Kërko

Logo i Takimit të Firences Logo i Takimit të Firences

Takimi i Mesdheut: Kartë Synimesh, për t’iu dhuruar Papës

U paraqit në Romë, Takimi i ipeshkvijve dhe i kryebashkiakëve të Mesdheut, që do të mbahet në Firence nga 23 deri më 27 shkurt. Meshën përfundimtare do ta kryesojë Papa Françesku

R.SH. – Vatikan

Enciklika “Fratelli tutti” dhe Sinodi i sapofilluar do të jenë pikat e referimit për konferencën që, dy vjet pas asaj të Barit, do të mbledhë në Firence, nga 23 deri më 24 shkurt, kryetarët e bashkive dhe ipeshkvijtë e 20 vendeve të Mesdheut. Ne qendër të punimeve, që u paraqitën në Romë, bashkëpunimi, dialogu ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve, bashkëjetesa paqësore. Meshën përfundimtare do ta kremtojë Papa Françesku në Bazilikën e njohur të Shёna Kryqit, me rreth 4000 vepra arti nga vitet ‘200 deri në ‘900, kishë ku janë varrosur personalitete të famshme si Mikelanxhelo, Makiaveli, Galileu e shumë të tjerë.

Bassetti: t’u bëhet ballë problemeve, sipas shembullit të La Pira-s

Në konferencën e shtypit në Romë, kreu i ipeshkvijve italianë, kardinali Gualtiero Bassetti, përmendi figurën e kryebashkiakut katolik të Firences, Giorgio La Pira, për të cilin ka përfunduar faza dioqezane e procesit të lumnimit. Ai, që mendonte se “njeriu është i tillë, për shkak të aftësisë për takim”, do të frymëzojë edhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta të Mesdheut, det, që lag tre kontinente. Prandaj, nënvizoi kardinali Bassetti, pikërisht në këtë zonë të botës përqendrohen edhe problemet e saj, të cilat duhen zgjidhur me bashkëpunimin e të gjitha vendeve, duke përcaktuar nisma konkrete, që i kapërcejnë kufijtë e Evropës.

Familje e refugjatë përgatiten të takohen me Papën

Ipeshkvijtë do të organizojnë tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime për të drejtat dhe detyrat e bashkësive fetare. Mbrëmjen e 25 shkurtit, ata do të luten në bazilikën e Shën Miniatit në Mal, afёr Firencёs, Itali, në përkujtim të martirëve dhe të dëshmitarëve të fesë e të drejtësisë. Të shtunën, më 26 shkurt, do të mbahet asambleja e përbashkët e ipeshkvijve dhe e kryebashkiakëve në Palazzo Vecchio e, pas një debati publik, do të nënshkruhet Deklarata e Firences. Sipas programit të njoftuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, të dielën në mëngjes, Papa Françesku do të takohet privatisht me rreth pesëdhjetë familje refugjatësh nga Afrika dhe nga Lindja e Mesme. Për të respektuar normat kundër Covid-19, në kremtimin e meshës, kryesuar nga Ati i Shenjtë, të dielën, do të jenë të pranishëm rreth 1200 besimtarë në sheshin para bazilikës së Shna Krygjës, 10% më pak se kapaciteti maksimal.

Karta e Synimeve për të ardhmen

Nga konferenca, ku do të marrin pjesë rreth 60 kryetarë bashkish e po aq ipeshkvij, si edhe delegatë laikë nga kombe të ndryshme, do të dalë një Kartë Synimesh për të ardhmen, ku do të përvijohet kontributi, që mund të japë bashkësia e krishterë në çdo qytet, në fushën e dialogut ndërfetar, të mbështetjes së nevojtarëve dhe në atë të ndihmës për emigrantët. Kjo Kartë do t’i jepet më pas, vetë Papës Françesku.

Kryebashkiakëve do t’u propozohet të krijojnë një rrjet të përhershëm ndërlidhës të qyteteve mesdhetare. Nga Firence, zëri i tyre dhe i Kishës do të ngrihet në një thirrje drejtuar Evropës për zgjidhjen e problemeve të Mesdheut, që po përjeton çastet më kritike të dhjetëvjeçarëve të fundit. Mjafton të mendohet për krizën politike në Tunizi, por edhe për atë në Liban, shoqëruar nga vështirësitë ekonomike e shoqërore, sidomos pas shpërthimit në portin e Bejrutit; mjafton të shihen shenjat e qarta të luftës filluar pak muaj më parë në Palestinë, ose shkretimi i gjithë Magrebit, që lidhet me dramën e përgjithshme të ndryshimeve klimatike, të cilat shkatërrojnë qytete e territore

11 shkurt 2022, 13:13