Kërko

Ceremonia e hapjes së Sinodit në Tokën Shenjte Ceremonia e hapjes së Sinodit në Tokën Shenjte

“Në dëgjim të tjetrit”: letra e ipeshkvijve katolikë të Tokës Shenjte për Sinodin

Në një Letër, ipeshkvijtë katolikë të Tokës Shenjte u drejtohen të gjitha Kishave të tjera, duke shprehur dëshirën për vëllazërim e për dëgjimin e të gjithë të krishterëve të trojeve ku lindi Krishti. Patriarku latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, i cili nënshkruan tekstin, nënvizon synimin e përbashkët misionar të këtij udhëtimi sinodal

R.SH. - Vatikan

Në rrugëtimin sinodal që sapo ka nisur, Kisha Katolike e Tokës Shenjte dëshiron “t’i dëgjojë” Kishat e tjera të pranishme në tokën e Jezusit, për të marrë prej urtisë dhe përvojës së tyre, prandaj i inkurajon meshtarët e vet të vihen në kontakt me ata të të gjitha bashkësive të krishtera në zonat e afërta. Ftesa përmbahet në letrën, që ipeshkvijtë katolikë iu drejtojnë krerëve të kishave të tjera të krishtera në Tokën Shenjte me qëllimin për t’i informuar e për t’i përfshirë vëllezërit e bashkësive të tjera kishtare në udhën sinodale.

Dëgjim, për t’u bashkuar më shumë

Në dokumentin e nënshkruar nga Patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, prelatët nënvizojnë synimin misionar të këtij rrugëtimi të përbashkët, që parashikon “dëgjimin e ndërsjellë për t’u bashkuar më shumë, për t’u mundësuar të gjithëve të marrin pjesë dhe për t’u impenjuar me entuziazëm më të madh në misionin e Kishës. Duke ecur së bashku, kuptojmë edhe një herë se nuk ecim vetëm”. Në fjalët e imzot Pizzaballa-s, vetëdija se “si dishepuj të Krishtit në këtë Tokë, që është shtëpia e Tij, jemi të thirrur ta dëshmojmë të gjithë së bashku”. Theksohet dëshira më e madhe e Jezusit që të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme dhe nënvizohet ftesa për të dëgjuar e pastaj, për të folur.

Dëgjimi, për risimin e Kishës së sprovuar nga pandemia

 Patriarku vë në dukje nevojën për të dëgjuar Shpirtin Shenjt, që arrin tek çdo njeri, përmes Shkrimit Shenjt e përmes takimit me tjetrin. Në Letër, vërehet se aktualisht, Kisha duhet të përballet me krizën e shkaktuar nga pandemia, e cila ka pasoja tragjike edhe në jetën e besimtarëve, të cilët nxiten të ecin me besim në Krishtin, i vetmi, që çon drejt horizonteve të shpresës. Në fazën aktuale të procesit sinodal, famullitë, institucionet, kongregatat dhe lëvizjet katolike në Tokën Shenjtë do të hartojnë raporte mbi gjendjen e Kishës, duke përfshirë edhe “urtinë e përvojën” e Kishave të tjera të krishtera në rajon, siç kërkojnë ipeshkvijtë në Letrën e tyre. Ata ndjekin mendimin e Papës Françesku, sipas të cilit katolikët kanë shumë për të mësuar nga ortodoksët përsa i përket sinodalitetit. E në këtë drejtim shkon edhe lutja e Javës për Bashkimin e të Krishterëve, që sapo përfundoi. Në të i kërkohet Atit Qiellor ta mësojë Kishën Katolike të ecë së bashku me të krishterët e tjerë në këtë udhë sinodale 3-vjeçare.

01 shkurt 2022, 12:01