Kërko

Kardinali Leonardo Sandri kryesoi kremtimet e hapjes së njëqindvjetorit të themelimit të Bijave të Shën Makrinës Kardinali Leonardo Sandri kryesoi kremtimet e hapjes së njëqindvjetorit të themelimit të Bijave të Shën Makrinës 

100-vjetori i Motrave Baziliane, bija të Shën Makrinës

Nisën kremtimet kushtuar njëqindvjetorit të themelimit të rregulltareve të Kishës italo-shqiptare, që ndjekin ritin bizantin dhe jetojnë sipas përshpirtërisë së Etërve lindorë, duke u marrë me edukimin dhe zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, me të sëmurët e të moshuarit. Më 30 prill, në Grottaferrata, u kremtua liturgjia hyjnore në ritin bizantin, e kryesuar nga kardinali Sandri.

R. SH. - Vatikan

“Në zanafillën e Institutit tuaj janë të gjitha përmasat e jetës fetare, njëheresh me ato të karizmës: marrëdhënia e thellë me Zotin, Dhëndrrin e Mësuesin, bindja dhe ndjenja që të kujton se i përket Kishës. Por edhe shërbimi për të vegjlit dhe të varfërit, veprimtaria misionare, këmbëngulja në vështirësi, edhe në burgjet e Shqipërisë, pasioni për unitetin e bijve të Zotit të ndarë mes tyre”. Me këto fjalë, më 30 prill, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, iu drejtua Bijave të Shën  Makrinës, që kremtojnë sivjet njëqindvjetorin e themelimit. Kardinali kryesoi Liturgjinë Hyjnore në ritin bizantin, me të cilën u hapën kremtimet jubilare, në Abacinë Hekzarkike të Grottaferratës.

Gjatë homelisë, Kardinali Sandri kujtoi se kanë kaluar pesëdhjetë vjet qëkur Kongregacioni i Motrave Baziliane u njoh si Institut i së Drejtës Papnore, sot i pranishëm në Sicili, Shqipëri, Kosovë dhe Indi. E në vijim vuri në dukje  se “shartimi në trungun e traditës së madhe bizantine të lidh me thesare shpirtërore të paçmueshme, që e pasurojnë ndjeshëm kremtimin e Liturgjisë. “Kjo ju bën trashëgimtare dhe dëshmitare të mënyrës së pashembullt me të cilën Shën Vasili dhe motra e tij, Shën Makrina, e thelluan jetën murgare në Lindje”, shtoi kardinali.

Historia e vajzave baziliane të Shën Makrinës

“Juve ju është dhuruar mundësia t’i ndjeni vuajtjet e Atit për përçarjet ndërmjet Bijve të Tij: për ata të lashtët, e edhe ata të shpallurit dje”, nënvizoi më pas prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, për të kujtuar më pas, historinë të institutit fetar në Shqipëri, themeluar nga murgjërit italo-shqiptarë bazilianë për apostullimin në gjirin e bashkësisë shqiptare  të ritit lindor në Itali e për të dhënë ndihmesën në dialogun ekumenik. Më pas kardinali i nxiti rregulltaret të përkulen me lutje dhe bamirësi “mbi plagët e zemrës së njeriut të sotëm, të botës e të kishave”. I ftoi t’i lyejnë me “vajin e ngushëllimit dhe verën e gëzimit ungjillor”.

E sidomos, ta lusin me Jezusin Atin, që të gjithë të jenë një gjë e vetme: ‘Ut unum sint’. Kardinali Sandri rikujtoi edhe hapat përpara që ka bërë kongregata, e lindur me nismën e At Nilo Borgias, nga Hora e Arbëreshëvet  i cili u priu në Grottaferrata Elena dhe Agnese Raparelli-t, grave të para që hodhën themelet e kësaj kongregate rregulltare. Dy motrat filluan jetën murgare në kuvendin e lashtë Shën Basilit, në Mezzojuso, provincë e Palermos. Ndërruan edhe emrat, siç ishte tradita. U quajtën Motër Makrina dhe motër Eumelia. Makrina, nënë e përgjithshme e familjes së re të murgeshave, u shpall e Nderuar nga Papa Françesku, më 23 mars 2017. Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore e quajti “shpirt i pastër, i edukuar për të hyrë, përmes lutjes, në marrëdhënie me Zotin, sjellja e së cilës u dallua gjithmonë nga bindja e krishterë, që buron nga dëgjimi i vëmendshëm i Atit Qiellor”.

Në krye të Murgeshave bazilane, një Murgeshë shqiptare

Për t’u kujtuar se Eprore e Përgjithshme e Kongregatës është motra shqiptare Elena Lulashi, e lindur në Gurëz, mbesë e dy meshtarëve martirë: Don Lekë e Pater Marin Sirdanit, të cilëve u kushtoi edhe librin e saj të parë: “Dy vëllezër Martirë”.

02 maj 2022, 14:23