Kërko

Pamje nga Takimi Botror i Familjeve në Milano (2012) Pamje nga Takimi Botror i Familjeve në Milano (2012) 

Dashuria familjare: takimi botëror i familjeve, “multicentrik”, në gjithë botën

Nga 22 deri më 26 qershor, do të mbahet në Romë, Takimi X Botëror i Familjeve, që përkon me shpalljen e Vitit Ndërkombëtar të Familjes nga Kombet e Bashkuara. Ngjarje unike, po të mendohen vështirësitë, me të cilat janë përballur shumë prindër gjatë viteve të pandemisë

R.SH. – Vatikan

Nga 22 deri më 26 qershor, do të mbahet në Romë, Takimi X Botëror i Familjeve, që përkon me shpalljen e Vitit Ndërkombëtar të Familjes nga Kombet e Bashkuara. Gjatë 30 viteve të fundit, kjo ngjarje e madhe është organizuar në vende të ndryshme të botës, duke kaluar nga Brazili, SHBA-të, Irlanda, Filipinet, Spanja dhe Italia. Takimi kthehet sërish në kryeqytetin italian, pasi është kremtuar edhe një herë tjetër këtu, në vitin 2000 e, pastaj, në Milano, në vitin 2012.

Takim ndërmjet familjeve nga vende të ndryshme

Në çdo edicion, përjetohet takimi i drejtpërdrejtë me familjet e vendeve të ndryshme, të cilët ftohen edhe në tryezën e vendësve, duke bërë që fëmijët t’i kujtojnë me dashuri e të mësojnë prej tyre. Për shembull, familjet e gjuhës spanjolle nga Amerika Latine e kanë zakon të urojnë çdo ditë, së bashku me “mirëmëngjesin”, edhe “Diòs ve bendiga” (Zoti ju bekoftë). E kështu, prindër e fëmijë mësojnë gjëra të reja e tradita të bukura.

Takimi i sivjetëm përqendrohet në dashurinë familjare

Takimi i sivjetëm përqendrohet në dashurinë familjare: thirrje e udhë shenjtërimi, në vazhdimësi me Nxitjen Apostolike “Amoris laetitia” (2016). Vërtet, ngjarja e Romës do të shënojë edhe mbylljen e Vitit Amoris Laetitia, të cilin Papa Françesku ia kushtoi ndikimit të këtij dokumenti në veprimtarinë baritore dhe në jetën e Kishës e të botës katolike në tërësi. Ky edicion i dhjetë pati disi një histori të vështirë, pasi iu desh të merrte parasysh koronavirusin e pandeminë e shkaktuar prej tij. Askush nuk mund ta imagjinonte se njoftimi i bërë në përfundim të Takimit IX, në Dublin, në shtator 2018 – ai “Do të takohemi përsëri në Romë, në qershor 2021!” – do të rezultonte i pavërtetë, pasi bota hyri në lockdown global.

Ndikimi i pandemisë

Një ngjarje kaq e rëndësishme kërkon vite për t’u përgatitur e pasiguria e ditëve të para të vitit 2020 bëri të merrej ky vendim i pashmangshëm për shtyrjen e Takimit. Por, pandemia imponoi edhe një ndryshim të dytë të madh, i cili, me kalimin e kohës, u kthye në një mundësi të shkëlqyer: në shtator 2021, përmes një videomesazhi të Papës Françesku, u njoftua se ishte më e arsyeshme të mos ftoheshin më të gjitha familjet e botës, për t’u bashkuar në një vend të vetëm, për ditë me radhë, - siç është bërë deri tani - por të shndërrohej takimi në një ngjarje “multicentrike” dhe “të përhapur” kudo në botë. Kështu, u ftua çdo dioqezë të planifikojë dhe të organizojë ngjarjet dhe nismat e veta, në të njëjtën periudhë me Takimin e Romës.

Takim në prani, por edhe në lidhje dixhitale

Në këtë mënyrë, do të ketë një bashkëveprim ndërmjet takimeve me familje dhe bashkësi të pranishme në vendin e veprimtarisë dhe atyre në lidhje dixhitale. Kjo u jep mundësinë më shumë njerëzve të marrin pjesë aktive. Një tjetër element jo i parëndësishëm është se, me këtë formulë, mund të marrin pjesë edhe shumë familje, që nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit “në anën tjetër të botës”, ose, për probleme organizative, nuk mund të largohen për shumë ditë nga vendbanimi i tyre (për probleme pune, për ndihmën që duhet t’u japin prindërve të moshuar, ose për arsye të tjera).

20 maj 2022, 12:37