Kërko

Jezu Krishti shëron të verbërin Jezu Krishti shëron të verbërin

Çelësi i fjalëve të Kishës: sëmundja sipas Biblës

Nesër (11 shkurt), në festën liturgjike të Zojës së Lurdës, Kisha Katolike kremton Ditën Botërore kushtuar të Sëmurit, përmendur edhe nga Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës. Si e trajton sëmundjen dhe të sëmurin Shkrimi Shenjt? Ky është argumenti i emisionit të sotëm

R.SH. – Vatikan

Para madhështisë dhe mrekullisë së qiellit, qëndisur me delikatesë nga duart e Zotit, psalmisti pyet “Ç’është njeriu?”. Përgjigja, që pason, është e jashtëzakonshme dhe befasuese: “Çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, / biri i Adamit që të përkujdesesh për të? / E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, / e kurorëzove me lavdi e shkëlqim” (Ps 8,5-6).

Njeriu vendoset në majën më të lartë të krijimit, gati si qënie hyjnore, me të cilën vetë Zoti ndan lavdinë e madhështinë. Madje, njeriut i jepet detyra të mbarështojë të gjitha krijesat, që duhet t’i nënshtrohen atij. E megjithatë, psalmisti pyet sërish “Ç’është njeriu?”, duke dhënë një pergjigje të ndryshme, gati të kundërt me të parën: “O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, / biri i njeriut që të kujdesesh për të? / Njeriu i përngjan avullit, / ditët e tij si hija që kalon” (Ps 144,3-4).

Të dyja përgjigjet janë të vërteta dhe hapin një dritare mbi misterin e madh të njeriut, krijuar në shembëllim me Zotin, i cili e bën sovran të kozmosit nga njëra anë, por edhe krijesë të dobët e të brishtë, nga ana tjetër. Hyji e krijon atë nga pluhuri, por i hukat edhe frymën e jetës (Zan 2,7); njeriu është vepër e artizanit hyjnor, i cili njëkohësisht, e modelon atë si një vazo prej balte, që mund të thyhet lehtë.

Brishtësia e sëmundja

Kjo brishtësi themeltare e njeriut shihet krejt qartë në përvojën e vuajtjes, të sëmundjes e të vdekjes. Jeta është e pasigurt, i rrjedh nëpër duar si rëra e kërcënohet vazhdimisht nga çdo e keqe. Pse sëmundja është e pranishme në botë dhe prek kaq dramatikisht trupin e njeriut, aq sa ka rrezik t’ia mposhtë shpirtin?

Në Besëlidhjen e Vjetër, gjejmë të ashtuquajturën “teoremë të shpërblimit”: “Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të patenzonit, kurse banesat e të drejtëve do të bekohen” (Fu 3,33). Pra, vuajtja e sëmundja qenkan pasojë e mëkatit të njeriut, kryer personalisht e kolektivisht. Por, zbatimi automatik i këtij modeli vihet në krizë nga vetë Shkrimi Shenjt.

Libri i Jobit është emblematik për këtë. Jobi vuan nga shumë fatkeqësi, përfshirë sëmundjen dhe miqtë e shokët e tij e shpjegojnë këtë pikërisht duke e fajësuar me mëkate, për të cilat Zoti i ka dërguar dënimin e merituar. E nuk vlen për asgjë mohimi i Jobit, i cili, gjithsesi, nuk e humb shpresën në Hyjin. Më në fund, Jobi “shpërblehet” e Zoti u kthehet me zemërim miqve. Duke iu drejtuar Elifaz Temanitit, Hyji thotë: “Hidhërimi më ka marrë zjarr kundër teje e kundër dy miqve të tu, sepse para meje nuk e keni folur të drejtën si shërbëtori im Jobi” (Jb 42,7).

Shembulli i Ezekisë: lutja e njeriut, që vuan

Për të mos folur për historinë e mbretit Ezekia, që e gjejmë në Librin e Isaisë profet. Mbreti kishte një sëmundje që nuk njihej, por dihej se do ta çonte drejt vdekjes. Reagimi i tij pasqyron gjithë vuajtjen e dëshpërimin e çdo të sëmuri në të njëjtën gjendje, por Ezekia nuk e harron Zotin. I drejtohet Atij, fillimisht duke u kapur keqas me Të, por edhe duke e lutur me gjithë shpirt që ta shërojë. Në fund të lutjes, mbreti i Judesë derdh lot të hidhur, por Hyji i dëshmon se ia kishte parë lotët. I shton edhe 15 vjet jetë. Kjo gjendje, e përbashkët me çdo të sëmurë, në çdo kohë dhe epokë, pasqyrohet mirë në “Këngën e Ezekisë, mbret i Judesë”, poemë me dy pjesë, që duken në kundërshtim me njëra-tjetrën, pasi në të parën, Ezekia kapet me Zotin, ndërsa në të dytën, e lëvdon Atë. Në të vërtetë, ky është ai kalim shpirtëror nga sëmundja në shërim, që shpreh vështirësitë e të sëmurit, i cili jeton në ankth, lufton me të keqen e, më në fund, e kupton se nuk mund të shërohet pa Hyjin e Gjithëpushtetshëm.

Në ç’mënyrë Jezusi shëron nga sëmundjet

Edhe Jezu Krishti, në Ungjill, nuk e pranon lidhjen tepër të thjeshtuar ndërmjet mëkatit, vuajtjes e sëmundjes. Para dishepujve, që e pyesin për mëkatet e të verbërit, që kishte lindur i tillë, përgjigjet: “Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij, por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit” (Gjn 9,3). Jezusi nuk kërkon faje, por fton të shpresojmë në një Zot, që e nxjerr të mirën edhe nga e keqja (shih Zan 50,20).

Sidomos në Ungjillin sipas Mateut, që e paraqet Jezusin si Mesi, në fjalë e në vepra, Krishti shëron të këqijat e botës: pastron të gërbulurin e përjashtuar nga bashkësia, për shkak të sëmundjes (Mt 8,1-4); shëndosh shërbëtorin e centurionit me forcën e fjalës (Mt 8,5-13); shëron vjehrrën e Simon Pjetrit, në shtrat me ethe (Mt 8,14-15) e së fundi, liron të djallosurit e shëron “gjithë” të sëmurët (Mt 8,16). Ungjilltari komenton shërimet e Jezu Krishtit me një frazë të Isaisë profet: “Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona” (Mt 8,17). Shërimet nuk ndodhin për magji, por i lirojnë njerëzit nga e keqja, gjë që, siç nënvizon shën Pali apostull, ndodh me “një çmim tejet të lartë” (1 Kor 6,20; 7,23).

Jezu Krishti shëron duke i marrë mbi vete sëmundjet, duke bartur mbi shpatullat e veta misterin e së keqes e duke paralajmëruar kështu, veprën shëlbuese të misterit të Pashkëve, pra, të jetës së tij dhuruar në kryq për shpëtimin e botës. Dramës së sëmundjes, Ungjilli nuk i përgjigjet duke na paraqitur ndonjë shërues-taumaturg ndër të shumtët, që qarkullonin në Palestinën e shekullit I, por duke na treguar misterin e Jezu Krishtit, njeri e Zot, plotësisht solidar, në korpin e tij, me njerëzimin e plagosur e pikërisht për këtë, në gjendje ta prekë e ta shërojë.

10 shkurt 2022, 08:39