Kërko

Në kufirin ndërmjet Ukrainës e Polonisë Në kufirin ndërmjet Ukrainës e Polonisë

Kreu i ipeshkvijve polakë, në një letër për Kirill: lufta është gjithnjë disfatë për njerëzimin

“Të lutem Vëlla, bëji thirrje Vladimir Putinit që t’i japë fund luftës së pakuptimtë kundër popullit ukrainas, sepse po vdesin njerëz të pafajshëm e vuajtja nuk prek vetëm ushtarët, por edhe civilët, sidomos gratë e fëmijët”: kështu i shkruan kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Polake, imzot Stanisław Gądecki, Patriarkut të Moskës e të gjithë Rusive, Kirill. Letra mban datën 2 mars 2022

R.SH. - Vatikan

“Të lutem Vëlla, bëji thirrje Vladimir Putinit që t’i japë fund luftës së pakuptimtë kundër popullit ukrainas, sepse po vdesin njerëz të pafajshëm e vuajtja nuk prek vetëm ushtarët, por edhe civilët, sidomos gratë e fëmijët”: kështu i shkruan kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Polake, imzot Stanisław Gądecki, Patriarkut të Moskës e të gjithë Rusive, Kirill. Letra mban datën 2 mars 2022.

“Të lutem, sa më përulësisht që është e mundur, të bësh thirrje për tërheqjen e ushtrisë ruse nga një shtet sovran siç është Ukraina”, shkruan kryeipeshkvi polak. “Asnjë arsye, - shton ai - asnjë motiv nuk e justifikon kurrë vendimin për të nisur pushtimin ushtarak të një vendi të pavarur, bombardimin e komplekseve të banimit, shkollave o kopshteve”.

Kreu i ipeshkvijve thekson se lufta është gjithmonë disfatë për njerëzimin. “Kjo luftë - siç e kam shkruar në letrën e mëparshme - për shkak të afërsisë së dy popujve dhe të rrënjëve të tyre të krishtera - është edhe më e pakuptimtë. A është e ligjshme të shkatërrohet djepi i krishterimit në tokën sllave, vendi i pagëzimit të Rus’?”, pyet imzot Gądecki.

Kryeipeshkvi i kërkon Patriarkut Kirill t’u bëjë thirrje ushtarëve rusë “të mos marrin pjesë në këtë luftë të padrejtë, të refuzojnë t’u binden urdhrave, rezultatet e të cilave - siç e shohim tashmë - janë krime të shumta lufte”. “Refuzimi për t’iu bindur urdhrave në këtë situatë është detyrim moral”, thekson ai në letër. Njëkohësisht, i kërkon Patriarkut rus të kontaktojë të gjithë vëllezërit ortodoksë në Rusi që të luten e të agjërojnë “për vendosjen e paqes së drejtë në Ukrainë”.

Kryetari i ipeshkvijve polakë shkruan për herë të dytë. Letra e mëparshme, dërguar më 14 shkurt, u drejtohej të gjithë ipeshkvijve ortodoksë dhe katolikë të Rusisë dhe Ukrainës. Në atë rast, imzot Gądecki bënte thirrje për bashkimin e “forcave shpirtërore të besimtarëve në Krishtin nga traditat e ndryshme të krishtera të Rusisë, Ukrainës dhe Polonisë ... për të shmangur fantazmën e një lufte tjetër në rajon”.

03 mars 2022, 15:14