Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: lum veprimtarët e paqes

E diela e kaluar, e para e Kreshmëve për katolikët, në kalendarin e Kishës Ortodokse quhet e Diela e Faljes. Pikërisht me atë rast, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, që tashmë, nuk kursen as fëmijët e spitaleve pediatrike, një grup prej më se 250 priftërinjsh dhe dhjakësh të Kishës Ortodokse Ruse, në një deklaratë të hapur, e quajtën këtë konflikt “vëllavrasës” dhe kërkuan armëpushim. Ja thirrja e plotë e priftërinjve ortodoksë rusë…

R.SH. – Vatikan

THIRRJE E PRIFTËRINJVE TË KISHËS ORTODOKSE RUSE PËR PAJTIM DHE PËR FUNDIN E LUFTËS

Ne, priftërinjtë dhe dhjakët e Kishës Ortodokse Ruse, secili në emër të vet, u drejtohemi të gjithë atyre nga të cilët varet ndërprerja e luftës vëllavrasëse në Ukrainë, me thirrjen për pajtim dhe për armëpushim të menjëhershëm. E dërgojmë këtë thirrje pas së Dielës së Gjykimit të Mbramë (E Diela e të Lidhurit të Mishit) dhe në prag të së Dielës së Faljes (e Diela e të Lidhurit të Djathit).

Gjykimit të Mbramë do t’i nënshtrohet çdo njeri. Asnjë autoritet tokësor, asnjë mjek, asnjë roje nuk të mbron nga ky Gjykim. Të shqetësuar për shpëtimin e çdo njeriu, që e konsideron veten bir i Kishës Ortodokse Ruse, nuk duam që të paraqitet në këtë Gjykim me barrën e rëndë të mallkimit të nënave. Ju kujtojmë se Gjaku i Krishtit, derdhur nga Shpëtimtari për jetën e botës, do të merret në sakramentin e Kungimit nga ata, që japin urdhra vrasëse jo vetëm për jetën, por që çojnë në dënimin e përjetshëm.

Vajtojmë për kalvarin, të cilit i janë nënshtruar pa e merituar, vëllezërit dhe motrat tona në Ukrainë. Ju kujtojmë se jeta e çdo njeriu është dhuratë e paçmuar dhe unike e Zotit, prandaj, urojmë kthimin e të gjithë ushtarëve - si rusë, ashtu edhe ukrainas - në shtëpitë dhe në familjet e tyre, shëndoshë e mirë. Trishtohemi kur mendojmë për humnerën, që duhet të mbushin fëmijët dhe nipërit tanë në Rusi dhe Ukrainë, për të rifilluar të jenë miq, për ta respektuar dhe për ta dashur sërish njëri-tjetrin. E respektojmë lirinë e njeriut, dhënë nga Zoti dhe besojmë se populli ukrainas duhet të vendosë vetë e jo nën kërcënimin e armëve, pa presione as nga Perëndimi e as nga Lindja.

Në të Dielën e Faljes, ju kujtojmë se dyert e Parrizit janë të hapura për këdo, edhe për mëkatarin më të madh, nëse u kërkon falje atyre, që i ka poshtëruar, fyer, përçmuar, ose të vrarëve nga duart e tij a me urdhër të tij. Nuk ka rrugë tjetër veç faljes dhe pajtimit të ndërsjellë.

“Zëri i gjakut të vëllait tënd lartohet deri tek unë nga toka; e tani je i mallkuar nga toka, që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote”, i tha Perëndia Kainit, i cili ishte xheloz për vëllain e tij më të vogël. Mjerë kushdo, që vëren se këto fjalë i drejtohen personalisht.

Asnjë thirrje jo e dhunshme për paqen dhe për t’i dhënë fund luftës nuk duhet të refuzohet me forcë dhe të konsiderohet si shkelje e ligjit, sepse urdhërimi hyjnor është: “Lum veprimtarët e paqes! Lum paqebërësit”. I ftojmë për dialog të gjitha palët ndërluftuese, sepse dhuna nuk të lë alternativë. Vetëm aftësia për ta dëgjuar tjetrin mund të japë shpresë për daljen nga humnera, në të cilën kanë rënë vendet tona në pak ditë. Le të hyjmë të gjithë në Kreshmë me frymën e fesë, të shpresës e të dashurisë.

NDALENI LUFTËN!

10 mars 2022, 11:30