Kërko

 Mons George Frendo dhe Mons Arjan Dodaj Mons George Frendo dhe Mons Arjan Dodaj

Ndryshime në krye të Kishës dioqezane Tiranë-Durrës

Na ndajnë pak orë nga fillimi i shërbimit baritor të Imzot Arjan Dodajt si kryeipeshkëv i ri i Tiranë-Durrësit, prandaj, duam t'ju propozojmë fjalët e Imzot George Frendo-s, i cili, nё largim, me dashuri atërore, i jep bekimin Imzot Dodajt. Ndërkaq, kryeipeshkvi i ri, nënvizon në mikrofonin e Radio Vatikanit, se kryedioqeza është “plot gjallëri dhe sfida, të cilat kanë nevojë për përkushtimin e të gjithë aktorëve që e përbëjnë". Ai kërkon lutje për misionin e tij

R. SH. - Vatikan

Nesёr, mё 22 janar, në orën 10:00, në Kishën Katedrale të shën Palit Apostull në Tiranë, do të mbahet Kremtimi Eukaristik për fillimin e Shërbesës Baritore të Imzot Arjan Dodajt në Kryedioqezën Tiranë-Durrёs. Duke falënderuar Zotin dhe Atin e Shenjtë Françeskun, Kisha e Tiranë-Durrësit e pret me gëzim Bariun e ri tё saj, por edhe përshëndet, me mirënjohje tё thellё, kryeipeshkvin metropolit, qё po largohet, imzot George Frendo-n. Më hollësisht nga kryeqyteti i Shqipërisë të ndjekim shërbimin e bashkëpunëtorit tonë, Elidon Dodaj:

Të ndjekim shërbimin e bashkëpunëtorit tonë Elidon Dodaj

Tre dekada më parë, tokën tonë shqiptare e shkeli një shenjt që bota mbarë e thërriste si të tillë ende sa ishte gjallë. Imazhet në celuloid të asaj zbritje nga avioni, puthja e tokës shqiptare, mijëra njerëz nëpër rrugë kudo ku kalonte Ati i Shenjtë Gjon Pali i Dytë, janë të freskëta sikur kanë kaluar vetëm tre ditë. E madhështia e asaj dite nga Shkodra në një kremtim siç vetëm ai udhëtim apostolik e meritonte, gjatë të cilit do të shuguroheshin ipeshkvinjtë e parë pas diktaturës e mes tyre edhe ipeshkvi i dioqezes së lashtë të Durrësit Imzot Rrok Mirdita, më vonë kryeipeshkëv, me vendimin e të njëjtit Papë, që e ngriti dioqezën në rangun e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit dhe e bëri Metropoli.

Pas tij një Papë tjetër - Benedikti XVI - emëroi si ndihmës të Imzot Mirdites, vikarin e përgjithshëm të asaj kohe, Imzot George Frendo-n e urdhrit të predikatarëve. Papa Françesku, që e pati vizituar Shqipërinë si shtetin e parë të Evropës për të forcuar atë lidhje shekullore vëllazërie mes besimeve fetare, vendin vakant të mbetur nga vdekja e Imzot Mirdites do t’ia besonte Imzot George Frendos, i cili e priti me gëzim këtë vendim, duke u shprehur se asnjëherë s'e kam menduar që më paska dashur aq fort populli i kësaj dioqeze, ku unë sherbej prej vitesh. E për këtë ai mori si moto “Bariu dëgjoftë zërin e deleve”, sepse ishte dashuria e këtij populli që e bëri të qendronte në shërbim të tij.

Mosha dhe rregullat kanonike i hapen rrugë kërkesës për një Ipeshkëv të ri për Kryedioqezen e Tiranë-Durrësit e Ati i Shenjtë, Papa Françesku, pas disa muajsh, zgjodhi vikarin e përgjithshëm, Imzot Arjan Dodajn e vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, djalë i kësaj dioqeze, i cili njohu Krishtin gjatë shtegtimit të tij në jetë, duke ia dhuruar krejtësisht veten Atit dhe Nënës së tij, që e ka shumë përzemër e me të cilën do të udhëtojë në këtë udhë në krye të Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, duke zgjedhur moton: “Ja Nëna jote”.

Na ndajnë pak orë nga fillimi i shërbimit baritor i Imzot Dodajt si Kryeipeshkëv i Metropolisë Tiranë – Durrës, kështu që duam t'ju propozojmë disa fjalë të Imzot Frendos, i cili me dashuri atërore i jep bekimin Imzot Dodajt. Më pas, do të dëgjojmë edhe zërin e kryeipeshkvit të ri, i cili në fjalën e tij të parë, ndër të tjera, nënvizon se Kryedioqeza jonë është “… plot gjallëri dhe sfida, të cilat kanë nevojë për përkushtimin e të gjithë aktorëve që e përbëjnë atë, për këtë arsye (duhet) një lutje dhe një kujtim i veçantë…”.

Të degjojmë, së pari, kryeipeshkvin e Tiranë-Durrësit në largim, imzot George Frendon në mikrofonin e Elidon Dodajt:

Të degjojmë, së pari, kryeipeshkvin e Tiranë-Durrësit në largim, imzot George Frendon në mikrofonin e Elidon Dodaj.

Të degjojmë, tani, kryeipeshkvin e ri të Tiranë-Durrësit, në pragun e fillimit të misionit të tij, imzot Arjan Dodajn, në mikrofonin e Elidon Dodajt:

Të degjojmë, tani, kryeipeshkvin e re të Tiranë-Durrësit, në fillimin e misionit të ri, imzot Arjan Dodaj në mikrofonin e Elidon Dodaj.

 

 

21 janar 2022, 10:56