Kërko

Vetrate Chiesa Vetrate Chiesa

Shenjtorët e javës 13 - 20 shkurt

E diel më 13 shkurt, Kisha katolike kremton të Dielën e 6-ë të gjatë vitit kishtar e po me 13 shkurt, kalendari përkujton të Lumit Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan. Ungjilli i Lumnive, sipas Shën Lukës, kёtё tё diel na kujton se fe do të thotë t’i besosh plotësisht Zotit, duke i shembur idhujt e botës. Lumturi është të jesh me Zotin, pranë të varfërve, jo të ndjekësh shpresat e kota.

E diel më 13 shkurt, Kisha katolike kremton të Dielën e 6-ë të  gjatë vitit kishtar e po me 13 shkurt, kalendari përkujton të Lumit Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan. 

Ungjilli i Lumnive, sipas Shën Lukës ( Lk 6, 17.20-26), kёtё tё diel na kujton se fe do të thotë t’i besosh plotësisht Zotit, duke i shembur idhujt e botës. Lumturi është të jesh me Zotin, pranë të varfërve, jo të ndjekësh shpresat e kota. Lumnitë, në variantin e Shën Lukës, kanë katër qortime, katër “mjerë ju”, drejtuar atyre, që janë të pasur,  të ngopur, të gëzuar, të duartrokitur nga njerëzit. Fjalë të forta, që të skaliten në zemër me të cilat Jezusi “na mëson t’i shqyrtojmë situatat me fe”. Zoti  është pranë atyre, që vuajnë e ndërhyn për t’i çliruar nga skllavëritë. “Vaj medet për ju!”- drejtuar të gjithë atyre, që sot ia kalojnë si s’ka më mirë, shërben për t’i zgjuar nga mashtrimi i egoizmit e për t’i ftuar ta hapin zemrën për logjikën e dashurisë, sa s’është vonë. Është një Ungjill që na fton  të reflektojmë për të kuptuar ç’do të thotë të kesh fe. E të kesh fe, do të thotë t’i besosh plotësisht Zotit.

Të hënën më 14 shkurt, kalendari Kishtar përkujton Shën Çirilin, murg e Shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë Qiellor të Evropës si dhe Shën Valentinin, ipeshkëv e martir. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës, që Kisha do t’i kremtojë më 14 shkurt, qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.

Të martën më 15 shkurt, do të kremtohet festa e Shën Onezimit, nxënës i Shën Palit, dhe Shën Faustinit e Shën Gjovitës, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. Na e vërteton Shën Pjetrit, i cili ishte tepër i kënaqur që mundi të shpallë se Jezusi ishte Krishti, në sa nuk donte ta pranonte se vullneti i Zotit ishte që Biri i njeriut të vuante e të vdiste në kryq.

Të mërkurën e ardhshme më 16 shkurt do të kremtohet Shën Gjyliana, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.

Të enjten më 17 shkurt, kalendari Kishtar përkujton edhe Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Liturgjia e ditës na kujton se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.

Të premten më 18 shkurt do të përkujtohet i Lumi Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të shtunën më 19 shkurt, do të kremtojë Shën Konrrad Konfalonierin. Ky vetmitar françeskan na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Të dielën e ardhshme me 20 shkurt Kisha katolike do të kremtojë Dielën e 7-të gjatë vitit e po më 20 shkurt, kalendari përkujton edhe  Shën Leonin e Katanies, ipeshkëv e Shën Eleuterin. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve, na kujtojnë se nxënësit e Krishtit nuk duan të besojnë se po afrohen mundimet e Zotit; përkundrazi, duan ta shikojnë Jezusin në lartësinë e një prijësi të madh politik, që çliron, që sundon. Po Mësuesi Hyjnor u kujton shkallën e re të vlerave.

13 shkurt 2022, 09:25