Kërko

Analizë për koronavirusin Analizë për koronavirusin

Karitasi për sfidat e Covid-19: të hiqen të drejtat e pronësisë intelektuale për vendet në zhvillim

Caritas Internationalis u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për të gjitha teknologjitë mjekësore, në mënyrë që të mbështesin shkëmbimin e informacionit dhe të transferimit të teknologjisë në vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar t’u bëjnë ballë sfidave të pandemisë Covid-19

R.SH. - Vatikan

Me rastin e Konferencës XII të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), që u hap dje në Gjenevë, në rangun e ministrave e do të përfundojë më 15 qershor, Caritas Internationalis u bën thirrje vendeve anëtare të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për të gjitha teknologjitë mjekësore, në mënyrë që të mbështesin shkëmbimin e informacionit dhe të transferimit të teknologjisë në vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar t’u bëjnë ballë sfidave të pandemisë Covid-19.

Pas 18 muaj bisedimesh mbi Marrëveshjen e OBT-së për të drejtat e pronësisë intelektuale të lidhura me tregtinë (TRIPS), Caritas Internationalis shpreson që realiteti i krijuar nga pandemia t’ua hapë dyert kërkimit dhe zbatimit të zgjidhjeve të frytshme dhe gjithëpërfshirëse për të përballuar sfidat, që vënë në rrezik jetën e më të varfërve të botës. Nëse hiqet dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale, së paku për periudhën e pandemisë, vendet më të varfëra do të kishin mundësi për të prodhuar vaksina, duke përforcuar kështu sistemet e tyre shëndetësore. Kjo është e parealizueshme nëse nuk u jepen atyre, pa taksa e detyrime, njohuritë e nevojshme, të cilat përfshijnë formimin dhe asistencën në prodhimin e vaksinave.

Mundësi të barabarta për vaksinim

“Kujdesi shëndetësor është e drejtë themelore e çdo njeriu, në çdo rrethanë, veçanërisht gjatë pandemisë – pohon Sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Aloysius John. – Pas pandemisë Covid-19, e cila vazhdon të ketë ndikim në jetën e miliona njerëzve në mbarë botën, është më se e nevojshme që qytetarët e vendeve në zhvillim të kenë mundësi të barabarta për vaksinim”.

Sipas statistikave të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, në vendet me të ardhura të ulta, vetëm 17,6% e njerëzve kanë marrë të paktën një dozë vaksine, në krahasim me 72,2% në vendet me të ardhura të larta. Por të varfërit janë më të ekspozuarit ndaj sëmundjeve dhe ndikimit të tyre, nënvizon Karitasi në njoftimin e tij për shtyp.

Marrëveshja për të drejtat intelektuale vendos pengesa të reja

Caritas Internationalis u kujton anëtarëve të Organizatës Botërore të Tregtisë, që marrin pjesë në Konferencën Ministrore të këtij viti, se marrëveshja për të drejtat intelektuale, e arritur me kompromis, parashikon pengesa të reja për vendet, që duan të heqin, së paku përkohësisht, barrierat e pronësisë intelektuale dhe të rrisin prodhimin e barnave kundër Covid-19. Gjithashtu, ajo nuk trajton të gjitha llojet e pengesave të pronësisë intelektuale, që pengojnë përhapjen e tekonologjive kundër pandemisë, si edhe nuk përfshin produktet terapeutike dhe diagnostikuese, duke përjashtuar shumë shtete.

“U kërkojmë urgjentisht të gjitha vendeve të marrin vendime, që respektojnë të drejtat e njeriut, duke siguruar ruajtjen e dinjitetit të çdo individi dhe mbizotërimin e drejtësisë shoqërore”, përfundon Sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Aloysius John.

13 qershor 2022, 11:42