Kërko

vetrate Chiesa vetrate Chiesa

Shenjtorët e javës 1 - 8 maj

E diel 1 maj, Kisha katolike kremton të Dielën e Tretë të Pashkëve dhe festën e shën Jozefit punëtor. Shën Jozefi duke e mbajtur Familjen Shenjte me punën dhe mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor qiellor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që me punën e përditshme të duarve të tyre, i plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore. Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i devocionit ndaj Zojës së Bekuar

R.SH. – Vatikan

E diel 1 maj, Kisha katolike kremton të Dielën e Tretë të Pashkëve dhe festën e shën Jozefit punëtor. Shën Jozefi duke e mbajtur Familjen Shenjte me punën dhe mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor qiellor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që me punën e përditshme të duarve të tyre, i plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore. Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i devocionit ndaj Zojës së Bekuar.

Të hënën më 2 maj, kalendari kishtar përkujton shën Athanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na dëftoi Fjalën e Zotit e fytyrën e Atit: të besosh në Të do të thotë ta shpëtosh jetën tënde mbi këtë tokë, të ecësh në dritë e të gjesh jetën e pasosur me Hyjin Atë.

Të martën më 3 maj, kalendari kishtar përkujton festën e shenjtorëve Filipit e Jakut të Vogël, apostuj, të Evecit, Aleksandrit e Teodulit, martirë. Liturgjia e ditës ma kujton se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin në Shpirtin Shenjt. Jezusi na prin te Ati për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte.

Të mërkurën më 4 maj, kalendari kishtar përkujton shën Qiriakun e Jerusalemit, ipeshkëv e martir, shën Antonina-n martire e shën Florianin. Liturgjia e ditës i jep përgjigje pyetjes jetike që i bën vetes çdo njeri: prej nga vijmë, pse jetojmë e ku shkojmë? Kush beson në Krishtin, nuk ka frikë nga vështirësitë, e as nga vetë vdekja. Ai na përgatit një vend e na merr me vete, sepse na do. Gjithë jeta e Tij dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend edhe për ne.

Të enjten më 5 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Angjelinin e të Lumin Nuncio Sulpricio nga Napoli. Liturgjia e ditës na kujton s e gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja dhe ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh neve në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon tek Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt.

Të premten më 6 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Marjanin e Jakun, martirë. Liturgjia e ditës pohon se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”.

Të shtunën më 7 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Flavia Domitilen, martire romake, Shën Flavion e Augustin e të Lumën Roza Venerini, virgjër e themeluese të Motrave ‘Mësuese të Përshpirtshme Venerini’. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurtë në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljes. Jezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji

Të dielën e ardhshme më 8 maj, Kisha katolike do të kremtojë tё Dielёn e Katёrt tё Pashkёve. Gjithnjë më 8 maj kalendari kishtar përkujton Shën Viktorin, martir të Milanos, Shën Bonifacin e IV papë, Shën Benediktin e II, papë, Shën Arsenin, diakon të Romës dhe Shën Magdalenën e Kanosës.

01 maj 2022, 09:30