Kërko

Pjesëmarrësit e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme Pjesëmarrësit e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme

Çelësi i fjalëve të Kishës: të krishterët e Lindjes së Mesme, latinët e ungjillorët

Ciklit tonë për të krishterët e Lindjes së Mesme, po i afrohet fundit. Javët e kaluara, ju folëm për linjën siro-lindore apo nestoriane, linjën miafizite apo jakobite dhe për linjën kalcedonase, ose melkite. Në këtë të enjte, do të shohim si u zhvilluan të krishterët e ritit latin dhe ungjillorët

R.SH. – Vatikan

Një nga pasojat e Kryqëzatave, që filluan menjëherë pas Skizmës së Lindjes (viti 1054), ishte prania latine në Lindje. Edhe nëse figura si domenikani André de Longjumeau, i lidhur me Inoçencin IV në Lindje, patën sugjeruar të mos e dyfishonin hierarkinë lokale, kryqtarët themeluan dioqezat e tyre me klerikë të ritit latin. Pas fundit të mbretërive të kryqtarëve, edhe kjo hierarki nuk pati më arsye për të vijuar veprimtaritë: Patriarku i fundit latin i Jerusalemit vdiq në vitin 1291 në San Giovanni d’Acri, gjatë evakuimit të qytetit. Megjithatë, prania e krishtërimit perëndimor u garantua nga Rojtaria françeskane e Tokës Shenjte e nga urdhra të tjerë fetarë, veçanërisht nga domenikanët, karmelitanët e, më vonë, nga jezuitët.

Në epokën moderne, në Lindjen e Mesme, u themeluan disa dioqeza të ritit latin, përgjithësisht në formën e një Vikariati Apostolik (pra, të një "përfaqësuesi të drejtpërdrejtë të Papës"), për të shmangur mbivendosjen e hierarkive lokale. Sot, dy dioqezat latine më të rëndësishme në Lindjen e Mesme, nga pikëpamja e numrit të besimtarëve, janë, pa dyshim, Vikariatet Apostolike të Arabisë Veriore dhe Jugore, ndërsa në Tokën Shenjte, Patriarkati Latin i Jerusalemit, që u rivendos më 1847 dhe e shtrin juridiksionin, përveçse në Izrael e Palestinë, edhe në Jordani - ku banon numri më i madh i besimtarëve - dhe në Qipro. Në frymën ekumenike të Koncilit II të Vatikanit, Papa Pali VI, në vitin 1964, mbylli tre Patriarkatet e tjera të ritit latin, themeluar nga kryqtarët në Lindje, të cilat, prej shekujsh, kishin thjesht titull nderi: Kostandinopojën, Aleksandrinë dhe Antiokinë (e cila, para vitit 1964, kishte gjashtë titullarë).

Ungjillorët

Pas Reformës Protestante, edhe anglikanët e luteranët vendosën hierarkinë e tyre në Lindjen e Mesme. Duke filluar nga shekulli XIX, tradita të ndryshme amerikane, në veçanti presbiterianët, filluan një veprimtari intensive misionare, e cila pati vatrën kryesore në Kolegjin Protestant Sirian në Bejrut (themeluar më 1866, sot Universiteti Amerikan i Bejrutit). Disa intelektualë lindorë (veçanërisht maronitë) u bashkuan me protestantizmin; pati rëndësi të madhe, për shembull, lidhja ndërmjet mjekut amerikan e mësuesit Van Dyck dhe shkrimtarit libanez Butrus al-Bustānī, që çoi në përkthimin më të rëndësishëm modern të Biblës në arabisht, themelor në krijimin e një gjuhe letrare bashkëkohore. Në misionet protestante e ka zanafillën edhe themelimi i Universitetit Amerikan në Kajro (1919), por ai, pothuajse menjëherë, mori një orientim jo-fetar.

Ndërsa traditat historike protestante, sot, kanë humbur shumë nga dinamizmi i tyre, në Lindjen e Mesme e në Afrikën Veriore ka shumë bashkësi ungjillore në rritje të konsiderueshme.

Përmbledhtas

Përmbledhtas, Kisha Katolike në Lindjen e Mesme (duke përjashtuar, pra, Etiopinë dhe Indinë) ndahet në shtatë rite, secili i organizuar rreth një Patriarku, që emërohet nga asambleja e ipeshkvijve apo sinodi, por konfirmohet nga Papa. Këto rite - dhe Kishat përkatëse - janë: riti kaldeas, riti kopt, ai siriak, armen, melkit, maronit dhe riti latin.

 Secili prej tyre, përveç ritit maronit dhe atij latin, ka, për arsye historike, një Kishë simotër ortodokse: Kishën asire të Lindjes dhe Kishën e Lashtë të Lindjes; Kishën siro-ortodokse; Kishën kopto-ortodokse; Kishën armene apostolike; Kishën greko-ortodokse, që në Lindjen e Mesme ka katër Patrikana: Kostandinopojën, Antiokinë, Jerusalemin dhe Aleksandrinë.

Këtyre kishave u shtohen bashkësitë e lindura nga reforma: luteranët, anglikanët dhe në periudhën bashkëkohore, traditat e ndryshme pentekostale.

Duhet theksuar se secila prej këtyre Kishave historike, si katolike ashtu edhe jokatolike, ka një diasporë jo të vogël, veçanërisht në Evropë, Amerikë dhe Australi, e cila, nga ana e saj, është organizuar në dioqeza të tjera. Ky është rasti, për shembull, me Dioqezën kopto- ortodokse të Milanos.

26 maj 2022, 09:12