Kërko

Don Khalayim në takimin me Papën Françesku Don Khalayim në takimin me Papën Françesku 

Don Khalayim, kapelan ushtarak: “duhma” e luftës nuk mund të shpjegohet

Në intervistën për Vatican News, meshtari ukrainas, një nga misionarët e mëshirës, që u takua me Papën të hënën në Vatikan, flet për ndihmën shpirtërore në front. “Nëse do të pushojnë të shtënat, nëse do të ketë paqe, jo vetëm armëpushim, atëherë mund të flasim për falje. Do të jetë një rrugë e gjatë - thekson ai – tre, ose katër brezash”. Edhe kur këndojmë “Krishti u ringjall”, akoma jetojmë Udhën e Kryqit, por Kisha sjell shpresë

R.SH. – Vatikan

Don Oleksandr Khalayim është meshtar ukrainas nga dioqeza e ritit latin Kamjanets-Podilskyj. Nga rajoni Khmelnytskyi, dje, ishte në mesin e misionarëve të mëshirës, që morën pjesë në takimin me Papën Françesku në Vatikan. Në vend të lajmeve nga lufta në Ukrainë, sot ia drejtuam atij mikrofonin, në një intervistë për Radio Vatikanin – Vatican News, një mundësi për të folur mbi gjithçka po ndodh në tokën e tij, mbi urgjencën e dialogut në planin politik dhe afërsinë në nivelin njerëzor. “Falja” dhe “mëshira” janë fjalë kyçe edhe në një skenar lufte, në një rrugë të gjatë, por të nevojshme. Në fjalët e misionarit, falënderimi për të gjithë ata që, me solidaritet, po përpiqen të shërojnë plagët e një konflikti, fundi i të cilit ende nuk shihet:

Ditët e para të konfliktit ishte e vështirë të besohej dhe të pranohej se në shekullin XXI kemi ende luftë dhe se kjo po ndodhte në vendin tim, me popullin tim. Pastaj, menjëherë i bëra vetes pyetjen: çfarë mund të bëj? Mora vendim të rri me njerëzit [me ushtarët, me vullnetarët e shumtë civilë, red.], të cilët prisnin Fjalën e Zotit dhe ndihmën shpirtërore. Funksioni i kapelanit është të dëgjojë, të kremtojë meshë, të rrëfejë, t’u japë guxim dhe të rrijë me njerëzit. Ata e dinë pse luftojnë: për familjen e tyre. Janë gati të japin gjithçka për t’u mbrojtur. Ka rëndësi të jemi edhe pranë të moshuarve, që mbijetojnë pas bombardimeve të rënda, në mënyrë që askush të mos ndihet vetëm.

Në takimin e tretë me Papën, ju misionarëve Ati i Shenjtë ju kërkoi të jeni shenjë konkrete e mëshirës së Zotit. Çfarë është mëshira në luftë dhe çfarë është falja?

Para faljes, duhet të vijë dialogu. Falja duhet pranuar. Falja është rrugë e gjatë. Për mua tani është e vështirë të flas për falje kur akoma bien bombat, kur akoma vriten fëmijë, kur qytetet bombardohen. Nëse do të pushojnë të shtënat, nëse do të ketë paqe, jo vetëm armëpushim, atëherë mund të flasim për falje. Do të jetë një rrugë e gjatë, tre, ose katër brezash. Të falësh gjithçka vuajtën gratë e fëmijët është vërtet shumë e vështirë. Po, ne të krishterët duhet të flasim për falje, por nuk duhet ta shfrytëzojmë këtë fjalë, sepse falja është përgjegjësi. Zoti nuk fali vetëm me fjalë, por edhe me zemër. Do të na duhet një përkujdesje e gjatë për shpirtin.

A mund t’u flisni për mëshirën e Zotit ushtarëve?

