Kërko

Varshavë: Bartolomeu I e imzot Gądecki luten për paqen, me refugjatët ukrainas

Kreu i Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, për vizitë në Poloni, u takua me kryetarin e ipeshkvijve vendas dhe më pas, së bashku, u lutën me refugjatët ukrainas, që ikin nga lufta: “Nganjëherë ka vend veç për lot”

R.SH. – Vatikan

Janë kudo në Poloni, dy milionë ukrainasit, të cilët lufta e nisur nga Rusia i ka lënë pa atdhe. Bujaria e polakëve, që i kanë strehuar, u ka kthyer atyre së paku dinjitetin. Rreth 90 refugjatë strehohen në kampusin e Universitetit “Kardinal Stefan Wyszyński”. Pikërisht në universitetin kushtuar primatit të dikurshëm të Kishës Katolike, që iu kundërvu totalitarizmit, ukrainasit i takoi sot Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili nuk i mbajti lotët. “Thjesht, nuk mund ta imagjinojmë çfarë shkatërrimi të madh ka shkaktuar ky pushtim i tmerrshëm për popullin ukrainas dhe për gjithë botën”, pohoi ai, pasi foli me kreun e ipeshkvijve vendas, kryeipeshkvin Stanisław Gądecki.

Luftë “e pakuptimtë”

 Para refugjatëve, Patriarku Ekumenik - në Poloni që prej 27 marsit me ftesë të presidentit Andrzej Duda - falënderoi vendin për mikpritjen e ngrohtë të ukrainasve. Nganjëherë, theksoi ai, fjalët nuk arrijnë ta përshkruajnë tmerrin, mbeten vetëm lotët. “Solidariteti juaj me ta është dhuratë e vërtetë nga qielli, është e vetmja gjë, që mund të fitojë mbi të keqen dhe errësirën në botë”, pohoi Bartolomeu, pas falënderimeve të imzot Gądeckit. Jo më shumë se 80 vite pas Luftës II Botërore, Evropa po sheh edhe një herë "etjen" për të mbizotëruar dhe "mungesën e respektit për jetën e për dinjitetin njerëzor", vuri në dukje kreu i ipeshkvijve polakë, duke kujtuar fjalët e letrës së Bartolomeut, drejtuar ditë më parë Patrikut të Moskës, Kirill: "Lufta është gjithmonë humbje për njerëzimin. Kjo luftë... për shkak të afërsisë së dy popujve dhe rrënjëve të tyre të krishtera - është edhe më e pakuptimtë".

Takimet e Bartolomeut I

Shumë nga ukrainasit, refugjatë në Poloni, janë ortodoksë. Imzot Gądecki i siguroi se Kisha Katolike do t'i mbështesë, duke respektuar veçoritë e tyre. Gjatë takimit, thuhet në një deklaratë, të gjithë së bashku u lutën  "për fundin e shpejtë të luftës", për shërimin e plagëve të shkaktuara nga kjo mizori, për viktimat dhe për "kthimin" e zemrës së atyre, që e nisën konfliktin. Takimi u mbyll me lutjen "Ati ynë" në gjuhën angleze dhe ukrainase e me bekimin e kryeipeshkvit Gądecki dhe të Bartolomeut I, i cili nesër largohet nga Polonia. Gjatë këtyre ditëve ai vizitoi edhe Qendrën e Kulturës Ortodokse në Varshavë dhe besimtarët e kishës ortodokse Jan Klimak në Varshavë-Wola.

29 mars 2022, 17:24