Kërko

Cenacolo, ultima cena Cenacolo, ultima cena

Fjala e Zotit e dielës së 6-të të kohës së Pashkëve “C”

Fjala Zotit e kësaj së diele na flet për dhuratat e Krishtit të Gjallë: paqen e Shpirtin Shenjt. Në fjalimin e lamtumirës, që na sjell Ungjilli nga Gjoni, Jezusi nuk i le vetëm dishepujt e tij; premton se do të jetë i pranishëm në dhuratën e Shpirtit Shenjt, në eksperiencën e dashurisë e në dhuratën e paqes. Kështu dishepujt do të fitojnë mbi çdo frikë e kundërshti.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të së Pashkëve “C”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të së Pashkëve “C”

Fjala e Zotit e kësaj së diele të Gjashtë të Pashkëve na përgatit për kremtimin e ardhshëm të të Shëlbuemit, do të thotë të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. E Jezusi personalisht e përgatit Kishën e tij për të jetuar e vijuar misionin e shëlbimit, pa praninë e Tij të dukshme, pa prezencën e Tij fizike, po gjithnjë plot bindje për praninë e Tij reale.

Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na flet për dhuratën e premtuar nga Jezusi, para se të largohej nga dishepujt e tij: paqja. Çka nuk vjen nga bota, por nga Shpirti Shenjt, është e thellë, mbetet edhe gjatë sprovave, madje, na jep guxim për të ecur përpara, duke i bërë zemrat të gëzohen. Pra, Jezusi është duke përfunduar misionin që Ati i ka besuar e po kthehet tek Ai, por nuk na lë të vetëm. Ai na premton dhuratën e Shpirtit, dhuratën që duhet ta meritojmë me lutje e me dëshminë e përditshme të një jete vërtetë të denjë për atë që beson në Zotin dhe në ringjalljen e jo në gjëra tokësore e ka vendosur shpresën e vet.

Tema kryesore e Fjalëssë  Zotit të kësaj së diele është dhurata e Krishtit të Gjallë: paqja e Shpirti Shenjt. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 14,23-29) Jezusi thotë: “Nuk ju lë jetimë”- Jetimi është imazhi më i dhimbshëm i vetmisë së njeriut. Vetmia është një e keq që na prish paqen e zemrës, që than e shpirtin, me një fjalë na shkatërron. Po Jezusi ka premtuar se do mbetët gjithmonë me ne dhe për këtë na dërgon Shpirtin Shenjt, Ngushëlluesin.

Pastaj Jezusi shton: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ia do të vijmë dhe tek ai do të banojmë”. Fryti i këtij banimi të Hyjit në ne është paqja: “ Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Nuk po jua jap siç jua jep bota”. Ja pra porosia e Fjalës së Zotit e kësaj të diele është të jetojmë sipas Ungjillit. Sepse ky është vullneti i Zotit, e vetmja dhe e mira më e madhe e njeriut është të gjejë pikërisht në vullnetin e Zotit paqen dhe lumturinë e jetës.

                                                     Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 15, 1-2.22-29

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni.” U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen. 
Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan Juda që quhet Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezër. Për duar të tyre u dërguan këtë letër: “Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit, vëllezërve të kthyer prej paganëve në Antioki, në Siri, e në Cilici, përshëndetje!
Pasi morëm vesh se disa prej tanëve, por pa lejen tonë, erdhën dhe ju trazuan me disa fjalë duke ua shqetësuar shpirtin, ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. 
Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruhemi prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.” Fjala e Zotit.

Psalmi 67
Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin

--- --- --- 
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
--- --- --- 
Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
--- --- --- 
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
--- --- --- 

Leximi i dytë Zb 21, 10-14.22-23

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri diaspër kristalor. Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. 
Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer. Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Sheshi i qytetit – ar i kulluar, i tejpashëm porsi kristali. Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. 
Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.
Aleluja!

Ungjilli Gjn 14, 23-29

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë”. Fjala e Zotit.

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA VI E PASHKËS 'C': TEMPULLI I SAJ ËSHTË ZOTI!

(Vap 15, 1-2.22-29; Ps 67 (66); Zb 21, 10-14.22-23; Gjn, 14, 23-29)

Pjesa e marrë sot nga Libri i Zbulesës së Shën Gjonit apostull (Leximi II), edhe një herë na flet për bukuritë që ai sheh në vegim në lidhje me lumturitë e amshuara të Parrizit: «Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit. Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit». Pastaj fillon të përshkruajë detajet e këtij qyteti. Ndër të tjera ai thekson një detaj mjaft domethënës: «Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji». Padyshim që Shën Gjonit kështu Hyji i zbuloi fatin e mbramë të Kishës së Tij: Fati i saj është Hyji, prandaj thotë se nuk kishte as dritë dielli, as dritë hëne e as tempull, sepse tashmë ajo gjendej e gjitha në Hyjin, e shndërruar nga prania e Tij e gjallë. Tërë këtë të vërtetë Shën Pali e shpjegon me fjalë të tjera shumë të thella në letrat e tij kur thotë se, në Parajsë «Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë» (1 Kor 15, 28).

