Kërko

Incredulità di san Tommaso (Caravaggio) Incredulità di san Tommaso (Caravaggio)

Fjala e Zotit e Dielës së 2-të të Pashkëve in ‘Albis’ kushtuar Mëshirës Hyjnore

Mosbesimi i Tomës, për çka flet pjesa e Ungjillit të kësaj se diele, na ndihmon të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Krishtit, dhe inkurajon të gjithë njerëzit që e kërkojnë me zemër të pastër takimin me Jezusin, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë. Krishti i ngjallur është shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi apostuj të paqes e lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Dielës së Dytë të Pashkëve, e diele që nga viti 2000 Papa Shën Gjon Pali II ia besoi Mëshirën Hyjnore. Pra këtë të diele Kisha kremton festën e Mëshirës Hyjnore.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 2-të e Pashkëve “C”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 2-të e Pashkëve “C”

Në fragmentin e ungjillit të kësaj së diele, kemi rrëfimin mbi takimin e Tomës me Krishtin - Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi.

Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të. 

Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zërë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të mëdhatë. 

Pas fjalëve të Krishtit të Ngjallur, feja gati e shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. 

Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Jezu Krishti - Zoti i Ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues.

Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?  E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. 

Toma mori nga Zoti Jezus e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare. Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar! .

                                                          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Vap 5, 12 – 16) 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremen e Salomonit. Prej të tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim. 
Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i nxirrnin në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e nga ata që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin. Fjala e Zotit. 

Psalmi 118 (117) 

Allelluia, Allelluia, Allelluia.
 
-----
Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, 
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, 
e amshuar është dashuria e tij!
-----
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, 
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
----- 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, 
deh, o Zot, jepe të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi:
----- 

Leximi i dytë (Zb 1, 9-11a. 12-13. 17-19) 

Lexim prej Zbuleses së shën Gjonit apostull 

Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave.
U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës.
Kur e pashë, rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!
Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë! Fjala e Zotit.


Ungjilli (Gjn 20, 19-31)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit 

Në mbrëmjen e po asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë:
“Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA II E PASHKËS: U TREGOI DUART DHE KRAHARORIN.

(Vap 5, 12-16; Ps 118 (117); Zb 1, 9-11.12-13.17-19; Gjn 20, 19-31)

«Oh, sa gëzim ka zemra ime për festimin e kësaj të Kremteje!... Në këtë ditë, të gjitha dyert e burimeve Hyjnore, nëpër të cilat rrjedhin hiret, janë të hapura». Këto janë fjalët që Jezusi ia tha Shenjtes Faustina Kovalska shekullin e kaluar, kur i zbuloi asaj se dëshironte që Kisha, të dielën e dytë të Pashkës, ta caktonte si të dielën e Mëshirës Hyjnore. Kisha e pranoi vërtetësinë e këtyre të dukurave dhe Papa Gjoni Pali II e çoi në vend këtë dëshirë të Jezusit më 30. 04. 2000 duke thënë: «Nga dita e sotme, në mbarë Kishën, kjo e diel e dytë e Pashkës, do të quhet e Diela e Mëshirës Hyjnore».

Jezusi i pat thënë kësaj rregulltareje polake edhe që t’i nxiste piktorët të realizonin një pikturë në përngjasim të asaj që ajo po shikonte në atë çast dhe, poshtë saj, të shkruheshin fjalët: «Jezus, unë besoj në ty». Në këtë figurë Jezusi paraqitet me dorën e djathtë të ngritur lart dhe që po jep bekimin e Tij. Jezusi ka ardhur të na sjell bekimin e jo dënimin. Ai ka ardhur për të na treguar dashurinë e Hyjit ndaj nesh e jo të na kërcënojë.

Edhe pjesa ungjillore që dëgjuam sot, na tregon se si Jezusi i Ngjallur, kur u shfaqet apostujve, si përshëndetje të veten ka fjalët: «Paqja me ju!» Nuk ua përmend fare braktisjen që ata i bënë gjatë mundimeve dhe vdekjes së Tij, por u dhuron paqen vet. Ai vetëm këtë dëshiron, të na dhurojë bekimin e Tij, bekim i cili sjell paqen në zemrat e besimtarëve të Tij.

