Kërko

Nga Euro Christian Music, mesazhi i paqes për Ukrainën dhe botën

Tre muaj pas Festivalit të parë të këngës së krishterë në Sanremo, në Torino organizohet Festivali i këngës, i cili pret artistë nga e gjithë bota. Do të vijnë të provojnë talentin në këtë zhanër, që tërheq gjithnjë e më shumë dashuronjës të këtyre këngëve. Drejtori artistik, Fabrizio Venturi, pohon: Do të kemi të ftuar edhe një këngëtar rus dhe një ukrainas, që do të këndojnë së bashku

R.SH. - Vatikan

“Kush këndon mirë, lutet dy herë”. Kjo moto e Shën Agustinit e shoqëron Muzikën e Krishterë, zhanër që dëshiron ta lavdërojë Zotin dhe të tregojë bukurinë e besimit, edhe në çaste dyshimi e vështirësish, përmes këngës dhe muzikës. Në bashkëpunim me konkursin Euro Vision, artistë të krishterë të këngës nga e gjithë bota do të konkurojnë në Torino nga 11 deri më 13 maji i ardhshëm, në Teatrin Gospel Hause të Venaria Reale, pranë kryeqytetit piemontez.

Do të marrin pjesë artistë nga Afrika, Amerika Latine dhe Evropa, duke përfshirë edhe Fra Vinicius, rregulltar e fitues brazilian i Festivalit të parë të Muzikës së krishterë, në Sanremo. Përtej vlerës së padyshimtë artistike të këngëve në konkurrim, thotë Fabrizio Venturi, kantautor dhe drejtues artistik i manifestimit të këngës, duam të nisim edhe një mesazh paqeje në këto çaste të vështira e të dhimbshme.

Do të këndojnë edhe dy artistë: një rus dhe një ukrainas, thekson Venturi. Me këngën e tyre do t’i tregojnë botës se popujt kanë synime dhe mënyra  jetese, shumë të ndryshme nga ato të të pushtetshmëve. Ideja - nënvizon Venturi - është t’i konsiderojmë ata si të ftuar, pasi nuk na pëlqeu t'i bënim të konkurronin këtu, kur vendet e tyre tronditen nga një konkurrim tejet i ndryshëm. Do të këndojmë për paqen, e do t’i lartojmë së bashku himnin Zotit: himn paqeje dhe vëllazërimi universal!

11 maj 2022, 13:14