Kërko

Atë Andriy Zelinskyy, kapelan ushtarak i Kishës greko-katolike ukrainase Atë Andriy Zelinskyy, kapelan ushtarak i Kishës greko-katolike ukrainase  

Ukraina: misioni i kapelanëve ushtarakë ndërmjet tmerreve të luftës

At Andriy Zelinskyy: “Misioni është gjithmonë i njëjtë, por në rrethana të tjera. Nëse nuk është e mundur të jemi diku pranë ushtrisë, atëherë jemi pranë civilëve, duke shpërndarë ndihma humanitare.

R. SH. - Vatikan

Si është e mundur që njeriu të jetë kaq mizor? Si mund të shndërrohet kaq lehtë e vërteta në gënjeshtër? Si mund të errësohet kështu, pa pikën e turpit? Si mund të quhet i ndershmi i pandershëm e anasjlltas? E në fronin e sundimtarit të ulen qetësisht të pandershmit? Që synojnë të mbajnë në dorë frenat e botës? Këto janë disa nga pyetjet, që bën Atë Andriy Zelinskyy gjatë intervistës me Vatican News. Kreu i departamentit të kapelanëve ushtarakë të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës thekson se që kur shpërtheu konflikti, në vend nuk ka më asnjë zonë të sigurt.

Por, ta dëgjojmë intervistën me Atin Andriy Zelinskyy:

Si ka ndryshuar misioni i kapelanëve ushtarakë, në krahasim me paraluftën?

“Ka ndryshuar jo vetëm misioni i kapelanëve, por edhe perceptimi i realitetit nga populli ukrainas. Që nga shpërthimi i konfliktit, më 24 shkurt,  jeta ndryshoi: sot në Ukrainë nuk ka më asnjë cak ​​të sigurt. Kërcënimi ka mbërthyer në kthetrat e veta gjithë vendin. Kudo ka bombardime e fluturojnë raketa. Ndërsa misioni i kapelanëve është gjithmonë i njëjti, ndonëse në rrethana të tjera. Nëse nuk mund të jemi pranë ushtrisë, atëherë jemi përkrah civilëve, duke shpërndarë ndihma humanitare, pa të cilat jeta do të ishte gati e pamundur”.

Sfidat kryesore me të cilat përballen kapelanët në këtë periudhë?

“Kryesisht sfida shpirtërore. Na lindin një mori pyetjesh. Pyetja e parë, ndoshta, është kjo: ‘Pse nuk e ndaluam këtë luftë më shpejt?’. Për të vijuar me një breshëri të tjerash: ‘Si është e mundur që njeriu të jetë kaq mizor? Të kryejë akte barbare pa pikë arsyeje? Si ndodh që e vërteta në kohën tonë është kaq e ligshtë dhe mund të errësohet kaq lehtë?’. Së fundmi, po kujtoj se Departamenti i Kapelanëve Ushtarakë të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës botoi një broshurë, titulluar “Katekizmi i ushtarit të krishterë”. Është një doracak i vogël, me tekste të shkëputura nga katekizmi i Kishës katolike ose nga katekizmi i Kishës greko-katolike ukrainase. Janë mësime të Kishës, që kanë të bëjnë me të mirën e përbashkët dhe të drejtën e mbrojtjes së ligjshme. Pastaj edhe përgjigje për pyetjet më aktuale: për vdekjen, për mëkatin, për paqen. Tejet të rëndësishme për ushtrinë, që përpiqet të ruajë vlerat e krishtera, nësa përreth endet lirisht fantazma e vdekjes!”.

07 maj 2022, 11:37