Kërko

Në vitin 2022 Zoja Shtegtare e Fatimës do të udhëtojë 14 herë

R.SH. - Vatikan

Do të udhëtojë 14 herë Zoja Shtegtare e Fatimës gjatë vitit 2022. Do të shkelë, së pari, në Portugali, për të vijuar më pas shtegtimin  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë, në Nikaragua, në Argjentinë, në Itali, në Kili, në Vendet e Kaukazit, në Spanjë e në Kolumbi - pas ndalesës së gjatë e shumë shtyrjeve për shkak të vazhdimit të përhapjes së pandemisë së Covid-19 në botë. Njoftimin e jep Shenjtërorja e Fatimës në faqen e saj të internetit, duke shtuar se Shtatorja kryesore (numër 1), e fronëzuar në Bazilikën e Zojës së Fatimes, e cila del rrallë e për mall nga streha e saj, nuk ka në plan të shtegtojë vitin e ardhshëm.

Ndërmjet shtegtimeve të programuara, spikasin ato të kopjes n.3 të Zojës shtegtare. Nisin nga 30 shtatori, deri më 5 nëntor në Miami, SHBA, me rastin e një Kongresi organizuar nga Shërbëtoret e Zemrave të Shporuara të Jezusit e Marisë, kushtuar mesazhit të Fatimës, me titull: “Mos kini frikë, Zemra ime e papërlyer do të jetë streha juaj”. Ndjeti - sipas pohimit të kryeipeshkvit të Miami-t, imzot Thomas Wenski - është, nëse do të jetë e mundur, që Zoja  Shtegtare t’i vizitojë të gjitha  famullitë e dioqezës.

 Franca do ta mikpresë kopjen e pestë të shtatores së Zojës Shtegtare në dioqezën e Nanterrës, nga 1 tetori 2022 - deri më 31 gusht 2023, në përgatitje të Ditës Botërore të Rinisë 2023, që do të kremtohet në Portugali. Nuk dihet ende kur, por dihet me siguri se Shtatorja do ta kryejë në vitin 2022, më në fund, edhe shtegtimin e saj në Vendet e Kaukazit. Do të shkelë në Gjeorgji, Armeni e Azerbajxhan, shtegtim i parashikuar për vitin 2021 e i shtyrë, më pas, për shkak të pandemisë.

Ndërsa shtatorja numër 9 e Zojës shtegtare do të jetë në Itali, në famullinë Santa Maria la Nova, dioqeza e Aversës, në muajin maj, që besimtarët të mund ta jetojnë më përshpirtërisht muajin e Marisë, e edhe në famullinë e Shën Eufemisë, gjithnjë në të njëjtën dioqezë, në muajin tetor. Programi i  zhvendosjes së shtatoreve të ndryshme të Zojës Shtegtare të Fatimës, parashikuar për vitin e ardhshëm, mund edhe të ndryshojë - lexohet në faqen e internetit të Shenjtërores, duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore, që po përballon mbarë bota,

Nismë, që fillon që nga viti 1945

Shtatorja e parë shtegtare e Zojës së Fatimes u realizua sipas përshkrimit që i bëri Motër Luçia. U ofrua nga ipeshkvi i Leiria-s e u kurorëzua nga kryeipeshkvi Évorës më 13 maj 1947. E nisur nga kjo datë, shtatorja shtegtoi shumë herë nëpër botë, duke marrë me vete e duke e çuar kudo mesazhin e paqes e të dashurisë.

Ideja e shtegtimit lindi në vitin 1945, pas përfundimit të Luftës II Botërore, kur një famullitar i Berlinit propozoi që Shtatorja e Zojës së Fatimës të vizitonte të gjitha kryeqytetet dhe qytetet ipeshkvnore të Evropës, deri në kufi me Rusinë. Ideja u ripropozua,  më pas, në prill 1946  nga një përfaqësuese e Luksemburgut pranë Këshillit ndërkombëtar të rinisë katolike femërore e, një vit më vonë, pikërisht ditën e kurorëzimit të saj, Shtatorja nisi shtegtimin e parë.

Pas më se një gjysëm shekulli shtegtimesh, gjatë të cilave shtatorja vizitoi 64 vende në kontinente të ndryshme, disa nga të cilat shumë herë, Rektoria e Shenjtores së Fatimës vendosi të mos e lëvizte më, përveç ndonjë rasti të jashtëzakonshëm, si ai i Ditës Botërore të Rinisë kremtuar në Panama, në janar 2019. Për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta, ardhur nga mbarë bota, u realizuan 13 kopje të origjinalit të Zojës Shtegtare, që nisi sakaq shtegtimet, të cilat shpresohet të vijojnë në një botë pa sëmundje, pa luftëra, pa armiqësi. Botë që dialogon, edukon, punon.

03 janar 2022, 12:09