Thirrja e Patriarkut kaldeas drejtuar politikanëve: formoni qeverinë. Ua keni borxh irakianëve
R. SH. - Vatikan
Patriarku kaldeas, Kardinali Louis Raphael Sako, u bëri thirrje politikanëve irakianë të nxitojnë për të formuar një qeveri të re:
“Kaluan më se pesë muaj nga zgjedhjet legjislative e vendi pret me ankth formimin e qeverisë së dëshiruar, frenuar nga ambicjet personale dhe partiake".
Qytetarët - kujton Kardinali Sako - janë “të lodhur nga 19 vite të errëta konflikti, dhune, terrori, falimentimi, korrupsioni, padrejtësie”. Përballë këtij realiteti të hidhur, çdo deputet duhet të kuptojë se i përket Irakut dhe irakianëve dhe se e ka për detyrë të mbrojë interesat e vendit, të miratojë mekanizmat e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, për të formuar një qeveri të aftë për të ndërtuar shtetin modern. Qeveri, që mbron sovranitetin kombëtar dhe demokracinë, garanton të drejtat e të gjithëve, pavarësisht nga bindjet fetare, shoqërore apo politike, ndërmerr reforma dhe u shërben qytetarëve”.
“Kjo është, zotërinj të nderuar - përfundon thirrja e Mar Sako-s - shpresa e irakianëve, të cilën ne ua besojmë duarve tuaja, duke i kërkuar Zotit të plotfuqishëm t’ju ndriçojë e t’ju ndihmojë në këtë detyrë kombëtare dhe legjitime, para se të jetë tepër vonë...”.