Kjo është e vërteta e madhe për të cilën jemi të thirrur të “punojmë”. Atje, në lumturinë e pamasë dhe të pashprehshme të jetës me Hyjin, jemi të thirrur të kemi pjesë të gjithë.

Në jetën e Shenjtes Katerinë nga Siena thuhet një ngjarje shumë interesante. Gjatë uratës së vet, ajo pati përjetime aq të forta emocionale, saqë ra e vdekur. Të gjithë menduan se vdiq, por pas pak kohe ajo u rikthye sërish në jetë dhe filloi të tregonte se kishte parë gjëra të mrekullueshme, të cilat nuk arrinte t’i shprehte dot, por thoshte se Ati i amshuar i kishte kërkuar të kthehej sërish në trupin e saj, ngaqë ende nuk kishte përfunduar misioni i saj në tokë. Kur u kthye, thuhet se kaloi ditë të tëra në lot, ngaqë kishte dëshiruar të mos largohej nga tërë ajo bukuri. U kthye në atë lumturi vetëm pas disa vjetësh, shumë e re në moshë, por tashmë me misionin e kryer. Ja, atje jemi të thirrur të shkojmë edhe ne.

Por Shën Gjoni thekson edhe një detaj tjetër nga ky qytet: «Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to – emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit». Ky qytet i lavdishëm, ky Jerusalem qiellor, është Kisha e lavdishme. Është shumë domethënës fakti se, mbi dymbëdhjetë themelet e mureve të këtij qyteti, janë të shkruar emrat e dymbëdhjetë apostujve të Krishtit, Qengjit të Hyjit. Kur themi Besojmën, gjithmonë themi «Besoj një Kishë të vetme, shenjte, katolike dhe apostolike». Fjala «apostolike» do të thotë se ne i besojmë shpalljes së Kishës, e cila bazohet mbi shpalljen e dymbëdhjetë apostujve. Pra, e tërë doktrina që Kisha ka marrë nga Hyji, ka kaluar nëpërmjet shpalljes së këtyre dymbëdhjetë burrave (Juda do të zëvendësohej nga Matia). Numri “dymbëdhjetë” i fiseve prej të cilave përbëhej Izraeli i dikurshëm, u zëvendësua nga këta dymbëdhjetë burra, të cilët, është e vërtetë se do të merren nga Izraeli, por jo më për t’u ndalur vetëm brenda tij. Ata do ta përhapin shpalljen e Lajmit të Mirë në të katër anët e botës. Mbi këtë shpallje do të bazohet besimi i Kishës, i Izraelit të ri. Dymbëdhjetë kryqet që janë të vëna në kolonat apo muret e kishave të kushtuara, kanë për qëllim të tregojnë se ne jemi të bazuar mbi predikimin e dymbëdhjetë apostujve.

Për të ruajtur të pastër Fjalën e Jezusit, duhet medoemos të ruhet e pastër edhe lidhja me të dërguarit e Tij. Të dërguarit e Jezusit ishin apostujt, të cilët do të lënë pasardhës të tyre ipeshkvijtë me në krye Papën, pasardhësin e Shën Pjetrit. Po nuk u ruajt e pastër lidhja me ta, nuk do të jetë e tillë as lidhja me Jezusin. Prandaj leximi i parë sot e tregon mjaft mirë se sa e qartë ishte një bindje e tillë qysh në Kishën fillestare. Në Antioki kishte lindur një debat mjaft i ashpër nëse duhej apo jo që të krishterët t’i zbatonin disa rregullore që ishin themelore në Ligjin e Moisiut, njëra prej të cilave ishte veçanërisht rrethprerja. Duke qenë se debati nuk kishte gjetur zgjidhje, kishin vendosur t’ia parashtronin çështjen dymbëdhjetë apostujve që gjendeshin në Jerusalem e ashtu u bë. Pasi u shqyrtua prej tyre, ata morën si përgjigje se jo të gjitha rregulloret e Ligjit duheshin zba­tuar. As rrethprerja e as disa rregullore të tjera. Por u këshilluan të zbatojnë disa rregullore që, po t’i shqyrtosh mirë, ngjajnë më fort si përkujdesje për jetën, si ruajtje ndaj ndonjë sëmundjeje si dhe kundër shkandujve.

