Kërko

Jezusi e kurorëthyesja Jezusi e kurorëthyesja

Të meditojmë me Ungjillin: kush është pa mëkat, të hedhë gurin i pari

Ungjilli i së dielës V të Krezhmëve, marrë nga kreu 8 i Shën Gjonit (1-11), flet për gruan, që kishte thyer kurorën, por u fal nga Jezu Krishti me këshillën, që të gjithë e dëgjojmë pasi rrëfehemi: “shko e mos mëkato më”. Farisenjtë deshën ta përdorin këtë grua për ta kompromentuar Jezusin, por ai vë në dukje hipokrizinë e tyre dhe u mëson t’ia lënë gjykimin Zotit. E u dëshmon se nuk ka pushtet më të madh se falja. Të ndjekim pjesën ungjillore…

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”

Të lutemi së bashku

Është grua e çarmatosur

ajo, që para këmbëve të tua, o Jezus

e flakin farisenjtë.

Pas fytyrave të tyre  fshihet

dinakëria e gjarpërit.

E gruaja fatcube

që lindi mbi tokën me gurë

 e me gurë do të mbarojë,

sheh ëndrra  të tmerrshme syçelë,

në pritje për t’u bërë

një grumbull gurësh

të përgjakur.

Si kishte arritur deri këtu!?

Ta mbysnin këta burra,

që deri dje e patën ledhatuar?

E s’ju duk aspak mëkat?

Si mund ta shikonin

ballë për ballë!?

Thua kishin helmin në gjak,

sepse i zuri gjarpëri?

Po ëndrra  u këput!

Njeri prej tyre e mori gurin…

Nuk mund të mohohet:

u zu në mëkat.

E di, prandaj, ç’ e pret:

do të mbytet me gurë!

E flakin para këmbëve tua, Jezus,

që ta gjykosh!

Rreth Teje skribë e farisenj

që e dinë si punon ligji,

prandaj të venë në provë.

Duan ta dinë se deri ku

mund të shkojë kjo mëshira jote

për publikanë e mëkatarë

e der’te gruaja që gaboi

mes etjes për jetë

e mëkatit …

E para do të jetë mrekulluar

pikërisht kjo grua

nga sjellja jote, o Zot!

Pse s’e dënove sakaq?

Pse s’hodhe gurin e parë

përmbi atë trup

përpëlitur nga tmerri

i fundit çnjerëzor

që s’e pranon as guri?

Pse s’e zbatove

sakaq Ligjin e lashtë?

Nuk e zbatove!

e i tregove botës:

botës sate e sonës,

që pret me gurë në dorë

tjetrin ta kthejë në muranë,

se duhet të  shikojmë vetveten,

e pastaj gruan;

fajet e mëkatet tona,

pastaj ta marrim gurin në dorë

për të gjuajtur tjetrin a tjetrën.

E të mos harrojmë se Ti,

nuk erdhe për të na gjuajtur me gurë,

po për të na hapur,

si i hape gruas

dhe pse e zënë në mëkat,

një udhë të re.

Udhë që na mëson

o Zot i mirë,

të mos jemi skllevër të ligjit,

për të qenë të lirë!

02 prill 2022, 09:13