Në Kiev, të gjithë vëllezër në lutjen për paqe, ndërsa kriza e grurit bëhet qendrore
R.SH. – Vatikan
“Një ëndërr e re vëllazërimi dhe miqësie shoqërore, që nuk kufizohet vetëm me fjalë”: kështu shkruante Papa Françesku në një tweet, ndërsa i dorëzonte botës enciklikën “Fratelli tutti”. Ajo miqësi, ai vëllazërim është sot ëndërr për Ukrainën dhe Rusinë, prej tre muajsh në luftë. Paqja aq e dëshiruar ishte kësaj jave në qendër të lutjeve të krerëve fetarë nga e gjithë bota, që u bashkuan në Kiev për t’iu përgjëruar Zotit të paqes, me një zë të vetëm. Delegacioni i tyre ndërfetar mbërriti në Kiev të hënën në mbrëmje, pas një udhëtimi 14 orësh me autobus nga Varshava, për t’u kthyer më 26 maj.
Ftesa e kryetarit të bashkisë
Që nga marsi, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i pati ftuar krerët e të gjitha feve në kryeqytet, duke u kërkuar “të mbajnë qëndrim e të marrin përsipër detyrën morale, që u takon”, si edhe përgjegjësinë e lutjes për paqen. “Për të treguar solidaritet me popullin ukrainas, ejani në Kiev”, bënte thirrje ai, me dëshirën për ta kthyer në “kryeqytet të humanizmit, të përshpirtërisë e të paqes”. Kësaj jave, 17 liderë fetarë iu përgjigjën thirrjes së kryetarit të bashkisë dhe u mblodhën në lutje për paqen, por sollën edhe ndihma humanitare e patën takime me drejtues të ndryshëm politikë e fetarë.
Çastet e lutjes
Të martën, më 24 maj, delegacioni fetar u lut në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit “Babyn Yar” me tingujt e violinës së Pavlo Kaurov, nga Universiteti Kombëtar Pedagogjik Dragomanov. Nunci apostolik në Ukrainë, imzot Visvaldas Kulbokas u lut me krerët fetarë në gjuhën ukrainase. Pasoi një konferencë për shtyp, ku delegacioni fetar shpjegoi se erdhi në Kiev në përfaqësi të feve e të kombeve të ndryshme, për të kërkuar që qytetet të mos bombardohen, që të lejohet eksportimi i grurit, për të shmangur një krizë të mundshme ndërkombëtare ushqimore. Pastaj, inkurajimi dhe kërkesa e ndihmës humanitare për një popullsi të rraskapitur nga njëqind ditë konflikti. Më 25 maj, lutja e përbashkët në sheshin para katedrales së Shën Sofisë në Kiev.
Gjenocid, Lugansk e grurë: tri fjalët e sotme
Gjatë gjithë javës ndihej një atmosferë si ajo, që kërkon Papa me enciklikën “Fratelli tutti”. E, në fund të fundit, në çastet e heshtjes e të lutjes para Zotit, njeriu e kupton se nuk është në gjendje ta kontrollojë luftën: di ta fillojë atë, por pastaj, siç shihet qartë edhe në vende të tjera, armët nuk i zgjidhin çështjet, për të cilat qëllojnë pa pushim, duke vrarë njerëz e duke shkatërruar banesa.
Pikërisht sot, gjendja në Ukrainë mund të përshkruhet me tri fjalë, që dëshmojnë se konflikti bëhet vetëm më i ashpër. Ato janë: gjenocid, Lugansk e grurë. Gjenocid është fjala, që përdori presidenti ukrainas Zelensky në videon e tij të natës, duke nënvizuar se këtë po bën Rusia në Donbass, duke “shpërngulur e duke vrarë në masë civilë: është qartësisht politikë gjenocidi”. Nga ana tjetër, Kievi pranon se rusët po përparojnë më tej në Lugansk, ku ka filluar ofensiva ushtarake. E, kriza e grurit, që nuk lejohet të dalë nga Ukraina, po bëhet gjithnjë e më qendrore edhe në nivelin diplomatik, me presidentin Putin, i cili ka hapur një shteg për zgjidhje, por vetëm nëse hiqen sanksionet kundër Rusisë.