Imzot Gjergj Meta: “legalizimi i kanabisit është Kali i Trojës i drogave më të rënda”
R.SH. - Vatikan
Kisha Katolike në Shqipëri reagon ndaj nismës për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Pasi në vitin 2016, vendi mbushi faqet e gazetave në të gjithë botën për kultivimin dhe prodhimin e narkotikëve, me fusha të tëra mbuluar me kanabis, përdorur shpesh edhe si mjet për të siguruar jetesën, tani, qeveria e Tiranës dëshiron ta legalizojë mbajtjen e tij për qëllime mjekësore, me shpresën për të siguruar përfitime për ekonominë e për ta hequr shitjen e tij nga duart e kriminalitetit të organizuar. Por dardha e ka bishtin mbrapa…
Kali i Trojës i drogave më të rënda
Siç nënvizon Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, “legalizimi i kanabisit (qoftë edhe për qëllime kinse mjekësore) është Kali i Trojës i drogave më të rënda në jetën e shumë të rinjve, sidomos në një vend ku ka papunësi dhe varfëri midis tyre. Ky legalizim mund të jetë gjithashtu paradhoma e shumë fenomeneve të tjera të dëmshme për shoqërinë, sikurse monopolet apo logjikat mafioze”.
“…me propozim nga poshtë e me vendim nga lart”
Ipeshkvi i Rrëshenit, në një postim në Facebook, publikuar edhe në faqen zyrtare të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë (kish.al), habitet se si një popull “konservator” si ai shqiptar qenkësh pro kanabisit, të paktën, siç rezulton nga konsultimi i fundit qeveritar, në të cilin, gjithsesi, kanë marrë pjesë pak më shumë se 500 mijë vetë e jo shumica e popullsisë. Ndihet, sipas imzot Gjergj Metës, shija e dikurshme e marrjes së vendimeve “…me propozim nga poshtë e me vendim nga lart”. Kujtohet se projektligji për legalizimin e kanabisit është mbi tryezën e qeverisë që nga viti 2019. “Nuk dua të besoj - përfundon imzot Meta – se një nismë e tillë është dorëzim i shtetit përballë mafies së kultivimit të lëndëve narkotike”. Por ç’ndodh në shtete të tjera?
Kanabisi në Evropë
Në vendet evropiane, ligjet për kanabisin janë shumë të ndryshme. Që nga dhjetori 2021, Luksemburgu është shteti i parë dhe i vetëm i BE-së, që e ka legalizuar prodhimin vendas dhe përdorimin personal të kanabisit jo vetëm për qëllime mjekësore, për qytetarët mbi 18 vjeç. Marihuana është e paligjshme në Gjermani, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Greqi dhe Finlandë. Në Holandë, shitja e kanabisit lejohet vetëm në vende të autorizuara, si kafene, ndërsa mbajtja, shitja, transporti dhe kultivimi janë depenalizuar, pra, nuk konsiderohen më krim për ndjekje penale. Në Spanjë është e ligjshme rritja, ose përdorimi i kanabisit në ambiente të mbyllura, ndërsa transporti dhe konsumi në vende publike mbetet i ndaluar. Në Portugali, që nga viti 2001, është depenalizuar përdorimi i drogës për përdorim personal, por arrestohet çdo njeri, që kapet me çdo lloj lënde narkotike në sasi më të mëdha se nevojat individuale. Në Zvicër, shitja dhe përdorimi janë të paligjshme, por zotërimi dhe kultivimi i kanabisit është depenalizuar në disa kantone. Në Belgjikë është i paligjshëm, por kultivimi i bimës femërore është depenalizuar.
Kanabisi në botë
Vendi i parë në botë, që e ka legalizuar kanabisin është Uruguai, në prill 2014. Në SHBA-të, ai është i ligjshëm në Kolorado, ndërsa përdorimi i tij është depenalizuar në 14 shtete. Kanabisi është i paligjshëm në Kanada, por qeveria mund të autorizojë përdorimin e tij terapeutik, ose për punë kërkimore industriale. Në Kinë, të gjitha drogat janë plotësisht të paligjshme, si edhe në Japoni. Në Indi, konsumi, transporti dhe shitja e kanabisit dhe e derivateve të tij lejohen në raste të veçanta dhe të autorizuara. Në Iran mund të kultivohet vetëm për qëllime ushqimore (nga farat nxirret një vaj, që mund të tregtohet). Në Kamboxhia është zyrtarisht i paligjshëm, por tolerohet kultivimi dhe përdorimi. Në Kolumbi dhe Meksikë përdorimi i kanabisit dhe i derivateve të tij është depenalizuar, në Kili lejohet vetëm përdorimi terapeutik, ndërsa në Bolivi dhe Paraguaj nuk ljeohet konsumi dhe mbajtja e marihuanës.