Kërko

2022.03.04 Cappellano militare durante la guerra 2022.03.04 Cappellano militare durante la guerra

Papët kundër luftës. Kisha e paanëshme (por jo asnjanëse)

Fjalimet e Papëve kundёr luftёs,kushtuar paqes, duke nisur nga Benedikti XV, për të arritur deri në ditët tona, përshkohen nga i njëjti fill i kuq. Ky fill nuk shikon vetëm faktin se Selia e Shenjtë angazhohet në favorizimin e rrugëzgjidhjeve, që mund të arrihen përmes bisedimeve, për të shmangur konfliktet ose, nëse këto kanë shpërthyer, për të shpëtuar një numër sa më të madh jetësh njerëzore, duke mbajtur të hapura kanale dialogu me të gjitha palët në ndeshje.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë Ukrainën, sipas OKB-së, më se një milion vetë janë larguar nga vendi e numri mund të arrijë shpejt edhe në 10 milion. Prandaj, së bashku me Papën Françesku, i cili vazhdon të bëjë thirrje që të heshtin armët, na duket sot e rëndësishme të kujtojmë edhe zërin e Papëve të mëparshëm, që është ngritur gjithnjë fuqishëm për t’i thënë ‘jo’ luftës e për të ripohuar dinjitetin e jetës njerëzore, që vjen nga Zoti. Dialogu ndërmjet popujve me kultura e fe të ndryshme nuk është opcion, është i domosdoshëm për paqen dhe për risimin e jetës ndërkombëtare.

Po e nisim nga Papa Benediktit XV, i cili bëri thirrje kundër “kasaphanës së kotë” të Luftës I Botërore. Britma vetmitare, e padëgjuar, kundër “masakrës së pakuptimtë”, që lartoi Papa Giacomo Della Chiesa mёse njëqind vjet më parë, ndërsa Lufta e Madhe korrte e grinte njerëz,  shënonte fillimin e magjisterit të paqes nga ana e papëve të nëntëqindës. Por duke u thelluar në studimin e historisë, mësojmë se  Benediktit XV i parapriu në këtë mision Papa Piu IX, ai që, më 29 prill 1848, vendosi të mos merrte pjesë në luftën kundër Austrisë me ushtrinë e tij, sepse asokohe edhe papët kishin ushtri me ushtarë të rregullt, duke  pohuar: “Ne i përqafojmë të gjithë njerëzit, popujt e kombet me të njëjtin kujdes e të njëjtën dashuri atërore”.

Asokohe luftëtarët për çlirimin dhe bashkimin e Italisë e shikuan  tërheqjen e Papës Mastai si tradhti ndaj vendit. Ndërsa në të vërtetë ishte një farë e re, që hidhej në trojet e rrënuara nga luftërat e edhe një sjellje e re, e panjohur deri asokohe: paanshmëria (që nuk duhet ngatërruar me asnjanësinë) e që niste pikërisht me thirrjen e 1917-tës, të cilën bota nuk deshi ta dëgjojë. Për ta paguar, më pas, paqen, me një çmim shumë të lartë. Që atëhere e tutje, duke pasur parasysh armët gjithnjë më të fuqishme dhe masakrat gjithnjë më të përgjakshme, që pësojnë gjatë konflikteve masa gjithnjë më të mëdha të popullsisë civile, Papët nisën të planifikonin “sulme të mirëfillta”, për parandalimin e luftërave. E në rast shpërthimi, për t’i kufizuar sa më shumë dëmet e mundshme e, sidomos, humbjen e jetëve njerëzore.

Vërejmë se fjalimet e Papëve kushtuar paqes, duke nisur nga Benedikti XV, për të arritur deri në ditët tona, përshkohen nga i njëjti fill i kuq. Ky fill nuk shikon vetëm faktin se Selia e Shenjtë angazhohet në favorizimin e  rrugëzgjidhjeve, që mund të arrihen përmes bisedimeve, për të shmangur konfliktet ose, nëse këto kanë shpërthyer, për të shpëtuar një numër sa më të madh jetësh njerëzore, duke mbajtur të hapura kanale dialogu me të gjitha palët në ndeshje. Shikon edhe vazhdimësinë e përbërë prej njerëzish.

Një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Benediktit XV, në kohën kur u shkrua “Nota e paqes”, ishte imzot Eugenio Pacelli. Më 1939, sapo u ul në fronin e Shën Pjetrit me emrin Piu XII, bëri çmos ta shmangte Luftën II Botërore. Më 24 gusht të këtij viti, kur tanket e Adolf Hitlerit shkelnin mbi tokën polake,  Piu XII shqiptoi radiomesazhin e mirënjohur, duke theksuar: “Me paqen nuk humbet asgjë, me luftën, gjithçka”. Për këtë fjalim, i cili mbeti në histori,  ndërmjet  propozimeve të ndryshme, që kishte mbi tryezën e punës, Papa Pacelli zgjodhi bocën e hartuar nga Sekretari i asokoshëm i Sekretarisë së Shtetit tё Vatikanit,  Giovanni Battista Montini të cilit, si u bë Papë me emrin Pali VI, iu desh të merrej me luftën në Vietnam, duke përballuar një situatë në të cilën shtytjet për ndërhyrje ndesheshin me lëvizjet pacifiste, të nxitura shpesh nga Bashkimi Sovjetik.    

