Kërko

Trasfigurazione di Cristo, il vangelo della domenica Trasfigurazione di Cristo, il vangelo della domenica

Të meditojmë me Ungjillin: ky është Biri im, atë dëgjoni

Kjo e dielë, e dyta e Krezhmëve (C), i kushtohet Shndërrimit të Zotit. Prej kreut IX të Ungjillit sipas Lukës mësojmë kë duhet të ndjekim në jetë. Vetë Ati Qiellor u thotë dishepujve e ndjekësve të Krishtit në çdo kohë: “Ky është Biri im, i zgjedhuri, atë dëgjoni”. Ja pjesa ungjillore…

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima. Kur qe, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 

Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të. Dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po i bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte. Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 

Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – i Zgjedhuri! Atë dëgjoni!” Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm. Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.

Të lutemi së bashku

Atë ditë, mbi mal

e panë lavdinë Tënde.

Ta panë fytyrën që ndryshoi

e petkat, që u bënë të bardha e shndritën.

E njohën Moisiun dhe Elinë

ndërsa flisnin me Ty për kalimin tënd

nga kjo jetë, në Jeruzalem.

 

Po, pikërisht drejt Qytetit të Shenjtë

Ti bën një hap pas tjetrit, o Jezus,

e pikërisht aty do ta provosh

braktisjen dhe dënimin,

sharjet e talljet.

Aty, trupi yt, plagë e gjallë

nga goditjet e tmerrshme të kamxhikut,

do të gozhdohet në kryq,

mes spazmash torturuese.

 

Ata të tre, që panë lavdinë Tënde

a do të vazhdojnë të besojnë në Ty

kur do të shohin fytyrën,

shpërfytyruar e shëmtuar?

E ne, a do të dimë të besojmë në Ty

edhe kur do të na takojë të hyjmë

në vorbullën e errët të vuajtjes,

kur do të na kërkosh të flijojmë

ëndrrat tona të triumfit.

A do të arrijmë ta mohojmë vetveten?

Na ndihmo ta kujtojmë gjithmonë

dritën, që e kemi parë

të shkëlqejë në fytyrën Tënde,

e kështu, të mos e shmangim sprovën.

12 mars 2022, 08:51