Kërko

Bamirësia është zemra e jetës së krishterë

Ta harmonizojmë zemrën tonë me Zemrën e Krishtit, të mos mjaftohemi vetëm me ndihmën, që u japim të tjerëve, por të ndajmë me ta edhe vuajtjet e shpresat, duke e bërë, kështu, të dukshme, mëshirën e pafundme të Zotit për çdo njeri, që shkëlqen mbi fytyrën e Krishtit e, nga ana tjetër, edhe besimin tonë në Të. Takimi me tjetrin e hapja e zemrës për nevojat e tij, janë rast shëlbimi e lumturie

R.SH. - Vatikan

Takimi me tjetrin dhe hapja e zemrës, për ta ndihmuar në çaste të vështira, janë raste, që ndihmojnë për shëlbim dhe lumturim. Këtë thekson Kisha, posaçërisht, nё kohёn e Kreshmёve.

Kreshmët, që kemi filluar para mёse katёr javёsh, janë kohë e përshtatshme që, me ndihmën e Fjalës së Zotit e të Sakramenteve, të përtërihemi në fe e në dashuri, ne vetë, e edhe familjet e bashkësitë tona. Pra, jemi duke përshkuar një rrugë shpirtërore, që kërkon lutje, pendesë e ndihmë, heshtje e agjërim, në pritje të gëzimit të Pashkëve tё Jezu Krishtit.

Besnikëria jonë ndaj Ungjillit, na kujton Kisha, vërtetohet edhe mbi bazën e vëmendjes e të kujdesit, që tregojmë për të afërmit, pёr çdo njeri, posaçërisht për më të varfërit, më të braktisurit, më të ligështit, duke dëshiruar të mirën e tyre në të gjitha aspektet: fizike, morale e shpirtërore.
Edhe pse kultura bashkëkohore duket sikur nuk e kupton më ç’është e mirë e ç’është e keqe, duhet ripohuar me forcë se e mira ekziston e fiton.

Përgjegjësí ndaj të afërmit do të thotë t’ia duash të mirën tjetrit, ta shikosh duke ecur sipas logjikës të së mirës. Të interesohesh për vëllain, do të thotë të hapësh sytë për të parë nevojat e tij, duke e kapërcyer zemërgurtësinë, që na bën të verbër përballë shqetësimeve e mungesave të tjetrit.

Kështu, shërbimi bamirës bëhet një formë e zgjedhur e vëllazërimit dhe ungjillëzimit, në dritën e mësimeve të Krishtit i cili, atë që bëjmë për vëllezërit tanë, posaçërisht për më të vegjëlit e më të harruarit, do ta vlerësojë si ndihmë, të cilën ia kemi dhënë Atij vetë. Kёshtu, përmes bamirësisё, si zemër e jetës së krishterë, Kisha na fton tё jemi sa më të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit. Të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira.

Ta harmonizojmë, pra, zemrën tonë me Zemrën e Krishtit, të mos mjaftohemi vetëm me ndihmën, që u japim të tjerëve, por të ndajmë me ta edhe vuajtjet e shpresat, duke e bërë, kështu, të dukshme, mëshirën e pafundme të Zotit për çdo njeri, që shkëlqen mbi fytyrën e Krishtit e, nga ana tjetër, edhe besimin tonë në Të. Takimi me tjetrin e hapja e zemrës për nevojat e tij, janë rast shëlbimi e lumturie.

31 mars 2022, 10:00