Kërko

Në gjunjë te këmbët e Kryqit

E Premtja e Madhe është dita e kryqit, e mundimeve, e vdekjes së Krishtit! Dita e flijimit më të madh, për dashurinë më të madhe, për shëlbimin e çdo njeriu. Ditë heshtjeje e kundrimi, agjërimi e lutjeje!

R.SH. - Vatikan

E Premtja e Madhe është dita e kryqit, e mundimeve, e vdekjes së Krishtit! Dita e flijimit më të madh, për dashurinë më të madhe, për shëlbimin e çdo njeriu. Ditë heshtjeje e kundrimi, agjërimi e lutjeje!

Ditë, kur mendimi nuk mbyllet në vetvete, por shkon larg, shumë larg,  në vise të pashkelura, tek kuptimi i fundit i jetës, tek vuajtja, tek ngjarjet që shqetësojnë botën, por pa guxuar të na i kryqëzojnë shpresat!

Duke parë si vuan Jezusi, shikojmë si në pasqyrë vuajtjet e njerëzimit të sotëm e gjejmë përgjigjen hyjnore të misterit të së keqes, të dhimbjes, të vdekjes, që në këtë të Premte të Madhe shtegton më turrshëm se kurrë nëpër botën tonë e nëpër shpirtin tonë!

Kundrojmë e lutemi: “O Krisht, ne shpresojmë se kryqi yt do t’i shndërrojë zemrat tona prej guri në zemra njerëzore, të afta të ëndërrojnë, të falin, të duan. Shndërroje, o Zot, këtë natë të errët të mbarë njerëzimit, të ndriçuar vetëm nga flaka e armëve, në agimin e ringjalljes Sate! E me të, edhe të mbarë popujve të tokës!

Na mëso se Kryqi është udha e Ringjalljes, se e Premtja e Madhe është udha që çon drejt Pashkëve të dritës; që na kujton se Zoti vonon, por nuk e harron kurrë asnjë nga bijtë, se nuk lodhet kurrë  duke falur e duke e rrokur botën me mëshirën e Tij të pambaruar. Mësona të mos lodhemi kurrë duke kërkuar falje.

Sonte mbarë bota kundron një kryq, të ngulur në qendër të historisë. Sivjet, në zemër të Ukrainës – e edhe të Rusisë! Prej andej i Kryqëzuari e shikon sonte botën, për ta shpëtuar!

Lërja, prandaj, sot urrejtjen atij, që nuk është i zoti për të dashur! E kujto  se mundimet e Krishtit na mësojnë të vuajmë, për të rilindur një ditë.

Sepse, të besosh në Pashkët

s’është feja e vërtetë!

Tepër i bukur Je për Pashkë!

Feja e vërtetë

është në të Premtën e Madhe,

kur Ti nuk ishe

atje poshtë,

e asnjë jehonë

s’i gjegjej

britmës sate!

E vetëm asgjëja

i jepte formë

mungesës Sate”

(David Maria Turoldo)

Atë ditë njeriu kuptoi se Kryqi sjell dhimbje e gëzim: dhimbje për një çast të vetëm, gëzim për amshim!

 

15 prill 2022, 11:49