Situata humanitare dhe ndihma

“Në zonat ku ka luftime – kujton Imzot Honcharuk - situata humanitare është shumë tragjike! E është shumë e rrezikshme të shkosh atje dhe të çosh ushqime ose ilaçe. Kush shkon, e ka vdekjen mbi kokë, prandaj shumë pak njerëz arrijnë gjallë deri atje”. Në vende jo shumë larg vijës së frontit, 10-20 km larg, situtata është pak më e qetë, si në Kharkiv, ku kohët e fundit po kthehen shumë të ikur. “Tashmë ka shumë njerëz në qytet - vijon prelati - por problemi është se kanë humbur shtëpitë. E shumë prej tyre janë pa punë: disa shoqëri u shkatërruan plotësisht, madje edhe tregjet ku punonin shumica, u dogjën ose u dëmtuan. Prej këndej, shumica e banorëve nuk kanë para as për të blerë bukën, kanë nevojë për rroba, këpucë, ushqim, ilaçe dhe strehim, kanë nevojë edhe për mirëkuptim e mbështetje. Ka shumë, shumë nevoja”.

Këta njerëz po i ndihmojnë organizata të ndryshme humanitare e, natyrisht, Kisha. Dioqeza e Kharkiv-Zaporizhia po e bën këtë falë ndihmës që vjen nga Polonia dhe nga famullitë e Ukrainës perëndimore. Nëpërmjet Caritas-it dioqezan shpërndahen ushqime, ilaçe e shumë të tjera. Shumë vullnetarë mbërrijnë për të dhënë një dorë dhe për të sjellë furnizime për ata që kanë nevojë edhe në fshatrat fqinje. Në këtë proces përfshihet edhe policia lokale: policët e marrin ndihmën nga Caritas dhe e çojnë drejpërdrejtë në shtëpitë e atyre, që jetojnë çaste vërtet tragjike!”.

Jetë me vdekjen pranë

Në moshën 44-vjeçare, Imzot Pavlo Honcharuk është ndër ipeshkvijtë katolikë më të rinj në botë. U emërua në Kharkiv-Zaporizhia në janar 2020. Vetëm dy vjet pas shugurimit të tij, në Ukrainë krisi lufta. Ndër shërbimet e tij, para se të shgurohej ipeshkëv, ishte edhe ai i kapelanit ushtarak. “Ajo përvojë sigurisht që më ndihmon tani - nënvizon - sepse kur filluan luftimet, shpërthimet dhe gjithçka tjetër, tronditja nuk ishte aq e fortë sa të më largonte nga detyra. Mund t'i kryeja normalisht angazhimet e mia, të merrja vendime dhe t’u shërbeja njerëzve, ndaj nuk kisha nevojë të përshtatesha me situatën e re. Situatë e ngarkuar me kërcënime, me shpërthime, me vdekje. Pikërisht vdekjen e ke më pranë se këdo tjetër! Por, të gjitha këto i kisha përjetuar më parë si kapelan”.

E njëjta përvojë e mësoi prelatin të komunikonte me ushtarët, të shumtë në rajonin e Kharkiv. “Shumica e njerëzve të këtushëm po përjetojnë stres - vazhdon ai -  e detyra ime është t’i ndihmoj: t’u kushtoj vëmendje, t’u them fjalë qetësuese, ose, kur nuk ka më fjalë, më mbetet veçse t’i përqafoj... Kam mësuar tashmë, çfarë duhet të bëj dhe, mbi të gjitha, çfarë nuk duhet të bëj, gjë që më ndihmon shumë për të shmangur veprimet e fjalët e gabuara. Prandaj, unë mendoj se Zoti, me Provaninë e Tij, më përgatiti disi për këtë ".

