Provincialët domenikanë të gjithë Evropës në Firence
R.SH. – Vatikan
Do të mbahet në Firence të Italisë, nga 19 deri më 23 prill, takimi i sivjetëm i eprorëve provincialë dhe i mëkëmbësve të vikariateve domenikane në Evropë. Në takim do të marrin pjesë njëzet e dy eprorë së bashku me Mjeshtrin e Urdhrit, fra Gerard Timoner III op, shoqëruar nga disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm. Nëse do të jetë e mundur, për shkak të konfliktit, do të jetë në Itali edhe Vikari për Ukrainën, i cili po qëndron në Kiev së bashku me sivëllezërit për të ndihmuar popullsinë.
Rendi i ditës
Punimet do të zhvillohen në disa seanca ditore. Ndër to, njëra do t’i kushtohet njohjes së Shërbëtorit të Zotit Giorgio la Pira, ish-kryebashkiakut të Firences, për të cilin do të flasë akademiku italian Mario Primicerio. Një ditë do t’i kushtohet vizitës në Muzeun e Shën Markut, i cili ndodhet në kuvendin e lashtë domenikan në Sheshin e Shën Markut në Firence, i famshëm për afresket e Beato Angelico. Në Bazilikën e Shën Markut do të kremtohet edhe mesha e asaj dite, ndërsa liturgjitë e ditëve të tjera do të kremtohen në bazilikën e Shën Marisë Novella, në tri gjuhët zyrtare të Urdhrit Domenikan (spanjisht, anglisht dhe frëngjisht).
Mbledhja e fondeve për Ukrainën
Së fundi, mbrëmjen e 21 prillit, në orën 21.00, Vepra për Shën Marinë Novella, së bashku me bashkësinë e fretërve domenikanë fiorentinë, do të japin një koncert falas, të hapur për publikun, me trumpetistin e famshëm të Jazz-it, Paolo Fresu, së bashku me kuartetin e harqeve Alborada. Gjatë shfaqjes do të mblidhen fonde, që do të dërgohen në Ukrainë për të lehtësuar vuajtjet e refugjatëve dhe për të ndihmuar fretërit, që mbeten në vend. Që tani, kuvendet e domenikanëve në Poloni janë shndërruar në strehime për ata, që ikin nga lufta. Vetëm në Krakov ka më shumë se 100 syresh. Kush dëshiron të kontribuojë mund ta bëjë këtë edhe përmes faqes së internetit të domenikanëve https: // helpucraina.dominikanie. pl /.