Kërko

 Beato Gjelosh Lulashi, martire della Chiesa cattolica in Albania Beato Gjelosh Lulashi, martire della Chiesa cattolica in Albania

Takim me martirët: i Lumi Gjelosh Lulashi, martir laik

Nё udhёn e Kalvarit, gjatё torturave tё tmerrshme pёsuar nga regjimi komunist pёr shkak tё fesё nё Krishtin, e madje edhe para pushkatimit, nё moshёn 21 vjeçare, ngushëllimi i vetëm i Gjeloshit qe pikёrisht besimi i tij, lutja dhe vetëdija se i kishte qëndruar besnik Krishtit, deri në derdhjen e gjakut të vet për Kishën dhe Atdheun. U ekzekutua nga regjimi komunist bashkë me grupin e martirëve të tjerë në agimin e 4 marsit 1946

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e 37-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit Gjelosh Lulashi, martir i Kishës katolike në Shqipëri gjëtё kohës sё diktaturës komuniste. 

Nё udhёn e Kalvarit, gjatё torturave tё tmerrshme dhe pushkatimi, kishte vetёm 21 vjet, pёsuar nga regjimi komunist pёr shkak tё fesё nё Krishtin, ngushëllimi i vetëm i Gjeloshit qe pikёrisht besimi i tij, lutja dhe vetëdija se i kishte qëndruar besnik Krishtit, deri në derdhjen e gjakut të vet për Kishën dhe Atdheun.

U ekzekutua nga regjimi komunist bashkë me grupin e martirëve të tjerë në agimin e 4 marsit 1946, pasi, i rrëfyer dhe i kunguar, kishte marrë edhe vajimin nga dom Tom Laca. Deri në fund u tregua i vendosur në bindjet e tij të krishtera e atdhetare. Po mё tepër mbi figurën dhe shembullin e këtij martiri të Kishës katolike tё dëgjojmë dom Gjovani Kokona:

Tё dëgjojmë dom Gjovani Kokona:

I lumi martir Gjelosh Lulashi, i cili në momentin e pushkatimit nuk i kishte mbushur akoma 21 vjet, me fjalët e tij të fundit “u kërkoj falje shokëve” dhe “i fali të gjithë ata që në çdo kohë mund të më kenë ba keq”, na bën të kuptojmë menjëherë se qëndrueshmëria në fe, aftësia për ta jetuar atë, është fryt jo i rastësisë, por i një ecjeje të përditshme me lutje dhe me fjalën e Zotit.

Gjeloshi lindi në Ndrejaj të Shoshit të Dukagjinit dhe ishte më i madhi i katër fëmijëve të Lulashit, bajraktar i Shoshit, dhe Mire Vuksanit. Fillimisht ndoqi shkollën pranë françeskanëve në Shkodër e më pas vazhdoi studimet pranë kolegjit saverian drejtuar nga jezuitët. Siç e kujton Zef Doda, Gjeloshi ishte shembullor në mësime dhe i respektueshëm në shkollë e me shokët. Kur gjatë pushimeve verore kthehej në Shosh, nuk u ndahej librave. Aspirata e tij rinore, si e çdo të krishteri të vërtetë shqiptar, ishte ajo që të jetonte në një demokraci të vërtetë, ku garantoheshin vlerat njerëzore dhe ato të krishtera. Por në realitet gjërat morën një tjetër rrjedhë dhe vetë Gjeloshi qe njëri prej atyre që e pagoi koherencën e jetës së krishterë dhe dashurinë për atdheun me martirizimin në moshë shumë të re.

Ai ishte një i ri i hijshëm, me sy të ëmbël, ballë të gjerë, i gjatë nga shtati, i edukuar dhe i dashur. Ishte gjithashtu i thjeshtë, korrekt, i shkueshëm, simpatik, i ndershëm, si edhe tip i qetë. Në të njëjtën kohë ishte një i krishterë i bindur, guximtar, sypatrembur. Kur ishte në Shosh, bënte një orë më këmbë për të marrë pjesë në Meshë, pasi në lagjen e tyre famullitari kremtonte vetëm për kreshmë dhe të martën pas së dielës së Pashkëve, te varrezat ose te ndonjë shtëpi. Kur Gjeloshi ndodhej me pushime në familje, i mblidhte bashkëmoshatarët e vet dhe u bënte katekizëm. I vëllai, Deda, tregon se Gjeloshi, përveçse nuk mungonte kurrë kur lutej rruzarja në familje, “kishte një devocion të thellë për Zojën” e se “mjerë ai që ia prekte medaljen e Zojës që gjithmonë e mbante në qafë”.

Edhe kur regjimi komunist kishte pushtuar tashmë vendin dhe sundonte kudo, Gjeloshi, që ishte me shërbim pranë spitalit ushtarak në Shkodër, vazhdonte të shkonte rregullisht në Kishë. Siç e kujton një bashkëvendës i tij, edhe ky në atë kohë në shërbim po në spitalin ushtarak, Gjeloshi ishte: “bujar, i sinqertë dhe i pastër”. Këto karakteristika të tij dalin në pah edhe në rastin kur vritet një kushëriri i tyre në vitin 1939. I vëllai i Gjeloshit, Deda, kujton: “Kushërinjtë e tjerë “morën gjakun” sipas Kanunit. Gjeloshi, edhe pse ende i ri, pati guximin t’u thoshte: “A nuk mjafton që ata kanë vrarë një njeri, tani e keni bërë edhe ju”. Gjatë kohës që shërbeu në spitalin ushtarak, gjatë vitit 1945, mundohej shumë për ata që vinin nga zona të thella e s’kishin të afërm në Shkodër e, siç dëshmon Mirash Ndreca, u jepte edhe prej kursimeve të veta, edhe pse ai mund të mbeste pa gjë. Në spital kishte detyrë sekretari, sepse ishte njëri prej të paktëve që dinte shkrim e këndim.

