Kërko

Komastri: Rruzarja, lutje përherë e re, që i ngushëllon të gjithë

Më 20 janar kardinali Comastri do t’i prijë Rruzares Shenjte në Kishën e Shën Anës, në Vatikan, para figures së Zojës që zgjidh nyjet. Përsëritja e fjalëve “Të Falemi Mëri” vijon t’i paqëtojë, t’i vërë në fashë shumë zemra të plagosura nga jeta - kujton kardinali - e sidomos tani, kur pandemia e mbushë me ankthin e së nesërmes mbarë njerëzimin

R.SH. - Vatikan

Masive, pjesëmarrja në takimin për ta thënë së bashku Rruzaren Shenjte drejtuar “Zojës, që zgjidh nyjet”, e cila do të kremtohet çdo muaj në famullinë e Shën Anës, në Vatikan, pak hapa larg portës me të njëjtin emër, që të çon brenda territoreve papnore. Kalon kështu nga Shteti italian, në Shtetin e Vatikanit. I çuditshëm, ky kalim kufijsh nga një shtet-në-tjetrin, për njerëzit që jetuan - a jetojnë - të mbyllur “në kafazet e hekurta” të diktaturave.

Në shtete, të cilat i përgjigjen me të shtëna pushkësh çdo njeriu që e bën një përpjekje të tillë. Aq më tepër kur e bën këtë, sepse atje ku rron, nuk je i lirë as të thuash lirisht Rruzaren, për t’iu lutur Zojës që t’i zgjidhë qindra nyjet e jetës. Edhe këtu ka roje, natyrisht. Janë “zviceranët” e famshëm, djem të rinj, ardhur vullnetarisht nga Zvicra, për t’i mbrojtur, jo për t’i vrarë ata, që “shkelin” kufijtë e shtetit të Papës. E pikërisht pak më larg nga vija e këtij kufiri, do të mblidhen besimtarët, për ta thënë së bashku Rruzaren e Zojës që zgjidh nyjet - domethënë, që na ndihmon në çastet të vështira, kur vetë jeta na lidhet nyje! Por a ka nyje që  nuk mund ta zgjidhë Maria?

Këtu, pra, do të mblidhen besimtarët nesër, 20 janar, në orën 20.00 -  njofton kardinali Comastri, i cili që nga ky muaj do t’i prijë lutjes përballë ikonës së  “Zojës, që zgjidh nyjet” aq të dashur për Papën Françesku.

Ndjekësit e pasionuar të Rruzares

“Pjesëmarrje shumë më e madhe, se ajo që pritej”, vëren Comastri, në një bisedë me Telepace-n, aq sa shpesh u duhet thënë “mjafton me kaq” besimtarëve, që vijojnë të vijnë kur kisha e vogël nuk zë më.  Parashikohet një pjesëmarrje e tillë edhe datën 21 shkurt, gjithnjë në orën 20.00. Kardinali Comastri mund të shikohet si ushtar në vijën e parë të frontit të Rruzares, duke pasur parasysh se edhe në fillim të emergjencës shëndetësore pati idenë, në përkim të plotë me Papën, ta transmetonte  Rruzaren drejtpërdrejt nga Bazilika e Shën Pjetrit. Atëhere, ashtu si sot,  ndonëse me thekse pakëz më të ndryshme, pandemia vijon t’i tmerrojë njerëzit, të cilët kanë më shumë se kurrë nevojë për ngushëllim e kur edhe disa nga mjetet e komunikmit do të dëshironin të  transmetonin disa çaste lutjeje. “Kur kemi ndonjë shqetësim - kujton Comastri - zakonisht vrapojmë t’ia besojmë nënës”. E të gjithë e kemi një Nënë në Qiell, Marinë!

Maria, gruaja e dëgjimit

Kështu e shpjegon Kardinali Comastri vlerën e uratës së Rruzares, risinë e saj e aftësinë për të tërhequr vëmendjen, edhe pse është lutje tradicionale. Gjithsesi - vëren, duke kujtuar fjalët e Nënë Terezës - tradicionale nuk do të thotë “e vjetër”: do të thotë se vijon në rrjedhë vitesh, gjë që ka një domethënie të pazakontë. E fakti që përsëritet ”Të falemi Maria”, është gjëja më njerëzore, sepse kur e do fort ndokënd, nuk pushon s’i përsërituri: ”Të dua, të dua, të dua…..”  Fjalë që del palodhshëm nga zemra.

Mëkëmbësi i nderit i Papës për Qytetin e Vatikanit i nxit të gjithë të kërkojnë ndërmjetësimin e Zojës “edhe për të thelluar dëgjimin, që Kisha mbarë është e thirrur ta praktikojë në udhën sinodale”.

“Maria - nënvizon kardinali Comastri, duke kujtuar dialogun me Kryengjëllin Gabriel - është vasha më e aftë për të dëgjuar. E me të drejtë Papa  ngul këmbë që  besimtarët të jenë të aftë të dëgjojnë! Sepse nuk është  aq e lehtë, sa duket. Prandaj kur mësohesh të dëgjosh, mund të themi se ke fituar pjekurinë si njeri e si anëtar i bashkësisë kishtare.

Mirësia tërheq mirësinë

Por, për çka shërben dialogu? Çfarë këshille u duhet dhënë  rregulltarëve e laikëve? Kardinali Comastri kujton shkrimtarin Giuseppe Prezzolini, i cili  njihej si njeri, që nuk besonte. Pikërisht për këtë Pali VI - miku i tij - e pyeti se si mund të arriheshin të largëtit. E Prezzolini gjegji: “Atë i Shenjtë, nëse dëshironi t’i afroni të largtit, përgatitni njerëz vërtet të mirë, njerëz që nuk dinë ç’është krenia, njerëz të përvuajtur. Sepse inteligjenca  ngjall admirim, kultura rrëmben duartrokitjet, por vetëm mirësia e tërheq tjetrin e i hyn mu në zemër - përfundon kardinali Comastri me fjalët e Prezzolinit – e kështu do të dini të dialogoni me të gjithë”.

19 janar 2022, 15:02