Po. Mëshirë do të thotë t’u kërkosh ushtarëve të mos vrasin, nëse është e mundur. Kur je në vijën e parë të frontit nuk është e lehtë. Unë u them atyre të mbrojnë vendin. Edhe kjo është mëshirë: të mbrosh shtëpitë dhe familjet. Këta djem kanë parë shumë mrekulli në këto dy muaj: pyesin veten, për shembull, si është e mundur që janë ende gjallë në mes të kaq shumë shkatërrimeve. Ja, mëshira e Zotit është prania e Tij këtu, me mbrojtjen e Tij.

Në terrin e luftës, po dalin në pah edhe shumë histori solidariteti e mikpritjeje, që e lehtësojnë disi dhimbjen nga kaq shumë plagë. Çfarë i duhet popullit ukrainas sot?

Mendoj se Ukraina nuk e ka pasur kurrë ndonjëherë këtë unitet e solidaritet. E falenderoj popullin italian dhe shumë të tjerë për gjithçka po bën. Duhet solidaritet, afërsi, por duhet kërkuar edhe e vërteta. Armiku fshihet pas shumë gënjeshtrave, pas propagandës. E vërteta bërtet me të madhe, nuk duhet të kemi frikë ta themi, pavarësisht se kjo do të thotë të humbasim siguritë materiale. Pas një të vërtete të pashprehur, dikush humbet jetën. E, nëse kjo ndodh, bëhemi bashkëpërgjegjës për vdekjen e të pafajshmëve. Pastaj, kemi lutjen. Lufta është gjithmonë kundër të drejtave të njeriut. Dua të falënderoj edhe për ndihmën ndaj ushtarëve. Ne po mbrojmë tokën tonë. Liria nuk është vetëm fjalë, por edhe përgjegjësi. Në emër të saj, duhet të jemi gati të japim jo vetëm një pjesë të jetës, por nganjëherë, edhe të gjithë jetën.

Ju flisni për “duhmën” e luftës...

Që në ditët e para të papnisë, Papa tha se meshtarët duhet të kenë erën e deleve. Tani, Kisha në Ukrainë e ka këtë erë. Era e djegies, duhma e luftës. Nuk mund të shpjegohet me fjalë. Me një diakon kaluam afër Donetskut dhe e ndjemë erën e luftës. Duhma e vdekjes nuk mund të shpjegohet. Në Bucha, në Gostomel, ndihet era e djegies. Në Chernihiv, ndihet duhma e braktisjes, gjithçka është shkatërruar. Të shkretët pleq, të vetmuar. Njëri nuk mund të lëvizte që prej pesë ditësh, askush nuk mund ta ndihmonte. Arrinte vetëm të merrte ujë nga radiatorët e ngrohjes për të pirë. Kështu mbijetoi. Çdo qytet ka erën e vet të vuajtjes. Nuk mund të përshkruhet. Këtu, Kisha duhet të mbruhet me këtë erë dhe t’u qëndrojë pranë njerëzve me mënyra të ndryshme për ndihmë. Kisha e vërtetë është Kishë 'fleksibël'.

Sa e prekshme është shpresa e popullit ukrainas?

Nuk e dimë sa do të zgjasë kjo Udhë Kryqi për Ukrainën. Jemi ende në Kreshmë, pavarësisht se këndojmë “Krishti u ngjall”. Megjithatë, vazhdojmë ta mbajmë gjallë shpresën. Çka bëjmë, s’po e bëjmë për të luajtur, sikur të mos kishim tjetër punë. E bëjmë, sepse kjo është detyra jonë. Njerëzit janë të sfilitur, por sytë e tyre tregojnë besim tek Zoti dhe tek ata, që u qëndrojnë pranë. Një ushtar nga Krimea, me gjithë familjen ateiste, deshi t’i merrte të gjitha sakramentet para se të shkonte në luftë. Për një javë u përgatit kaq mirë, sa rrallë sheh një mirënjohje të tillë. Për të, marrja e sakramenteve ishte vërtet dhuratë. Jam vetë dëshmitar. Shpresojmë që një ditë të këndojmë se jemi ringjallur bashkë me Krishtin.

26 prill 2022, 14:16