Sot nuk e thotë pjesa e leximit të parë, por më poshtë, në Veprat e Apostujve, vazhdohet duke thënë se «kur (bashkësia e Antiokisë) e lexuan letrën, të gjithë mbetën të kënaqur për fjalët ngushëlluese» (15, 31). Ajo bashkësi e kishte kuptuar se, për të pasur të qartë vullnetin e Jezusit Zot, duhej t’u drejtoheshin apostujve. Jo vetëm kaq, por duhej edhe të mjaftoheshin me përgjigjen që do të merrnin prej tyre. Ja bashkimi me autoritetin kishtar. Të jesh i bashkuar me të, nuk do të thotë vetëm t’i duartrokasësh kur i sheh e pastaj, kur bëhet fjalë për zbatimin e fjalëve të tyre, të justifikohesh duke thënë se «unë kam bindjet e mia, e ata kanë bindjet e veta». A nuk bëjnë kështu me Papën edhe shumë katolikë? E duartrokasin, e thërrasin hareshëm me zë të lartë kur e shohin, por, për të zbatuar porositë e tij, nuk ngurrojnë të thonë «kam bindjet e mia politike, intelektuale, etjerë».

Duhet të bëjmë shumë kujdes kur bindjet tona kanë filluar të orientohen dikah tjetër, ndërkohë që autoriteti kishtar na thotë ndryshe. Përshembull: nëse në një parlament diskutohet të apro­vohet apo jo ligji i abortit, një deputet katolik nuk mund të thotë: «Autoriteti kishtar flet kundër abortit, por unë kam bindjet e mia si nëpunës i shtetit». Fjala e autoritetit kishtar duhet të na ndihmojë të hyjmë brenda vetes e të korrigjojmë bindjet tona, të cilat ka shumë mundësi që të jenë të gabuara.

Le të marrin një shembull tjetër më të përditshëm: kur shkojmë të rrëfehemi, fjalët, porositë dhe këshillat që na thotë rrëfyesi, nuk duhet t’i përjetojmë vetëm si këshilla që po na jep ndonjë shok në kafene, por si fjala e Kishës që, tani, po vjen tek unë për të ma ndriçuar si duhet situatën që po përjetoj. Nëpërmjet fjalës së Kishës, kalon vullnesa e Zotit e kjo nuk është pak.

Në Ungjillin e sotëm Jezusi u thotë apostujve: «Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë». Pra, apostujt do të forcohen nga Shpirtit Shenjt e, kështu, kur t’u predikojnë popujve, do të dijnë të predikojnë atë që Jezusi u ka thënë. Autoriteti i tyre ka për themel jo më Ligjin e Moisiut, por forcën e Shpirtit Shenjt. Shpesh, në Veprat e Apostujve, apostujt shprehen duke thënë këto fjalë solemne: «Ne dhe Shpirti Shenjt kemi vendosur që ... ». Ky Shpirt ka vepruar dhe vazhdon të veprojë edhe në pasardhësit e tyre.

Shpirti Shenjt, pastaj, do ta ndihmojë gjithnjë Kishën e Tij që t’i kuptojë gjithnjë e më shumë Fjalët e Krishtit: «Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë». Të ndihmuar nga Shpirti Shenjt, do të bëhemi edhe ne zbatues të fjalës së Jezusit e, edhe në ne, do të realizohet ajo fjalë shumë e bukur që thotë Jezusi sot në Ungjill: «Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë». Kisha, duke zbatuar Fjalën e Krishtit, fillon të jetë Tempull i gjallë i Hyjit qysh këtu në tokë dhe, në fundin e kohëve, ajo do ta zbulojë se, më fort se të ishte e banuar nga Zoti, ishte ajo vetë që kishte banuar në Zotin. Aty do të zbulohet haptas se vetë Hyji është Tempulli i saj: «Në qytet tempull nuk pashë, sepse tempulli i saj është Zoti, Hyj, i Gjithëpushtetshhmi dhe Qengji», thotë Shën Gjoni në leximin e dytë.

Por, për të marrë pjesë në Kishën e lavdishme të cilën Shën Gjoni e përshkruan në vegimin e tij, duhet të përpiqemi të jemi pjesë e gjallë e Kishës shtegtare në tokë, e cila është e themeluar në predi­kimin e apostujve, predikim i cili është trashëguar në pasardhësit e tyre.

T’ia kërkojmë Hyjit këtë Hir vërtet të domosdoshëm për ecjen tonë drejt shenjtërisë!

Dom Dritan Ndoci

 

21 maj 2022, 12:09