Përballë pyetjeve të vështira

Në mes të kaq shumë vuajtjeve, kaq shumë dhimbjeve, në luftë të lindin një mori pyetjesh, shumë prej të cilave i drejtohen edhe Zotit. Nga përvoja  e bisedave me njerëzit - rrëfen imzot Honcharuk - mund të them se, kur një person beson fort në Zotin dhe ka marrëdhënie me Të, nuk nis të pyesë: ‘Po pse? Kush e ka fajin? Kaq mëkatarë të mëdhenj paskemi qenë? A nuk ka edhe mëkatarë të tjerë...? Ku është Zoti? Ku e kë shikon?’ Ata që kanë besim e kuptojnë shkakun, nga buron e keqja: është mëkati! Nëpërmjet mëkatit njeriu lejon që mbi të të ngadhënjejë fuqia e errësirës.. Kur bëjmë keq, domethënë se ia hapim portën djallit, që të vijë dhe të na e marrë jetën. Besimi te Zoti siguron bazën e fortë, që të ndihmon për të mbajtur barrën e rëndë të padrejtësisë dhe për të mbijetuar jo vetëm gjatë luftës, por në përgjithësi në jetë. Ne, meshtarët, mund të dëshmojmë se besimi në Zotin, prania e Zotit, është shumë, shumë e nevojshme. Të jep forcë për t’i bërë ballë çdo goditjeje. Sepse ne nuk mund ta shpjegojmë gjithçka e sepse shpjegimi nuk e zvogëlon barrën. Por kur Zoti ta forcon zemrën, atëherë mund të përballohet çdo barrë”.

Ipeshkvi pohoi se ndonjëherë njerëzit ende i drejtohen atij me këto pyetje. Në këto raste, thotë ai, duhet dëgjuar me dhembshuri. Ndoshta dikush ka humbur një të dashur, dikush ka parë ose përjetuar gjëra të tmerrshme ... "Ndonjëherë duhet vetëm ta përqafosh këtë njeri, ta lësh të qajë, të ulërijë, sepse ka shumë dhimbje” - vazhdon prelati. E unë u drejtoj këto fjalë: “Zoti është pranë jush, tani mund të ktheheni tek Ai, ai do t’ju përqafojë, do t’ju japë forcë ...”. Këtu zakonisht ndodh një mrekulli: njeriu nis të qajë dhe më pas thotë: “Faleminderit, ndjehem më mirë”. Prandaj, në këto situata është e vështirë të kërkosh shpjegime teologjike, sepse dhimbja është tepër e madhe. Por Zoti është shumë pranë nesh dhe na përqafon, mjafton vetëm ta lexojmë dhe ta njohim këtë prani të Zotit”.

Lutja e Kishës

Më 31 maj, Papa Françesku kryesoi lutjen për paqen në botë, ku mori pjesë edhe bashkësia ukrainase e Romës. Kjo lutje, ashtu si gjestet dhe fjalët e Atit të Shenjtë, me të cilat u shpreh afërsinë njerëzve të vuajtur, vlerësohen shumë si nga katolikët, ashtu edhe nga i gjithë populli në Ukrainë: “Lutja e Kishës universale - thotë imzot Pavlo Honcharuk - është lutja e Jezu Krishtit. Nëpërmjet lutjes ne i afrohemi Zotit dhe Zoti na afrohet ne, pra ne jemi në Të dhe kur e kemi, Ai është gjithçka që na nevojitet. Prej këndej, vetëdija se e gjithë Kisha lutet për ne e na fton të kuptojmë se jemi të përfshirë në diçka shumë të madhe, domethënë në pasurinë e trupit mistik i Jezu Krishtit. Ai është këtu, ne nuk jemi vetëm, Ai është afër dhe e gjithë Kisha po lutet për ne. Ky është unitet. Është e vështirë për mua të gjej fjalët e duhura për ta shprehur këtë, por kjo mbështetje rrit besimin se në fund Zoti do të na japë hirin, prej nga buron forca, paqja, guximi shpirtëror. Domethënia e kësaj lutjeje universale të Kishës është shumë, shumë i thellë”.

07 qershor 2022, 12:48