Në pikturën e Mëshirës Hyjnore, dorën e Tij të majtë Jezusi e ka mbi kraharor. Prej aty dalin dy rreze të mëdha, njëra e bardhë e tjetra e kuqe, që simbolizojnë ujin dhe gjakun që rrodhën nga kraharori i Tij kur ushtari ia shporoi atë me heshtë. Ky detaj, në dukje i rastësishëm në Mundimet e Krishtit, ka në vetvete një domethënie të madhe mistike. Etërit e Kishës e kishin kuptuar këtë dhe thoshin se uji është simbol i Pagëzimit, ndërsa gjaku – simbol i Eukaristisë. Nga Pagëzimi lind Kisha e nga Eukaristia Kisha mbahet në jetë. Nga kraharori i shporuar i Jezusit të vdekur, lindi Kisha. E, edhe këtu, Etërit e Kishës shihnin diçka tejet domethënëse: sikurse nga kraharori i Adamit të fjetur, Hyji nxori Evën, gruan e tij, ashtu edhe nga kraharori i Jezusit tashmë në gjumin e vdekjes lindi Kisha, Nusja e Krishtit. Rrezet që në fuguren e Mëshirës Hyjnore dalin nga kraharori i Jezusit, janë simbol i gjithë kësaj të vërtete. Në këtë fugure janë mjaft të dukshme edhe plagët e Jezusit.

Edhe në Ungjillin e sotëm Jezusi u tregon apostujve plagët e veta: «Jezusi u tha: ‘Paqja me ju!’. Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan kur e panë Zotërinë.» Shihet qartë se sot Liturgjia e Fjalës përpiqet ta mbajë dukshëm lidhjen me festën e sotme. Edhe leximi i dytë sot e përshkruan Jezusin pak a shumë siç e paraqet kjo fugure. Shën Gjoni thotë: «U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë dhe në midis të shandanëve dikënd si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës».

Kështu, pra, lidhjet e sotme mes Liturgjisë së Fjalës dhe festës së Mëshirës Hyjnore janë të shumta dhe mjaft domethënëse. Vetë Jezusi i tha Shenjtes Faustinë se dëshironte që në këtë ditë edhe meshtarët të flisnin më shumë për Mëshirën e Tij dhe premtoi se nuk do t’ua mungonte bekimet e hiret e veta atyre meshtarëve që do të flisnin në këtë ditë për Mëshirën Hyjnore. Sa bukur është edhe për mua si meshtar e për shumë bashkëvëllezër të mi meshtarë ta dimë se po realizojmë këtë dëshirë të Jezusit dhe se Ai, i prekur nga fakti se popullit të Tij po i shpallet begatia e Mëshirës së Tij, siguron praninë e Hirit të vet.

Mëshira e Hyjnore del gjithnjë fitimtare. Në një botë ku duket sikur mëshira është dobësi, Hyji ngul këmbë që të shpallë se pikërisht Mëshira është forca e vërtetë. Mëshira e dashuria jonë (nëse mësojnë nga Mëshira dhe Dashuria e Hyjit) kurrë nuk mund të humbasin e kurrë nuk do të mbeten pa fryt. Kjo për faktin e vetëm se Jezusi është Ngjallur prej së vdekuri dhe, si pasojë, të gjithë ata që i bashkohen Mëshirës e Dashurisë së Tij, janë qysh tani pjesëmarrës të fitores së Ngjalljes së Tij.

Mbase, për t’i kuptuar gjithë këto, neve na duhet pak kohë. Ashtu siç iu desh edhe Shën Tomës apostull. Kur apostujt e tjerë i thanë se e kishin parë Jezusin e Ngjallur, ai e shprehu qartë dyshimin e vet: «Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdëve e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdëve; pa e shtënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj». Nuk duhet të mendojmë menjëherë se Toma e donte Jezusin më pak se apostujt e tjerë. Toma, përkundrazi, ishte mjaft guximtar. Kur Jezusi, para mundimeve dhe Vdekjes, mori vendimin e Tij që të nisej për Jerusalem, apostujt e tjerë i thanë:

«Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?», por vetëm Toma u dha atyre kurajo duke u thënë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!». Arsyeja e ngurrimit të Tomës i ka rrënjët diku tjetër: tek vështirësia për të besuar se dikush mund të Ngjallet së vdekuri. A nuk është kjo edhe vështirësia e të gjithë neve? A nuk është e vërtetë se përballë vdekjes duket sikur dorëzohemi? Jo dorëzimi apo trishtimi i natyrshëm, por mbase edhe rënia e dëshpërimi pa kthim mbrapa. Në këto raste, dëshminë që të tjerët na japin mbi Jezusin e Ngjallur as ne shpesh nuk e marrim aspak parasysh, duke qenë se vdekja na ngjan me një perëndi të gjithëpushtetshme. Kështu ishte edhe për Tomën apostull. Prandaj ai kërkon një shenjë të bindshme, përndryshe nuk beson: «Pa e parë në duar të tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.»

