Kërko

2021.06.19 Portavoci CCEE (archivio) 2021.06.19 Portavoci CCEE (archivio)

Tiranë, zëdhënësit e Ipeshkvijve Europianë ballafaqohen mbi luftën dhe Sinodin

Aktiviteti treditor që mbledh bashkë komunikuesit e Konferencave të ndryshme të Ipeshkvijve Evropianë, u hap sot në Tiranë për të reflektuar mbi sfidat e Kishës lidhur me konfliktin në Ukrainë dhe udhën kishtare nisur nga Papa

R.SH. - Vatikan

Aktiviteti treditor që mbledh bashkë komunikuesit e Konferencave të ndryshme të Ipeshkvijve Evropianë, u hap sot në Tiranë për të reflektuar mbi sfidat e Kishës lidhur me konfliktin në Ukrainë dhe udhën kishtare  nisur nga Papa. Don Ammirati, zv. president i CCEE(Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, pohon: kriza aktuale në Kontinentin e vjetër na shtyn t’i bashkojmë traditat e ndryshme shpirtërore të popujve evropianë

Zëdhënësit e Ipeshkvijve Europianë, mbi luftën dhe Sinodin

“Angazhimi për paqen dhe udha sinodale: çfarë Evrope?”. Kjo, tema e mbledhjes së zëdhënësve dhe zyrtarëve të shtypit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë, e cila hapet pasditen e sotme në Tiranë, Shqipëri dhe përfundon të shtunën e ardhshme. Takimi i parë, që nga fillimi i pandemisë, sillet rreth kësaj teme.

Sfidat në tryezën e bisedimeve

Ka shumë sfida në tryezën e komunikuesve të kishave evropiane, si pritja e refugjatëve dhe e emigrantëve ukrainas, ushtrimi i dëgjimit në procesin sinodal, ndihma baritore e besimtarëve, dimri demografik, mbrojtja e jetës dhe vënia e njeriut në qendër të vëmendjes. Të dëgjojmë intervistën me don Antonio Ammiratin, zëvendës sekretar i përgjithshëm dhe zëdhënës për Këshillin e Konferencave Episkopale Evropiane (Ccee)

Si do të trajtohet tema e udhës sinodale?

“Udha sinodale do të jetë e para nga temat e trajtuara. Të gjithë zëdhënësit pasi të flasin për udhën e sinodit në nivelin e Kishës universale, do të sjellin edhe përvojën e fituar në kombet e tyre. Do të rrëfejnë se si i kanë jetuar këto dy faza të para të sinodit (universale dhe kombëtare ) dhe kjo do të shërbejë për të përgatitur propozimet për fazën e tretë, përkatësisht atë kontinentale”.

Ç’mund të na thoni për përvojën e udhës sinodale, jetuar në kishat e ndryshme lokale?

“U jetua me entuziazëm dhe pjesëmarrje të madhe. Çdo përvojë ipeshkvnore qe përgatitur për t’u dëgjuar. Më pas pjesëmarrëve të mbledhur në grupe iu ndanë pyetësorë, që të mund t’i përgatisnin propozimet. Në fazën kombëtare propozimet u mblodhën. Konferencat e ipeshkvijve evropianë mblidhen në kohë të ndryshme, por tani, pas shkëmbimit të përvojave, nga ky dëgjim i përbashkët do të dalin propozime konkrete për fazën kontinentale, që do të na ribashkojë në Pragë nga 12 deri më 15 shkurt 2023”.

Në fazën sinodale nisi lufta në Ukrainë: pse vendosët të merreni edhe me këtë temë?

“Nuk mund të mos e kishim parasysh atë që po ndodh në një nga vendet evropiane. Prej këndej, titulli i takimit tonë, nevoja për të kuptuar se cila Evropë do të dalë nga ky konflikt dhe cili do të jetë roli i Kishës. Shumë refugjatë i gjetën portat hapur në vendet fqinje, ndaj është e nevojshme t’u ofrohet mikpritja, shërbimet për një jetë normale dhe integrimi. Por, mbi të gjitha, u duhet dhënë ndihmë shpirtërore dhe baritore, gjë që në situata të tilla është e vështirë t’u sigurohet. E këtu është nevoja për të kuptuar sfidat me të cilat përballet Kisha për të mirëpritur jo vetëm ukrainasit, por të gjithë njerëzit që trokasin në dyert e Evropës”.

A mund të jetë kjo situatë një mundësi edhe për Kishën Evropiane?

“Pa dyshim, ne kemi mundësinë të bashkojmë traditat e ndryshme shpirtërore, ndjenjën e besimit që kanë popujt e ndryshëm evropianë. Mirëpritja bëhet, kështu, një çast i pasurimit, përmes njohjes së traditave dhe të udhës shpirtërore të popujve të ndryshëm evropianë”

Çfarë sfidash i presin kishat evropiane, në përgjithësi?

“Janë të shumta! Po dalim nga një pandemi, që do të ndikojë mbi jetën e brezave të ardhshëm, ashtu si dhe pasojat e luftës do të ndihen për një kohë të gjatë në të gjithë Evropën. Më pas sfida është ta rivemë njeriun në qendër të vëmendjes, të krijojmë bindjen se çdo njeri ka të drejtë të jetë i qetë në tokën ku ka lindur, të jetë në gjendje të realizojë  ardhmërinë e tij. Prandaj duhet nisur nga qendërsia e njeriut, nga mbrojtja e jetës, nga investimi për familjen, që të bëhet bërthama e rritjes demografike, sociale dhe ekonomike. Në dritën e gjithë kësaj, kuptohet sesi mund të përmirësohet shërbimi, që ofron Kisha në Evropë”.

Kush do t’i pasurojë ndërhyrjet mbi këto çështje në takimin e Tiranës?

“Për luftën në Ukrainë, për një analizë gjeopolitike dhe për sfidat e Kishës do të dëgjojmë reportazhin e At Giulio Albanese, misionar dhe gazetar Kombonian. Ndërsa për Sinodin, përpara përfaqësuesve të Konferencave të ndryshme Ipeshkvore Evropiane, do të dëgjojmë ndërhyrjen e drejtoreshës së Drejtorisë Teologjike-Baritore të Dikasterit për Komunikim, Natasha Govekar, që do të flasë për situatën në përgjithësi dhe për përgatitjen e Asamblesë të Përgjithshme të 16-të”.

09 qershor 2022, 13:30