Përplasja e tij me idetë komuniste fillon që kur ishte në shkollë. Për këtë Zef Doda, në një klasë me Gjeloshin, tregon se njëherë fshehurazi u dhanë nxënësve një libër që paraqiste idetë marksiste-leniniste. Zefi, pasi e mori librin, ia dha Gjeloshit, i cili jo vetëm nuk e deshi, por i foli edhe Zefit duke i thënë: “Në këtë libër nuk ka asgjë të mirë; këtu janë të fshehura idetë e djallit. Unë nuk do t’i pranoj kurrë”. Jo shumë kohë më vonë atij vetë iu desh të ndeshej me princin e errësirës që kishte pushtuar vetë bashkatdhetarët e vet dhe u diktoi atyre që të sundonin egërsisht. I ashtuquajturi “pushtet popullor” brenda pak kohe e hoqi maskën dhe u shndërrua në një tmerr të vërtetë. Gjeloshi ishte i mençur, i guximshëm, i ri dhe i arsimuar. Ai e kishte njohur dom Ndre Zadejën që u pushkatua pa mëshirë më 25 mars 1945. Kjo situatë e krijuar e nxiti që të bashkohej me seminaristin Mark Çuni, me të cilin njiheshin që në vitin 1936, dhe të rinjtë e tjerë. Sidomos e bindi ajo që u tha Mark Çuni se “qeveria është duke shkelur me këmbë të drejtat tona”. Filloi kështu të shpërndajë edhe ai vetë në repart ushtarak fletushkat që bënin thirrje për abstenim në zgjedhjet e dhjetorit 1945, e vetmja shpresë për të ndalur diktaturën komuniste e për të pasur një Shqipëri të lirë e vërtet demokratike ku çdo njeri të ishte i lirë për të jetuar besimin e vet. Ngjarjet rrodhën ndryshe. Gjeloshi së bashku me të tjerët u tradhtuan prej një anëtari të grupit, që ndoshta ishte bashkuar me ta pikërisht për këtë gjë. U arrestua në Shkodër, në spitalin ushtarak, në fillim të dhjetorit 1945 dhe u burgos në shtëpinë-burg të Pjetër Çurçisë, ku u mbajt derisa u pushkatua. Për një kohë qe në qeli bashkë me Fran Mirakën me të cilin shpesh i mbanin të lidhur së bashku me pranga. Gjatë torturave, ato më çnjerëzoret, qëndroi i kthjellët, i fortë dhe i vendosur në atë që besonte. Siç dëshmojnë vëllezërit, nëna arriti një herë të merrte leje nga Tirana për të parë Gjeloshin në burg në Shkodër. Tregon se e gjeti të zbehtë në fytyrë, të dobët, me gojë të plasaritur dhe sytë e kuq gjak. Pa që këmbën e kishte të djegur, por Gjeloshi nuk e la ta shihte mirë, sepse nuk donte që ajo të vuante. Ajo më shumë se një herë mori pjesë në “udhën e kalvarit” nga burgu te salla e gjyqit, tamam si Zoja që shoqëronte të Birin. Në lidhje me këtë Noni Marku dëshmon se në njërën prej herëve të fundit, kur tashmë çdo shpresë për të shpëtuar ishte shuar, Gjeloshi, ndërsa ajo i kaloi afër, duke e shikuar me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, i tha gati nën zë: “Do të shihemi në parriz. Nënë mirupafshim. Qëndro e fortë!”. Në ato dhjetë ditë të fundit para ekzekutimit, që, siç dëshmon Zef Buka, të gjithë ishin të izoluar, të keqtrajtuar, në të ftohtë e pa pasur mundësi të shihnin dritën e diellit; ngushëllimi i vetëm i Gjeloshit qe feja e tij, lutja dhe vetëdija se i kishte qëndruar besnik Krishtit deri në derdhjen e gjakut të vet për Kishën dhe atdheun.

U ekzekutua bashkë me grupin e martirëve të tjerë në agimin e 4 marsit 1946, pasi, i rrëfyer dhe i kunguar, kishte marrë edhe vajimin nga dom Tom Laca. Deri në fund u tregua i vendosur në bindjet e tij të krishtera. Trupi i tij, si edhe i të tjerëve, nuk u gjet asnjëherë. Disa ditë pas pushkatimit në kishën e jezuitëve në Shkodër u kremtua një Meshë për të gjithë ata që ishin pushkatuar me të. I vëllai, Mhilli, ka dëshmuar: “Për tre vjet nëna më merrte me vete, shkonim te vendi ku mendohej se mund të ishte varrosur dhe luteshim fshehurazi. Më pas disa punëtorë në atë vend bënë gropa për të shuar gëlqeren dhe mbetjet e trupave i hodhën në lumin Kir”. Por edhe pse regjimi u mundua që të humbiste çdo kujtim dhe lidhje me Gjelosh Lulashin, dëshmia e tij e krishterë e shprehur më së miri në fjalët e tij të fundit: “I fali të gjithë ata që në çdo kohë mund të më kenë ba keq” do të mbetej ajo dëshmia e gjallë se “kushdo që jeton dhe beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” (Gjoni 11, 26). Prandaj me admirim arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Frano Illia në vitin 1994 shkroi: “I tërhequr dhe i inkurajuar prej shokëve të vet heroikë, që vuajtën dhe vdiqën me të, edhe ai [Gjeloshi] mundi të bëhet martir i Fesë”.   

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të riun martir, të Lumin Gjelosh Lulashi,  besimtar laik,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

 

23 janar 2022, 09:26