Kërko

 Shevchuk videomesazh Shevchuk videomesazh  

Imzot Shevchuk: mëkat i rëndë, të bashkëpunosh me të keqen!

Videomesazh i Fortlumturisë së Tij, Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, të shtunë, 28 maj 2022

R. SH. - Vatikan

Krishti u ringjall! - me këtë brohori nis përsëri në këtë Kohë Pashkësh, videomesazhi i Fortlumturisë së Tij, imzot Sviatoslav Shevchuk - për të vijuar me përshëndetjen drejtuar vëllezërve dhe motrave të dashura në Krishtin. Sot është e shtunë 28 maj 2022 - shkruan Prelati - e Ukraina tashmë po jeton ditën e 94-të të qëndresës kombëtare përballë agresionit rus kundër popullit dhe shtetit tonë. Sot falenderojmë Forcat e Armatosura të Ukrainës që mbijetuan mbrëmë dhe e pamë përsëri lindjen e një mëngjesi të ri.

Gjatë ditës dhe natës së kaluar, Ukraina u gjakos përsëri - kujton imzot Sviatoslav Shevchuk – që përshkruan, më pas situatën e kësaj jave në vendin, në të cilin vijojnë luftime shumë të ashpra, veçanërisht në Donbas, ku armiku ka përqendruar të gjitha forcat e tij. Beteja zhvillohet në tokë, në qiell dhe në det. Të duket se  djalli po i përdor të gjitha mjetet e mundshme ushtarake për të shkatërruar jetën në Ukrainë, për të vrarë, për të rrënuar. Luftime të ashpra ka edhe në rajonin e Luhanskut. Një sulm shumë intensiv ndodhi rreth qytetit të Severodonetsk, i cili i rezistoi një nate tjetër, pavarësisht rrethimit të pjesshëm. Edhe në jug të atdheut tonë luftimet e ashpra vazhdojnë. Një sulm shumë i fuqishëm raketor u shkaktua në territorin e rajonit të Zaporizhia dhe rajonit të Nipropetrovsk.

Kjo, situata, treguar nga një prelat që vuan fort, por edhe shpreson fort. Shkruan prandaj, në vijim:

Pavarësisht nga këto kohë të vështira, Ukraina nuk e humb shpresën sepse ne lutemi me gjithë shpirt! Ne besojmë në Ringjalljen! Ne ndiejmë se fuqia e Zotit dhe mbështetja universale ndërkombëtare për Ukrainën na japin  forcë për t’ia ndaluar hovin vëllavrasës armikut tonë.

Një mëkat i rëndë: të bashkëpunosh me të keqen

Sot  Imzot Shevchuk reflekton me ne për një mëkat tjetër mortar: atë që na shtyn  të bëhemi bashkëpunëtorë të së keqes, bashkëpunëtor të mëkatit të fqinjit tonë Vazhdojmë të reflektojmë për serinë e “mëkateve të të tjerëve” - kujton Prelati - E ndërmjet tyre ka një, që aktualisht është shumë i dukshëm dhe veçanërisht i rrezikshëm. Është: “lavdërimi i mëkatit”.

Ta lavdërosh të keqen, do të thotë të bashkëpunosh me të

Kur flasim për lavdërim, veçanërisht lavdërim të mëkatit, nënkuptojmë diçka shumë më të thellë dhe më serioze sesa shprehjet e dhembshurisë apo edhe mbështetjes intelektuale. Në kuptimin e krishterë, të lavdërosh do të thotë të duash të bëhet ajo që lavdëron. Prandaj, të krishterët e hershëm ishin gati të vdisnin, para se të lavdëronin idhujt. Gati të vdisnin që të mos i bënin fli kemi perandorit romak. Në librin e Zbulesës, në përfundim të Shkrimeve  Shenjte, shohim se antikrishti në fund të fundit do të kërkojë lavdërimet e njerëzimit; do të kërkojë që veprimet e tij të lavdërohen, si lavdërohet Zoti! Të  lavdërohen diktatorët, që i kanë duart e lyera me gjak. Po Zoti na kujton se sa herë lëvdojmë të keqen, aq herë bëhemi bashkëpunëtorë të saj.

Mjer kush e quan të keqen, të mirë!

Izaia Profet na kujton: “Mjerë ata, që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqen të mirën”. Shumë shpesh ne nuk e kuptojmë se po rrezikojmë të lavdërojmë të keqen. Me të mëkatin – vijon të kujtojë Imzot Shevchuk – E kjo është arsyeja pse të krishterët e të gjitha kohërave dhe kombeve thonë se “të gjitha lavdërimet, nderimet dhe adhurimet duhet t’i shkojnë të vetmit Zot”.

Dënim i njëzëshëm për krimet e kryera në Ukrainë

Në të vërtetë, sot krimet e kryera në Ukrainë meritojnë dënim të njëzëshëm - vijon Prelati - Kushdo që sot - ndërkombëtarisht, ekonomikisht apo edhe kishtarisht - përpiqet të justifikojë, të mbështesë ose lavdërojë veprimet e kriminelëve, fatkeqësisht rrezikon të jetë fajtor për të njëjtin mëkat, për të cilin ne po meditojmë këto ditë.

Lëvdatat shumëfishojmë modelet e sjelljes kriminale dhe mëkatare

Të jemi shumë të kujdesshëm për atë që themi, për çka lavdërojmë, për kë lartojmë, kë paraqesim si model. Sepse me lëvdatat tona shumëfishojmë modelet e sjelljes kriminale dhe mëkatare.

O Zot, na mëso të të lavdërojmë vetëm Ty

Në përfundim, lutja drejtuar Zotit, me vlerë për të gjithë ata, që besojnë:

“O Zot, na jep Shpirtin tënd Shenjt, Frymë e lavdisë. Na mëso të lavdërojmë vetëm Ty. Na mëso ne, të krishterët e epokës së re, të shpallim se lavdia dhe nderi i përkasin vetëm Perëndisë.

Zot, bekoji të gjithë ata që bëjnë mirë. E na jep edhe forcën për t’i lavdëruar heronjtë e dashurisë për Zotin dhe për të afërmin.

Zot, në duart e Tua i lëshojmë qytetet dhe fshatrat e Donbasit të Ukrainës. Duarve tuaja ia  besojmë jetën dhe shëndetin e mbrojtësve të Ukrainës. Në duart tuaja e lëshojmë jetën e të gjithë atyre, që janë në territoret e pushtuara dhe nuk shpresojnë më të marrin ndihmë nga askush.

Zoti e bekoftë Ukrainën!

29 maj 2022, 14:33