Kërko

Cascia feston Shën Ritën dhe lutet për paqen në Ukrainë e në botë

Të shtunën, në qytetin e Umbrias, do të kremtohet festa e Shën Ritës, për kujtim të murgeshës augustiniane, që jetoi ndërmjet shekujve XIV-XV

R.SH. - Vatikan

Të shtunën, në qytetin e Umbrias, do të nisin kremtimet e festës së Shën Ritës, për kujtim të murgeshës augustiniane, që jetoi ndërmjet shekujve XIV-XV. Meshën pontifikale të së dielës do ta kryesojë kardinali Parolin. Abatesha e manastirit, ku pati jetuar Shenjtorja e Rasteve të Pashpresa, duke kujtuar festën e Ritës, shpreson se dashuria e saj do të vijojë t’i prekë zemrat e njerëzve të plagosur dhe të inkurajojë dialogun. Sipas traditës, katër gra do të nderohen me Çmimin Ndërkombëtar të Shën Ritës.

Lutje për Ukrainën

“Më 22 maj do të lutemi posaçërisht për popullin ukrainas dhe të gjithë njerëzit, që vuajnë nga luftërat, me shpresë që të arrihet paqja, detyrë dhe e drejtë e secilit prej nesh”: kujton Nënë Maria Rosa Bernardinis, abateshë e Manastirit të Shën Ritës, në Cascia, pak para kremtimeve, që do të kujtojnë Shenjten e Rasteve të Pamundshme.

Umbria, në festë

Këtë fundjave Kashia, qyteti i Umbrias, është në festë. Nesër, festimet do të nisin zyrtarisht me rikthimin e Pishtarit të Paqes dhe të Faljes që, i ndezur më 22 mars, arriti në Krakov, qytet i vëllazëruar sivjet me Cascia-n. Të dielën, në orën 10.30, mesha solemne pontifikale do të kryesohet nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Fillimi i kremtimit do të vijojë me bekimin e  trëndafilave, lule simbol i kësaj Shenjtoreje,  të famshme në mbarë botën për mrekullitë e saj.

Simotrat e Shenjtores së Mrekullive shpresojnë “se dashuria e Ritës të prekë kudo zemrat e nevojtarëve për përkëdhelje, për ngushëllim dhe guxim e t’u japë lirinë e dialogut me fqinjin dhe me Zotin, atyre që janë të burgosur në errësirën e urrejtjes, për veten dhe për të tjerët”. Në këtë kohë konfliktesh, përçarjesh dhe vështirësish, shpresohet që festa e Shën Ritës të jetë  agim i ri paqeje, besimi dhe vëllazërimi për Italinë, Evropën dhe mbarë botën”. E, sidomos, për Ukrainën!

20 maj 2022, 13:48