Jezusi duket sikur e pranon sfidën e këtij apostulli të brishtë. Ai përsëri u shfaqet apostujve mbas tetë ditësh e, atë ditë, me ta ishte edhe Toma. Pasi të gjithëve u drejtohet me përshëndetjen e Tij të ëmbël «Paqja me ju!» (përsëri nuk i qorton, por u dhuron paqen), thërret pranë vetes Tomën e i thotë: «Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!». Mëshira Hyjnore përkulet mbi brishtësinë njerëzore, me qëllim që atë ta ngrejë lart e ta zhysë në miqësinë me Hyjin e vet.

Janë pikërisht kjo përkulje e Mëshirës Hyjnore mbi të dhe këto plagë të Jezusit që Tomën e bëjnë të vetëdijshëm se është pak që Jezusin ta quajë «Zotëri», siç e quanin deri atëherë të gjithë apostujt, por e quan edhe «Hyj», sepse vetëm Hyji mund të jetë kaq i mëshirshëm përballë njeriut dhe kaq i fortë përballë vdekjes. Prandaj përgjigjet: «Zotëria im dhe Hyji im!». Toma i zuri dhe i kaloi apostujt e tjerë në ecjen e tij të fesë. Tani Toma e kupton se fjalën e fundit nuk e ka vdekja, por Hyji. Ai mund të fitojë mbi vdekjen. Tashmë as Toma e as apostujt e tjerë nuk do ta kenë më frikë vdekjen, sepse e dijnë se ajo është e mposhtur nga Jezusi i Ngjallur. Tashmë apostujt do të dalin haptas nëpër rrugët e Jerusalemit e të mbarë botës për të shpallur se Jezusi është Hyj. Kësaj shpalljeje vetë Jezusi do t’i bashkëngjisë shenjat e fitores së Tij mbi vdekjen – mrekullitë – që kështu ta ftojë botën për kthim.

Leximi i parë sot flet për mrekullitë e shumta që bënin apostujt, sidomos Shën Pjetri: «I qitnin në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja, në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre.... Të gjithë shëroheshin.» Por ai flet edhe për mrekullinë e bashkimit që ekzistonte në mes të krishterëve të parë: «Të gjithë besimtarët, si me marrëveshje, e kishin zakon të bashkohen në Tremin e Salominit... Populli u jepte nderim.» Të dyja këto, shërimet dhe bashkimi në mes tyre, janë mrekullitë që Jezusi i Ngjallur, vetë Mëshira Hyjnore, i realizon dhe ia jep botës për t’i ftuar në kthim. Kështu Jezusi e fton botën që ta flakë tutje mënyrën e vjetër të të menduarit e të shikojë kah i Ngjalluri, duke iu hapur edhe ajo Mëshirës së Tij të pambarim, Mëshirë e cila mezi pret të zbrazet me bollëk mbi të. Të gjithë atëherë do të mund të zhyten në miqësi me Hyjin e tyre, miqësi të cilën djalli përpiqet të na e paraqesë si pengesë për lirinë tonë.

«U tregoi duart dhe kraharorin.», thotë Ungjilli i sotëm për Jezusin që iu shfaq apostujve. Edhe Shenjtes Faustinë, Jezusi i kishte thënë të nxiste që të realizohej ajo pikturë ku paraqiteshin dukshëm duart dhe kraharori i Tij i shporuar. Plagët e Jezusit nuk janë padia që Ai bën para Atit për kryqëzimin që i bëmë ne njerëzit, por janë shenja dhe garancia e dashurisë së pafund që Ai ka për secilin prej nesh. «Bija ime, foli mbarë botës për Mëshirën Time, që mbarë njerëzimi ta njohë Mëshirën Time të Paimagjinueshme...», i kishte thënë Jezusi Shenjtes Faustinë. Dhe ka shtuar: «Njerëzimi nuk do të gjejë paqe derisa nuk do t’i afrohet me besim Mëshirës sime».

Dom Dritan Ndoci

 

23 prill 2022, 11:25