Kërko

 KEK CCEE Bratislava 2022 KEK CCEE Bratislava 2022

Kishat katolike e protestante evropiane kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të luftës

Komiteti i përbashkët i Konferencës së Kishave evropiane dhe Këshilli i Konferencave episkopale të Evropës pёrmes një deklarate u bëjnë thirrje krerëve të Kombeve dhe komunitetit ndërkombëtar të promovojnë pajtimin dhe paqen

R.SH. – Vatikan

“Feja nuk mund të përdoret si mjet për të justifikuar këtë luftë. Të gjitha fetë, e edhe ne si të krishterë, jemi të bashkuar në dënimin e agresionit rus, tё krimeve qё kryhen kundër popullit të Ukrainës dhe blasfemisë që përfaqëson keqpërdorimin e fesë në këtë kontekst”.

Kёshtu shkruajnё anëtarët e Komitetit të Përbashkët të Konferencës së Kishave Evropiane (KEK) dhe të Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës (CCEE) në një apel drejtuar krerëve të kombeve dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë gjithçka që ёshtё mundёsinë e pushtetin e tyre për t'i dhënë fund luftës së tanishme e cila po shkatërron jetë dhe po shkakton vuajtje të tmerrshme.

Komiteti i Përbashkët KEK-CCEE bёri tё ditur nё ​​një deklaratë, gjatë takimit më 21 marsit mbajtur në Bratislavë, Sllovaki, se "zemra e fesё së krishterë janë paqja dhe pajtimi, tё dëshmuara në jetën e Jezu Krishtit".

Komiteti i përbashkët i Konferencës së Kishave evropiane dhe Këshilli i Konferencave episkopale të Evropës nёnvizon: “Duke parë vuajtjet e mëdha të atyre që jetojnë në Ukrainë dhe ikin prej saj, ne u bëjmë thirrje autoriteteve fetare e politike të impenjohen në njё dialog të vërtetë dhe të promovojnë paqen e qëndrueshme. Falёnderojmё për punën e jashtëzakonshme të bërë nga Kishat e OJQ-të, si dhe nga autoritetet lokale e shtetërore në vendet kufizuese me Ukrainën dhe më gjerë, për mirëpritjen e atyre që lënë shtëpitë e tyre dhe ikin nga lufta.

Ne kujtojmё gjithashtu edhe zërat e popullit rus që po proteston me guxim kundër pushtimit dhe jemi solidar me ta në betejën e tyre. Nxisim qё të vijohet me të gjitha nismat që mbështesin jetën dhe që dëshmojnë dashurinë e Krishtit për të afërmin. Ne vazhdojmë të lutemi për dhuratën e paqes dhe i ftojmë të gjithë të krishterët të bashkohen me ne në lutje, duke i pёrforcuar përpjekjet e tyre për të ripohuar vlerën e jetës dhe për të promovuar në mënyrë aktive pajtimin".

24 mars 2022, 09:45