Gjonit XXIII, Papës së parë që shkroi një enciklikë kushtuar krejtësisht paqes (Pacem in terris), i shkoi puna më mbarë në rastin e krizës së Kubës, në tetor 1962, sepse në këtë rast asnjëri nga dy rivalët nuk dëshironin të shkonin deri në fund të fundit. E këtu jemi para një të dhëne tjetër, që meriton të kujtohet: për të pasur sadopak shpresë për sukses, është e nevojshme që thirrjet e papëve t’i bëjë të vetat ndonjë nga aktorët më të rëndësishëm në fushën e ndeshjes së mundshme. E kjo u pa në rastin e Gjon Palit II. Roli i tij u theksua fuqimisht gjatë viteve ’80 lidhur me luftën kundër komunizmit, pikërisht atëherë kur SHBA-të e Ronald Reganit synonin “besëlidhjen e shenjtë” me Vatikanin.

Por vetëm dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, kur Papa Ëojtyla kërkoi të mos niste Lufta e Gjirit, fuqitë perëndimore, të cilat pak më parë vareshin nga buzët e Papës së ardhur prej përtej perdes së hekurt, nuk deshën ta dëgjonin.  E njëjta gjë ndodhi edhe kur, tashmë i plakur e i prekur rëndë nga sëmundja, Gjon Pali II u bëri thirrje liderëve evropianë dhe atyre amerikanë, që nuk e kishin provuar si ai tmerrin e Luftës II Botërore, të mos e nisnin luftën kundër Sadam Husseinit. Edhe këtë herë thirrja e Gjon Palit II nuk u përfill.  Pasojat vijon t’i ketë parasysh mbarë bota!

Benedikti XVI, që e mori emrin nga Papa Della Chiesa, u ndodh përballë luftës asimetrike të nisur nga terrorizmi fundamentalist. Prej këndej, në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Paqes, në janarin e vitit 2006, bëri thirrje të fuqishme për çarmatimin bërthamor, duke kujtuar se në një luftë të mundshme bërthamore nuk do të kishte as fitues e as humbës, por vetëm  viktima e duke i ftuar si qeveritë që kanë armë të deklaruara ose të fshehura, ashtu edhe ato, që synojnë t’i prodhojnë, të bëjnë menjëherë kthesë.

Së fundi Papa Françesku, që po e thellon më tej vijën e pararendësve, përmes nismave tё ndryshme. Nuk është hera e parë, që i drejtohet presidentit rus Putin. Mjafton të kujtojmë Letrën e vitit 2013, me ftesën për t’u dhënë fund bombardimeve në Siri, shoqëruar me agjërim për paqen. E tani, jo më larg se pak orë para shpalljes së luftës kundër Ukrainës, gjatë audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë lutej: “Mbretëresha e Paqes e ruajtë botën nga çmenduria e luftës”. Bergoglio u kërkoi besimtarëve t’ia kushtojnë ditën e parë të Krezhmëve lutjes e agjërimit për paqen. “Dua t’u bëj thirrje njerëzve me përgjegjësi politike që ta shqyrtojnë seriozisht ndërgjegjen e tyre para Zotit, i cili është Hyj i paqes e jo i luftës, Ati i të gjithëve e jo vetëm i disave, Atë që na do vëllezër e jo armiq – vijonte Françesku. – U lutem të gjitha palëve të përfshira të heqin dorë nga çdo veprim, që shkakton edhe më shumë vuajtje për popullsitë, duke destabilizuar bashkëjetesën ndërmjet kombeve e duke diskredituar të drejtën ndërkombëtare”.

E, nuk duhet harruar edhe sa herë Papa Françesku i ka cilësuar konfliktet e ditëve tona si “luftë e tretë botërore pjesë-pjesë”, duke pohuar  se  shumë luftëra, të njohura e të harruara, janë si katrorët e fjalëkryqit, që mbushen njëri pas tjetrit, duke çuar në humnerën e konfliktit të përgjithshëm. E veçanta e Papës argjentinas qëndron në faktin se në mesazhet dhe fjalimet e tij  prek gjithnjë plagën e trafikut të armatimeve, e sidomos, të interesave të patregueshme e të pallogaritshme ekonomike, që i shoqërojnë. Duket përshkrimi i çdo lufte, edhe e kësaj të fundit në Ukrainë.

04 mars 2022, 15:19