Kërko

Patrikana Ekumenike njeh Kishën ortodokse tё Maqedonisë së Veriut

"Në seancën e fundit të Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike, u mor vendimi për njohjen" dhe "pranimin e hierarkisë, klerit dhe popullit të kësaj Kishe nën drejtimin e Kryepeshkopit Stefan në bashkimin eukaristik” , njofton Patrikana Ekumenike, duke iu referuar Kishës ortodokse maqedonase, e cila kanonikisht është vlefshme në botën ortodokse dhe e pranuar në bashkimin kanonik e liturgjik. Do të quhet Kryepeshkopata e Ohrit

R.SH. - Vatikan

"Në seancën e fundit të Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike, pas një diskutimi të thelluar, u mor vendimi për njohjen" dhe "pranimin e hierarkisë, klerit dhe popullit të kësaj Kishe nën drejtimin e Kryepeshkopit Stefan në bashkimin eukaristik” , bën tё njohur Patrikana Ekumenike, duke iu referuar komunitetit të besimtarëve ortodoksë maqedonas, i cili komunitet kishtar kanonikisht është i vlefshëm në botën ortodokse dhe i pranuar në bashkimin kanonik e liturgjik.

Pas vitit 1967, besimtarët ortodoksë të Maqedonisë së Veriut mbetën pa Kishë kombëtare sepse në Jugosllavinë e vjetër ishin nën udhëheqjen e Kishës ortodokse serbe. Pas ndarjes së kësaj të fundit, me dëshirën për t'u shkëputur nga Patriarkana e Beogradit, ortodoksët maqedonas mbetën në shkëputje nga bota ortodokse dhe me dy realitete kishtare në territorin kombëtar.

Në deklaratën e lëshuar në Stamboll thuhet gjithashtu “se në këtë mënyrë Kisha-nënë shëron plagën e përçarjes dhe dikon ‘vaj e verë’ mbi plagën e besimtarëve ortodoksë të atij vendi”. Nga Fanari saktësohet se “Kisha Ortodokse e Serbisë do të duhet t’i zgjidhë çështjet administrative të pazgjidhura sipas rendit kanonik dhe traditës kishtare”.

Emri i ri është i rëndësishëm, sepse Kisha njihet si “e Ohrit”, emrim historik i kryepeshkopatës së lashtë të kësaj zone, me njё saktёsim se është fjala pёr territor vetëm brenda shtetit të Maqedonisë së Veriut, duke përjashtuar termin “maqedone” ose ndonjë fjalë që rrjedh nga “Maqedonia”. Mosmarrëveshja për emrin midis grekëve dhe maqedonasve zgjati dy dekada dhe pengoi udhëtimin evropian të Shkupit për një kohë të gjatë. Ajo maqedonase nuk do të jetë ende një Kishë autoqefale, por nuk do të jetë më e ndarë apo e shkёputur nga bashkimi kanonik kishtar.

Komunikata e Sekretariatit të Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike përfundon me shprehjen “se Shenjtëria e Tij Bartolomeu do të vazhdojë të  interesohet për rritjen, përparimin dhe stabilitetin e këtij uniteti kishtar të Ohrit”, siç bëri “për të gjitha Kishat ortodokse lokale si vend dashurie, burim  shenjtërie me prejardhje nga të krishterët ortodoksë”.

Kërkesa e apelit për këtë çështje qe dërguar nga Shkupi në Patrikanën Ekumenike në vitin 2018. Mё tej, nё faqen e internetit religija.mk tashmë flet për negociatat e filluara ndërmjet klerikëve të Shkupit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe, e cila tani duhet t’i tërheqë peshkopët e saj dhe priftërinjtë nga Maqedonia e Veriut.

10 maj 2022, 12:23