Kërko

Takimi i ipeshkvijve përgjegjës pёr ushtarakët e BE-së në Bruksel

At Barrios Prieto, Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit të Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (Comece), siguria dhe mbrojtja në BE "përputhen me parimet e proporcionalitetit dhe përshtatshmërisë"

R.SH. – Vatikan

“Për sa i përket rrezikut të një gare tё re tё riarmatimi në Evropë, ne mendojmë se BE-ja dhe Shtetet e saj anëtare duhet të angazhohen në një mënyrë të përgjegjshme dhe bashkëpunuese për çështjet e sigurisë, duke i zhvilluar mjetet e mbrojtjes evropiane nё fushën e një qasjeje integrale, e cila merr parasysh edhe zhvillimin njerëzor, drejtësinё dhe kujdesin për krijimin. Kjo duhet të arrihet duke garantuar kontrollin rigoroz publik - nga parlamenti i BE-së dhe parlamentet kombëtare - mbi respektimin e parimeve të proporcionalitetit dhe përshtatshmërisë, respektimit të ligjit ndërkombëtar, të drejtave të njeriut dhe standardeve etike". Kështu pohoi pёr agjencinё e lajmeve SIR, At Manuel Barrios Prieto, Sekretar i Përgjithshëm i COMECE ( Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian) në përfundim të takimit të djeshëm të ordinariateve  a dioqezave përgjegjëse pёr ushtarakёt në BE mbajtur në Bruksel.

"Në kuadrin e misionit të saj të dialogut me institucionet e BE-së", për herë të dytë,  Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian mblodhi së bashku ipeshkvijtë dhe dioqezat ushtarake të Shteteve Anëtare të BE-së në Bruksel për një shkëmbim mbi "sfidat aktuale dhe emergjente për politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët" në dritën e pushtimit rus të Ukrainës.

Në takim morën pjesë zyrtarë evropianë dhe stafi ushtarak i BE-së gjenerali Bart Laurent. Gjatë takimit, pjesëmarrësit nёnvizuan "rolin specifik të BE-së në promovimin e sigurisë njerëzore dhe paqes". “Në fakt – vëren sekretari i përgjithshëm i ipeshkvijve të BE-së – pushtimi rus i Ukrainës jo vetëm që ka sjellë luftë në vend, por ka vënë në pikëpyetje edhe të gjithë rendin e sigurisë në Evropë dhe në botë”.

Takimi i djeshëm në selinë e Komisionit tё Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (Comece) u zhvillua ndërkohë që lajmet për një garё tё re armatimi ndoqën njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës, me Uashingtonin, nga njëra anë, duke njoftuar dërgimin e sistemeve të sofistikuara të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë dhe me kritikat ndaj saj tё zëdhënësit tё Kremlinit, Dmitry Peskov, nga ana tjetër, i cili e përkufizoi ashpër lëvizjen e Presidentit Biden si "hedhje e benzinёs në zjarr".

I pyetur nga agjencia e lajmeve Sir për çështjen e rritjes sё qarkullimit të armëve për shkak të krizës në Ukrainë, At Barrios Prieto tha: "Ne mendojmë se për të shmangur pёrforcimin e një dinamike armatimi në Evropë dhe në botë, është i nevojshëm njё bashkëpunim në çështjen e mbrojtjes ndërmjet shteteve anëtare të BE-së qё shkon paralelisht me një angazhim shumëpalësh për çarmatimin dhe politikat që respektojnë në mënyrë efektive dhe koherente, rregullat ekzistuese të BE-së për eksportimin e armëve. Është gjithashtu e rëndësishme që kjo të mos u shërbejë ekskluzivisht interesave private të industrisë së armëve, por të vihet kryesisht në shërbim të sigurisë së individëve, familjeve dhe komuniteteve”.

Sekretari i përgjithshëm i ipeshkvijve të BE-së shpjegon se, i frymëzuar nga Letra Enciklike e Papёs Françesku "Vëllezër të gjithë", Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (Comece) promovon vizionin e "një arkitekture të re paqeje të bazuar në një etikë globale solidariteti dhe bashkëpunimi në shërbim të një të ardhmeje të formuar nga ndërvarësia dhe përgjegjësia e përbashkët në të gjithë familjen njerëzore”. “Takimi qe i rëndësishëm – përfundon At Barrios Prieto – edhe për të identifikuar mënyrat sesi ipeshkvijtё përgjegjës pёr ushtarët mund të kontribuojnë në këtë proces, falë specifikës së tyre: ata qëndrojnë në terren gjatë të gjitha fazave të ciklit të konfliktit, duke shoqëruar pjesëtarët e forcave të armatosura, por edhe duke qëndruan pranë civilëve, pёr promovuar ndërkulturën dhe dialogun ndërfetar”.

02 qershor 2022, 13:24