Kërko

Jezu Krishti Jezu Krishti

Të meditojmë me Ungjillin: erdhi koha e Mesisë

Më 23 janar, Kisha kremton të Dielën e Fjalës së Zotit. E Ungjilli i kësaj dite (Lk 1,1-4; 4,14-21) është një lloj “manifesti” i Jezu Krishtit, na tregon cili është qëllimi i tij, na dëshmon se ai vepron me pushtetin e Hyjit, pasi Shpirti Shenjt është me të, na shpjegon se ka ardhur për të plotësuar planin e Atit Qiellor për shpëtimin e njerëzve. Shpall “vitin e hirit të Zotit”.

R.SH. - Vatikan

Më 23 janar, Kisha kremton të Dielën e Fjalës së Zotit. E Ungjilli i kësaj dite (Lk 1,1-4; 4,14-21) është një lloj “manifesti” i Jezu Krishtit, na tregon cili është qëllimi i tij, na dëshmon se ai vepron me pushtetin e Hyjit, pasi Shpirti Shenjt është me të, na shpjegon se ka ardhur për të plotësuar planin e Atit Qiellor për shpëtimin e njerëzve. Shpall “vitin e hirit të Zotit”. E, jo më kot, nënvizon se Shkrimi, që po dëgjonin të pranishmit, plotësohej atë ditë, pra çdo ditë, sepse për hir të Shpirtit, predikimi i Nazaretit arrin në çdo ditë të kohës sonë, nëse dëgjojmë…

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë, ashtu siç na i lanë ata që i panë me sy të vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës, e mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.

Atëherë Jezusi, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, u kthye në Galile, dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. Mësonte nëpër sinagogat e tyre, i nderuar prej të gjithëve. Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur, dhe, sipas dokes së vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë librin e Isaisë profet.

Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.’ E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” Fjala e Zotit.

Të lutemi së bashku

Kthehesh në fshatin tënd, o Jezus,

aty ku ke kaluar fëmijërinë.

Kthehesh mes njerëzve të tu,

ndërmjet atyre, që të panë

të rriteshe e të bëheshe burrë.

Por, kësaj radhe, vjen “me fuqinë e Shpirtit Shenjt”,

sepse ka ardhur koha

për t’u kumtuar të gjithëve Lajmin e Mirë.

 

Atë ditë, në sinagogë,

je Ti që merr iniciativën

për t’u ngritur në këmbë e për të shpallur

mesazhin e lashtë të profetit.

Kur e merr fjalën

komenti yt nuk është prej njeriu të mësuar,

që rreshton një sërë thëniesh

marrë nga mësues të urtë.

Ty të mjafton t’ua hapësh sytë

bashkëfshatarëve, jo aq për tekstin

sa për ç’po ndodhte

para tyre, në jetën e përditshme.

 

Koha e pritjes përfundoi:

Mesia është ndërmjet tyre.

Fjala e Tij është Ungjill,

mrekullitë e Tij, shenjë e mirësisë së Zotit,

shpresë për të varfërit,

për të burgosurit e për të shtypurit.

 

O Zot Jezus, pse nuk jemi më aq të aftë

ta përsërisim ‘predikimin’ tënd?

Pse nuk e shohim historinë

me vështrimin tënd të thellë?

Pse transmetojmë veç kulturën

e jo edhe shpresën, që lind

nga shenjat dhe fjalët e pranishme në indin e jetës?

22 janar 2022, 08:39