Kërko

Jezusi në shkretëtirë, tunduar nga djalli Jezusi në shkretëtirë, tunduar nga djalli

Të meditojmë me Ungjillin: “Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd”

E Diela e Parë e Krezhmëve 'C' na flet për tundimet e Jezu Krishtit. Ungjilli sipas Lukës (4,1-13) na i paraqet si parathënie të kundërvënieve të shumta, që duhet të pësojë Biri i Zotit deri në kohën e mundimeve e të vdekjes, mbi të cilën fiton përfundimisht me ringjalljen. Por na thotë edhe ne: “Jo vetëm me bukë jeton njeriu”, pra, Krishti na tregon udhën për t’iu përgjigjur tundimeve, që të gjithë kemi në jetë. Të ndjekim pjesën ungjillore…

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkreti, ku, për dyzet ditë, e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, pati uri. Atëherë djalli i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.” Jezusi i përgjigji: “Thotë Shkrimi shenjt: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë’.”  Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, e i tha: “Ty do ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua, dhe unë ia jap kujt të dua. Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.” Jezusi i përgjigji: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbeji’!”  Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi Shenjt thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, dhe ‘do të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur’.” Jezusi i përgjigji: “Por u tha edhe: ‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd’!” 

Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.

Të lutemi së bashku

Askush nuk përjashtohet nga tundimet:

as Ti, o Jezus, nuk mbete pa to.

Tundimet përpiqen të minojnë themelet

e të hedhin poshtë muret mbajtëse.

Në lumin Jordan, në çastin kur

filloi misioni Yt publik,

a s’ishte Ati, që të deklaroi

“Birin e Tij të dashur”,

duke na thënë se Ty duhet të të dëgjojmë?

E, pikërisht prej kësaj niset Tunduesi:

“Nëse je ti Biri i Zotit…”.

 

E vërtet, ashtu je, o Jezus,

por je edhe njeri, deri në fund,

e pra, aspak imun para urisë dhe etjes,

para brishtësisë e dobësisë,

para refuzimit e dështimit.

 

A do ta gjesh udhën për t’u larguar

mrekullisht, nga pasiguritë e ankthi

e nga gjendja e njeriut të zakonshëm?

A do ta vësh në provë Atin Qiellor

për të pasur një shenjë pa mëdyshje

të mbrojtjes e të dhembshurisë së tij?

A do të përdorësh mjetet e kësaj bote,

ose ndonjë lloj magji mahnitëse

që të garanton triumfin?

Jo, besimi yt në Atin

është i plotë, pa pasur nevojë për prova.

E kështu do të jetë deri në fund,

deri në ditën e kryqit e të vdekjes.

05 mars 2022, 08:38